“Betimi për Drejtësi” ka kërkuar informacione nga prokurorja e rastit, Ariana Shajkovci, po të njëjtën ditë më 13 shkurt nëse ka hapur hetim ndaj Sejranit dhe nëse për këtë e ka njoftuar kryetaren e Gjykatës Themelore në Prizren, Shpresa Emra.
Nëntë ditë pas, më 22 shkurt Shajkovci me arsyetimin se bisedat në mes Pulajt me gjyqtarin Sejrani nuk janë pjesë e raportit informues të Policisë së Kosovës, nuk ka pohuar ekzistimin e tyre, ani se të njëjtat ishin pjesë e provave të përcjella bashkë me raportin informues në prokurori.
“Nga raporti informues i policisë, te datës 25.10.2023, lidhur me ekzaminimin e telefonit, nuk është përfshirë ndonjë komunikim i drejtpërdrejtë i te pandehurit Sh.P me këtu gjyqtarin Artan Sejrani, por me gjithë këtë ashtu si ju kemi informuar me e-mailin e datës 06.02.2024, ne jemi duke punuar ne drejtim te përfundimit sa me pare te shikimit të gjithë materialit te shkarkuar – te siguruar nga ekspertiza telefonike nga Drejtoria e Teknikës Kriminalistike – Sektori për Fotografi, Video Analizë dhe Ekzaminime të TI-së, Njësia për Ekzaminimin e Pajisjeve të Teknologjisë së Informacionit në Prishtinë dhe sa më shpejt të jetë e mundur Prokuroria do të ndërmarrë veprime aty ku ka kompetencë lëndore, ndërsa aty ku mungon kompetenca (nëse rezulton me të gjetura) do të adresohen të njëjtat tek institucionet kompetente”, ka thënë Ariana Shajkovci, Prokurore e rastit.
Megjithëse Shajkovcit i janë përcjell pyetje të tjera shtesë nëse provat e tjera të siguruara që nuk kanë qenë pjesë e raportit informues, dëshmojnë komunikimet mes tyre, prokurorja nuk është përgjigjur.
Në anën tjetër, edhe kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren, Shpresa Emra ka konfirmuar më 15 shkurt se nuk ka pranuar informacione nga Prokuroria e Shtetit, se ekzistojnë biseda me gjyqtarit Sejrani dhe të akuzuarit Pulaj.
Ani se më 25 tetor 2023, prokurorja Shajkovci kishte pranuar raportin informues bashkë me të gjitha provat e tjera, e njëjta e ka njoftuar kryetaren Emra dhjetë ditë pas interesimit të “Betimit për Drejtësi”, pra më 23 shkurt, se ekzistojnë komunikime mes tyre.
Si rrjedhojë, kryetarja Shpresa Emra e ka përjashtuar Sejranin si gjyqtar për rastin me narkotik.
“Me datë 23.02.2024, unë si Kryetare e Gjykatës kam pranuar një raport, për komunikimet që kanë dalur nga faza hetimore që është zhvilluar ndaj të pandehurit Shkodran Pulaj, raport ky i dorëzuar nga prokurorja Ariana Shajkovci. Pas shqyrtimit fillestar të raportit, si Kryetare e Gjykatës, në kuadër të kompetencave ligjore, me datë 27.02.2024, kam marrë vendim për përjashtimin e Gjyqtarit Artan Sejrani nga trajtim i kësaj çështje, dhe kjo lëndë do ti delegohet një Gjyqtari tjetër për trajtim, duke iu referuar nenit 38 par. 3 të KPP-së, “Gjyqtari gjithashtu mund të përjashtohet nga ushtrimi i funksionit gjyqësor, në rast konkret, …………nëse paraqiten rrethana që e vënë në dyshim paanshmërinë e tij”, ka thënë Emra, kryetare e Gjykatës Themelore në Prizren.