BETIMI PËR DREJTËSI

Referimet e pacientëve në klinika private

“Betimi për Drejtësi” ju sjell hulumtimin se si bëhet referimi i pacientëve nëpër klinikat private.

Pse pacientja nuk e kreu lindjen në Spitalin e Prizrenit?

Ku thotë se e referoi shefi i Repartit të Gjinekologjisë në Prizren?

Si arsyetohet gjinekologu për këtë rast?

Çka dëshmon audio-incizimi i bërë dy ditë pas lindjes?

Sa e dënoi Inspektorati Shëndetësor gjinekologun për referim të pacientes në klinikë private?

Pse kjo dosje nuk gjendet në spitalin e Prizrenit?

A u fsheh kjo dosje për të mos u raportuar në Prokurori e Odë të Mjekëve?


Gruaja dhe burri thonë se gjinekologu Gjini i referoi për operim në klinikë private

Në janar të vitit 2022, Geonita Zogaj Bytyqi ishte në fillim të muajit të nëntë të shtatzënisë.

Në fund jo çdo gjë po shkonte sipas planifikimeve.

Asaj iu shfaqën probleme të shumta nga luhatshmëria me tension dhe infeksioni urinar.

“Gjendja jeme ka qenë e rëndume për shkak të tensionit d.m.th, rreth dy jave përpara ka qenë gjendja me tension të lart edhe lëvizje të tensionit herë lart herë poshtë edhe kjo e ka bo që unë me kanë shumë keq, d.m.th, me pas plogështi, lodhje, marramendje, gjithë, krejt këto që kanë bo edhe fëmija mos me pas mundësi me u zhvillu qysh duhet”, tregon Bytyqi.

Për shkak të problemeve shëndetësore, si rrjedhojë foshnja nuk po arrinte të zhvillohej me ritmin e duhur.

“Kemi pas pak probleme të mijat për shkak të tensionit i jem, d.m.th. ka bo presion të beba edhe javën e fundit nuk e ka lanë me u zhvillu, fëmijën mirë, dh.m.th siç e dimë javët e fundit të shtatzënisë fëmija merr peshe ma te madhe e beba jeme, të fëmija jem ka pas stagnim të peshës dh.m.th ka ndiku në neglizhencë të zhvillimit të fëmijës”.

Për këtë, ajo zhvilloi vizitë në Repartin e Gjinekologjisë në Prizren.

Analiza e bërë tregoi se foshnja nuk po zhvillohej më dhe si përfundim procesi i shtatzënisë nuk duhet të vazhdojë.

Si rrjedhojë, asaj ju tha se duhet të kryejë lindje cezariane të parakohshme.

“Në këtë rast, tani kemi vazhdu dh.m.th, e kemi bo CTG-në, me anë të CTG-së, kemi shku te mjeku në fjalë Sebajdin Gjini, kemi shku në zyre e ka pa që nuk është gjendja e mirë e jemja konkretisht dhe e fëmijës. Sipas tij, duhet urgjent me bo lindjen me operim sepse beba nuk është, as beba as nana, janë në gjendje të rënduar. Edhe ne vendosem normal çka të thotë mjeku për neve ajo është me e mira, do të thotë, puna e tina në këtë rast është më na udhëzu çka me bo”.

Por, këtu u shfaq edhe një problem tjetër.

Geonita bashkë me bashkëshortin, Jetmirin, thonë se lindja iu pamundësua në spitalin publik të Prizrenit.

Ata thonë se gjinekologu njëherësh edhe drejtor i Repartit të Gjinekologjisë, i cili e kishte monitoruar edhe procesin e shtatzënisë, Sebajdin Gjini, i referoi për ta kryer këtë operim në një spital privat.

Arsyet, sipas tyre, lidheshin me pacientët që po merrnin trajtim për COVID-19 dhe papastërtia në spital.

“Dhe çka me bo doktor, thotë sa më parë me bo operim por thotë është një problem sepse kushtet këtu nuk janë në favor për me bo këtë operim. Dhe unë mbes i habitur e pse? Këtu janë sipas doktor Sebajdin Gjinit kanë qenë në atë kohë diku 20 raste me COVID-19 bebe fëmijë, dhe papastërtia për që ka qenë papastërtia është në rregull se unë tu hy në zyre kom zatet në lloq, një pikë e lloqit ka qenë aty. Dhe d.m.th papastërti ka këtu, diku 20 pacientë me COVID-19 dhe më së miri kjo punë me u bo në Klinikën Amerikane në Prishtinë”

Tutje, Bytyqi thotë të ketë insistuar që lindja të kryhet në Spitalin e Prizrenit, por vazhdimisht t’i jetë gjetur arsye të ndryshme.

Kësisoj, ai thotë të mos ketë diskutuar më shumë duke pranuar trajtimin në sektorin privat.

“Dhe unë mbes i habitur dhe i them o doktor pse s’po e bon këtu, na jena në repart të Gjinekologjisë ka edhe mungesë mjetesh. Nëse ka mungesë mjetesh atëherë unë shkrumi në letër dhe po shkoj po i marrë dhe po i bi po e bajmë. Nuk më kthen kurrfarë përgjigje edhe e thirr doktoreshë Teuta Daullxhiun. Edhe dalin edhe njëherë dalin konsultohet diçka jashtë, e masin tensionin dhe thonë që tensionin prap vazhdon me pas të naltë. Edhe i thotë Teuta Daullxhiut për me bo operim edhe nesër i thotë, jo i thotë kur me bo, ajo i thotë nesër e kom po oshtë dikush tjetër në radhë. Edhe unë ndërhyjë them a po thu që gjendja është e rënduar e gruasë teme? Po tha. I them ani pse s’po e bon menjëherë meqë është gjendja e rënduar sepse edhe unë edhe shoqja u frikësoheshim shumë. Edhe aty nuk kthen përgjigje”.


Gjinekologu Gjini mohon referimin e pacientes në klinikë private

“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të intervistojë gjinekologun Sebajdin Gjini, por ai nuk ka pranuar.

Derisa në bisedën e zhvilluar me të, si tentim për të zhvilluar intervistë, Gjini mohon ta ketë bërë referimin e pacientes në klinikë private.

Sipas tij pavarësisht se pacientja kishte gjendje të rënduar kishte insistuar për të kryer lindjen në klinikë private shumë orë pas zhvillimit të kontrolles në spital.

Derisa sqaron se të njëjtën e ka pasur kliente edhe në klinikën e tij private, ku thotë t’ia ketë monitoruar gjendjen gjatë shtatzënisë.

“Gjini: Prej 2019 është vizitu tek unë.

Gazetarja: Është vizitu privat?

Gjini: Privat. Bash qëtu ka qenë i ulur ai dhe prej fillimit ata kanë qenë të orientuar për me kry lindjen në institucion privat. Pytjen ia boj atij a ki mundësi? Thotë unë jom biznesmen. Unë s’kom ditë çka punon ky, mekanik. Vetë kanë kërkuar dhe vetë kanë insistu me shku. Këtu është dëshmitare edhe doktoresha Teuta, kur ata kanë insistu me kry lindjen në Klinikën Amerikane. 8 orë kanë prit mas orarit të punës derisa e kom kry punën edhe këtu edhe në klinikë private, kemi shku e kemi kryer lindjen”.


Mjekja Daulllxhiu që asistoi Gjinin thotë se nuk i kujtohet referimi i pacientes në privat

Në raportin e trupit inspektues të Inspektoratit Shëndetësor gjinekologia Daullxhiu shkurt kishte deklaruar se: “Me kërkesën e Gjinit ka asistuar në lindjen e pacientes, duke kryer intervenimin operativ duke shpëtuar jetën e nënës dhe frytit”.

Por, e kontaktuar përmes telefonit, lidhur me faktin nëse ka pasur hapësirë apo jo që lindja të kryhet në Spitalin e Prizrenit, Daullxhiu ka thënë se nuk i kujtohet se për cilin rast bëhet fjalë.

“Gazetarja: E ka përmend edhe emrin e juaj, ku ka thënë se është konsultuar me juve për mos me kry lindjen në Klinikë të Prizrenit, me arsyetimin se nuk ka hapësirë për shkak të lindjeve të tjera të cilat kanë qenë në radhë. A mundeni me më tregu qysh ka qenë situata?

Daullxhiu: Jo nuk kom ide po më vjen keq po nuk po e di për çka jeni tu fol po me vjen shumë keq. Po më vjen keq po nuk kam ide unë për këtë”.

Tutje, Gjini thotë se tensioni i pacientes ka qenë 200 me 140, dhe për këtë i është thënë se duhet të kryhet lindje e parakohshme.

Mirëpo, nuk ka sqarim se si e njëjta është liruar të dalë nga spitali nëse gjendja e saj dhe bebes ka qenë e rrezikuar.

“Gjini: A e din çka është me orientu një pacient prej institucionin publik në privat? A ka bo naj vizitë a ka qenë këtu jo.

Gazetarja: Ajo ka qenë këtu këtë zyre.

Gjini: Një CTG e ka bo. Tensionin 200 me 140.

Gazetarja: Edhe a e keni obligu direkt me hy në operacion?

Gjini: Unë?

Gazetarja: Po. A i keni thënë që duhet direkt me hy në operacion për shkak të tensionit.

Gjini: Duhet me u kry lindja, duhet me u kry lindja.

Më vonë

Gazetarja: Nëse gjendja e nanës u kanë aq keq, pse ju nuk e keni shti menjëherë në operacion?

Gjini: Pse s’ka dashtë.

Gazetarja: Edhe e keni lënë me dalë prej spitalit në gjendje kritike ku ka mund me pësu edhe ajo edhe beba?

Gjini: Shka ka mujt me pësu sipas juve.

Gazetarja: Jo unë po ju pyes juve, meqë ju i keni thënë tensioni i naltë dhe gjendja është kritike

Gjini: Vetë janë orientu, vetë kanë kërku prej fillimit të shtatzënisë, një abort e ka pas. Asnjë vizitë nuk e ka këtu përveç një CTG dhe një tension që është mat”.

Por, i pyetur se cila është arsyeja e këtij raportimi nëse në realitet ai ka kryer punën siç duhet, Gjini kalon në elemente të ulëta personale e familjare.


Audio-incizimi | Burri i pacientes: Doktor, unë t’i kisha dhanë paret…

Gjendja e foshnjës nuk kishte qenë e stabile pas lindjes.

Si rrjedhojë, edhe klinika private kishte bërë transferimin e foshnjës për në Repartin e Neonatologjisë në QKUK për trajtim me intubim.

“Kur dikur në 12 të natës apo 1 ka ardh mjeku kujdestar dhe më ka thanë, unë e kom pyt për gjendjen e vajzës edhe ka thanë që nuk mundem me thanë as mirë as keq jemi nën përcjellje tash saktë qysh e kanë përcjell, e di që ka pas infuzion vajza jem. Të nesërmit prej që ka lind frymëmarrja e vajzës tem ka qenë jostabile prej larg mujshe me pa barkun tu lëviz. Në ora 3 masditë, 2 e 30 3 ashtu diçka, mjeku i Klinikës Amerikane të nesërmit ka ardh në përfundim që bebja duhet me u trajtu në QKUK me hek prej Klinikës Amerikane dhe me trajtu në QKUK dhe mu su prind më thirrin se shoqja nuk ka mujt me lëviz se ka qenë me operim lindja, edhe më thirr mjeku më thotë që kështu kështu, ti je prind i vajzës, duhet vajzën tanë me qu në QKUK. Edhe pytja jem ka qenë pse. Edhe ka thanë këtu nuk mundemi më me trajtu, do trajtim em intibu, duhet me bo intubimin në QKUK edhe çka kom pas unë me fol me të, d.m.th Sebajdin Gjini neve na ka dërgu aty, as ai as unë s’kemi pas vaktë se tha sa më shpejt duhet me dërgu në QKUK, dhe me ambolancë të Klinikën Amerikane me inkubator e këna qit në ambollant dhe e kemi qu në QKUK”, tregon Bytyqi.

Në një përgjigje me shkrim, nga Klinika Amerikane kanë thënë se si spital sekondar nuk kanë kompetencë në trajtimin e foshnjës me intubim, trajtim i cili jepet nga spitalet me shërbime terciare, si SHSKUK.

“Sipas protokollit dhe ligjit në fuqi, spitalet sekondare apo speciale sicc është spitali ynë apo shumica e spitaleve në Kosovë, nëse sipas gjendjes shëndetësore dhe protokoleve të caktuara nga neonatologet dhe pediatrit, foshnja ka nevojë për tretman të shërbimit terciar, që është vetëm SHSKUK, atëherë ne jemi të obliguar ligjërisht që secili spital sekondar që kryen shërbimin e lindjeve të bëjë transferimin e foshnjëve në trajtim të mëtutjeshem në shërbimin terciar, në këtë rast SHSKUK. Gjendja e foshnjës ka qenë në bazë të parametrave stabil dhe për ccdo gjë që ju nevojitet ju mund të kërkoni nga prindërit fletëlëshimin e foshnjës në bazë të cilave parametra mjekësor foshnja është transferuar në SHSKUK, por në këtë rast nuk shohim që ka ndonjë ankesë rreth kësaj, por z. Bytyqi ka ankesë rreth doktorit për referim, që në këtë rast jemi palë e tretë dhe nuk implikohemi në këtë pjesë”.

Foshnja ishte pranuar në Repartin e Neonatologjisë në QKUK, një ditë pas lindjes, në gjendje të rënd të sistemit të frymëmarrjes.

“Pas disa orësh për shkak të manifestimit të shenjave të rënda sistemit respirator ka kërkuar mbështetje më të avancuar respiratorë dhe është vendosur në ventilim mekanik. Tek ne ka qëndruar deri më datë 24 shkurt. Janë bërë të gjitha ekzaminimet, foshnja ka qenë me infeksion”.

Rrugës për në QKUK, Bytyqi thotë ta ketë telefonuar gjinekologun Gjini, duke i kërkuar llogari se pse i referoi ta kryejnë lindjen në një klinikë private derisa foshnjën sërish po detyrohen ta trajtojnë në QKUK.

Në audion e incizuar, gjinekologu Gjini i jep të drejtë Bytyqin si prind, kur ky i fundit i thotë se nëse gjendja e bashkëshortes ka qenë e rëndë operacioni është dashur të bëhet menjëherë në Prizren.


Gjinekologu kërcënon kur ballafaqohet me audio-incizimin: Urdhëroni përmendeni emri tem, e shihni

Kur tash pyetet për këtë bisedë, Sebajdin Gjini thotë ta ketë bërë për të mos rënë në siç thotë ai nivel të bashkëshortit të pacientes, ani se i njëjti po e akuzonte atë për shkelje të ligjit dhe parimeve profesionale të mantel bardhëve.

“Gazetarja: Pse i keni thënë nejse nejse ki të drejtë dhe mirremi vesh na për këto gjana?

Gjini: Unë atij i kom thanë?

Gazetarja: Po.

Gjini: Po nejse nejse ai ka të drejtë masi të kryhet puna si ma mirë ka përfundu ka të drejtë ai.

Gazetarja: Cka ka të drejtë?

Gjini: Ka të drejtë me u anku e me shpreh mos kënaqësi apo akuza të pabaza.

Gazetarja: Por, ju nuk i keni thënë që i ke akuzat e pa baza. I keni thënë nejse nejse ki të drejtë.

Gjini: Po tash unë në nivel të tij kom me u marrë me i thanë ti këtu këtu, ku po e di që po incizon ai. Kush është ai prej jush që ka bisedu me blendin, avokatin?

Gazetarja: Jo nuk e di.
Gjini: Ju s’keni të drejtë ju mu me me iniczu me bo emisione çka po di unë se keni me pas pasoja”.

Duke mos pranuar të deklarohet para kamerës, Gjini ka vazhduar edhe me kërcënime, duke thënë se emri i tij nuk duhet të dalë në media.

“Ju s’keni kurrfarë të drejtë emrin, urdhëroni përmendeni emri tem, e shihni”.

Nga Klinika Amerikane thonë të mos kenë pasur dijeni që pacientja të jetë hospitalizuar me rekomandim të mjekut.

“Jo, nuk kemi qënë të informuar, pacientja është hospitalizuar dhe më vetdeshirë së bashku me përcjellësin kanë nënshkruar historinë dhe dosjen dhe si të tillë është kryer lindja.
Vlenë të theksohet, se ne nuk kemi pasur asnjë ankesë apo informatë nga pacientët, nuk jemi në dijeni në lidhje me rastin e dr. Sebajdin Gjini dhe si të tillë ne kemi kontrata primari dhe sekondare me doktorë të cilët kryejnë lindjet brenda spitalit tonë apo edhe shërbime tjera. Ne posedojmë të gjitha kushtet teknologjike, mjekësore, profesionale dhe infrastrukturë, si dhe kujdesin 24/7 ditë të javës me gjinekolog dhe neonatolog kujdestarë të cilët kujdesën për të gjitha foshnjet e posalindura”.


Inspektorati Shëndetësor dënon gjinekologun Gjini për referim të pacientëve në sektor privat

Inspektorati Shëndetësor i Kosovës pas trajtimit të rastit i kishte dhënë të drejtë çiftit Bytyqi.

Kështu, ky Inspektorat kishte gjobitur gjinekologun Gjini me 2 mijë euro gjobë për shkelje të Ligjit për Shëndetësi duke referuar pacienten për trajtim në sektorin privat, shërbim i cili do duhej t’i ofrohej në spitalin publik të Prizrenit.

Poashtu, inspektorati e kishte dënuar Gjinin edhe me dy mijë euro të tjera për shkak të mos licencimit të ambulancës gjinekologjike private.

Sipas vendimit thuhet se gjinekologu Gjini e “kishte ndërruar objektin për ushtrimin e veprimtarisë shëndetësore gjinekologjike dhe nuk posedonte licencë për hapësirën e re- objektin e ri”.

Derisa, sipas inspektoratit ndaj gjinekologës Daullxhiu nuk është marrë asnjë masë, pasi ka qenë vetëm në asistencë të gjinekologut Gjini.

Por, për këto vendime nuk u informuan asnjëherë qifti Bytyqi dhe shoqata.

“Kurrë në jetë, nuk jam thirr vetëm pasi e kom bo ankesë, kanë ardh dy inspektore nuk e di sa ditë mas ankesës prej Prishtinës, mundem me i gjetë emrat dhe më kanë marrë në pytje lidhur me rastin sikur ty qysh po të rrëfena, edhe atyre ju kom rrëfy lidhur me rastin. Edhe ju kom kërku që me u zbardh ky rasti jonë, dhe kanë thanë po patjetër që do të zbardhet, inspektore të shëndetësisë mundem me ua gjetë saktë edhe emrat dhe me vërtetu kush ka qenë saktë, dy inspektore, po kalojnë dy vjet edhe kurrë kërkush nuk më ka thirr”.

Vendimi nuk i ishte përcjell as Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve.

Kodra thotë se me arsyetimin se vendimi mban të dhëna personale, inspektorati ka refuzuar kërkesën.

“Fatkeqësia ka qenë që inspektorati është marrë me lëndën mirëpo as ne e as Jetmirit nuk I ka kthyer një vendim se cila është masa që e kanë marrë, vetëm se kemi kuptuar që është marrë një masë mesë një shkrese por vendimet nuk kanë ardhë me arsyetimin se vendimet nuk mund t’i dërgojnë palëve, një palë e cila ka bërë ankesë dhe don me ditë rezultatin e ankesës vet kjo është shkelje e dytë e drejtave të njeriut por është një rregull e inspektoratit që unë kurrë nuk e kam kuptu. Kjo ma arsyeton faktin që të dhënat personale më shumë përdoren për të mbuluar keqpërdorimet e korrupsionit se sa që ju intereson shumë për palët”.

Lidhur me këtë vendim, sipas përgjigjes së Inspektoratit Shëndetësor Gjini nuk e ka paguar gjobën dhe ka bërë ankesë në shkallën e dytë, i cili ka konfirmuar vendimin e shkallës së parë.

Për këtë, Gjini thotë se ka bërë padi në gjykatë.

“Betimi për Drejtësi” ka kërkuar padinë nga avokati i Gjinit, Gent Gjini, mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur në kërkesat e redaksisë.

Në anën tjetër, bazuar në aktvendimet e siguruara në Gjykatën Themelore në Prishtinë, shihet se të dy paditë e ushtruara ndaj vendimeve të Inspektoratit Shëndetësor konsiderohen të tërhequra për shkak të mospagesave të taksave gjyqësore.

Të dy vendimet rezultojnë të jenë marrë më 15 dhjetor 2023.


Kush e zhduku gjobën ndaj Gjinit në Spitalin e Prizrenit?

Por, megjithëse Gjini u gjobit për shkelje të Ligjit për Shëndetësi për referim të pacientit në sektorin privat dhe mos licencim të klinikës, kishte vazhduar të mbante detyrën prej shefi të Repartit të Gjinekologjisë në Prizren.

“Betimi për Drejtësi” ka kërkuar për këtë informacione nga drejtoresha e spitalit, Narqize Hoxhaj.

Por, Hoxhaj është shprehur e painformuar për këtë rast.

Duke mos dashur të flas para kamerës, në një përgjigje me shkrim është shprehur se vendimi i inspektoratit ndaj Gjini nuk gjendet në dosje.

“Rasti ka ndodhur në muajin shkurt 2022, ndërsa Dr. Narqize Arënliu Hoxhaj detyrën e drejtoreshës së Spitalit të Përgjithshëm ”Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren e ka marrë më datën 28.06.2022. Janë kontrolluar dosjet e dr. Sebajdin Gjinit dhe Dr. Teuta Daullxhiut. Në dosjet e tyre nuk ka vendim të Inspektoratit Shëndetësor për masën e shqiptuar të dënimit me gjobë, dhe mund të jetë dënim privat. Ne jemi duke hulumtuar rastin dhe për çdo gjetje eventuale do të ju njoftojmë”, thuhet në përgjigjen e spitalit.

Në vendimin e marrë nga inspektorati, në mesin e personave gjegjës që u dorëzohet vendimi, figuron edhe emri i drejtorit të atëhershëm të spitalit, Afrim Avdaj.

Mirëpo, i kontaktuar përmes telefonit ai ka thënë se nuk i kujtohet rasti dhe pyetjet t’i adresohen me shkrim.

Por që nuk është përgjigjur më.

“Dënimet janë prej vrejtjes me gojë deri në suspendim nga puna. Për cështje të tjera më shkruani dhe do të ju kthej përgjigje”.

Në anën tjetër, nga Inspektorati Shëndetësor kanë pohuar se vendimi i është dorëzuar dhe Avdajt si drejtor i spitalit.

“Betimi për Drejtësi” ka kërkuar përgjigje edhe nga menaxhmenti i ShSKUK-së nëse kanë njohuri për këtë, mirëpo të njëjti kanë përcjell vetëm përgjigjen e Spitalit të Prizrenit, pa dhënë sqarime mbi hierarkinë llogaridhënëse që do duhej të funksiononte mes tyre.

Mirëpo, Kodra thotë se në këtë rast mund të ketë dhe shkelje profesionale të cilat mund të qojnë në përgjegjësi mjekun.


Inspektorati Shëndetësor nuk e raportoi në Prokurori veprën penale të kryer nga mjeku

Përveç në Odën e Mjekëve të Kosovës, rasti del të mos jetë raportuar nga asnjë linjë, as në Prokurori apo Polici.

Nga Inspektorati Shëndetësor arsyetohen pala nuk ka bërë ankesë menjëherë.

“Rasti në fjalë nuk është lajmëruar në Polici as në Prokurori të Shtetit pasi pacienti nuk është lajmëruar menjëherë të na, por pas një kohe relativisht të gjatë pasi është kryer lindja, ka bërë ankesë në Inspektorat”.

Për këtë, këta zyrtarë mund të kenë konsumuar veprën penale nga neni 378.2. i Kodit Penal, qe përcakton se: “2. Personi zyrtar apo personi përgjegjës i cili nuk e lajmëron veprën penale të cilën e ka zbuluar gjatë ushtrimit të detyrës së tij, dënohet me dënimin nga paragrafi 1. i këtij neni, nëse vepra e tillë është e dënueshme me së paku tre (3) vjet burgim”.

“Kodi Penal ka përcaktuar se personi i cili gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare vihet në dijeni për kryerjen e  një vepre penale të dënueshme me të paktën tri vite  burgim dhe nuk e lajmëron për këtë vepër penale bie ne përgjegjësi penale pra kryen vepër penale të moslajmërimit të të veprës penale dhe në këtë situatë do të mund të kishim të bënim edhe për kryerjen e kësaj vepre penale. Në anën tjetër nuk është fare relevante koha e raportimit faktet e ngjarjes etj, secili zyrtar publik në secilin rast kur gjatë ushtrimit të detyrës së tij has në vepra të caktuara penale defitinitivsht se për ketë duhet të njoftohet Prokurori i Shtetit pavarësisht vendimit që është marrë në institucione administrative” sqaron hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala.

Referimi i pacientëve në klinika private bëhet vetëm në rastet kur Qendra Klinike Universitare e Kosovës përmes themelimit të një komisioni prej tre ekspertëve të fushës, konstaton se pacienti nuk mund të trajtohet nga institucionet publike të Kosovës.

Si rrjedhojë me këtë vendim, pacienti ka të drejtë të kërkojë nga Fondi për Sigurime Shëndetësore rimbursim për trajtim jashtë institucioneve publike apo jashtë shtetit.

Sot, vajza e Geonitës dhe Jetmiri është bërë dy vjeçe.

Ajo gëzon shëndet të plotë pas trajtimit të marrë në QKUK.

Megjithatë, tash kur çifti Bytyqi thonë të mendojnë të sjellin në jetë një fëmijë tjetër, thonë të kenë pasiguri, pasi mund të përballen me situata jo të këndshme, duke ditur se drejtor i këtij reparti vazhdon të jetë Gjini.

“Ne kemi mëndu prap me bo fëmije edhe une edhe shoqja, dhe patjetër që kur të mendojmë me bo fëmije nuk kemi ku me shku tjetër kund përpos vendit tonë, përveç spitalit të Prizrenit. Me mëndu e kemi mëndu ama kur e kemi mëndu qysh na ka bo Sebajdin doktori qysh na ka malltretu çfarë tmerri kemi përjetu me vajzën, jena tut që spo na shpëton hiç. Pastaj deshti Zoti shpëtoj. Po tani tjetra ma e keqja që po vazhdon me na rëndu neve është që kurrfarë përgjigje se nuk është bardh prej institucioneve të Kosovës”, thotë Jetmiri.

“Përveç këtij rrëfimi, përveç asnjë që e ceke vetë, domethënë me arrite drejtësi, drejtësi jo veç për neve, po drejtësi në për krejt rastet e tona që ka ndodhë, domethënë. I vetmi arsye tjetër është domethënë me pas edhe siguri. Me pas dhe siguri që na me vazhdu nga tutje çka nëse prapë një rast i tillë bëhet, çka nëse na rrezikohet prapë jeta si fëmijës tanë”, përfundon Geonita.