BETIMI PËR DREJTËSI

Për çfarë akuzohej Kelmendi dhe pse për afro një dekadë ende s’ka vendim të formës së prerë?

Në korrik 2014, prokurori ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale, Andrew Hughes, kishte ngritur aktakuzë ndaj Naser Kelmendit për një sërë veprash penale.

Krim i organizuar, vrasje e rëndë, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike si dhe prodhim e përpunim i paautorizuar i narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.

Aktakuza voluminoze e prokurorëve ndërkombëtarë, grupin e të akuzuarit Kelmendi e cilësonte si grup i organizuar kriminal dhe i strukturuar mirë, të cilët kishin burime të mëdha financiare për të angazhuar vrasës me shumë përvojë. Sipas dosjes së Prokurorisë, ky grup, për t’i ekzekutuar këto operacione kishte benefite si sigurimin, akomodimin, ushqimin, armët speciale, dokumente të udhëtimit, transportimin dhe pagesa prej së paku 100 mijë euro. 

Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari Kelmendi kishte zhvilluar disa takime për të siguruar dhe punësuar vartësit, që në vitin 2007 të kryenin vrasjen e “kryegangsterit rival” Ramiz Delaliq, i njohur me nofkën “Çelo”, është njoftuar në një hulumtim të "Betimit për Drejtësi" të transmetuar në KTV. 

“Në fillim, Naser Kelmendi është hetuar siç e thash për vrasje të rëndë që pandehej që e ka privuar nga jeta bashkë më ish-ministrin e Sigurisë së Bosnjës dhe një numër të madh personash. Komandant të ushtrisë së Bosnjës, komandant dominant si Naseroviqi e të tjerë të Bosnjës, sipas një dëshmitari gruas së Zija Turkoviqit, kryekriminelit të njohur në Bosnje të dënuar për 6 vrasje i dënuar me 40 e sa vjet burgim. Naser Kelmendi pandehej se është njëri nga ata që kishin organizuar dhe ekzekutuar vrasjen e Ramiz Delaliqit pra, komandant i njohur në Bosnje”, ka thënë avokati i Kelmendit, Besnik Berisha.

Përveç akuzave për organizimin e vrasjes së “Çelo”-s, Prokuroria Speciale, akuzonte Kelmendin se si drejtues i grupit kriminal të organizuar mirë, nga 2000 deri në 2012, kishte menaxhuar dhe drejtuar blerjen, përgatitjen, transportin, shitjen dhe shpërndarjen e një sasie të madhe heroine dhe droga të tjera. Në këtë dosje Kelmendi akuzohej se ka udhëhequr dërgesa ndërmjet Turqisë, rajonit të Ballkanit dhe Holandës, ku më pas u janë është shitur tregtarëve dhe shpërndarësve në të gjithë Evropën.

Përveç këtyre, Kelmendi akuzohej se bashkë me grupin edhe kanë prodhuar, kultivuar dhe përpunuar droga të rrezikshme, e me të cilat më pas i kanë zhvilluar dhe tregtuar, duke i shpërndarë dhe shitur.

Për të gjitha këto akuza, ndaj Kelmendit ishte zhvilluar një gjykim në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

I akuzuari Kelmendi ishte deklaruar i pafajshëm para gjykatës për të gjitha pikat e akuzës.

Trupi gjykues, në përbërje të gjyqtarëve Anna Adamska, si kryetare e trupit gjykues dhe anëtareve Syzana Qerkini dhe Vladimir Mikula, në 2018 e kishin shpallur fajtor të akuzuarin Kelmendi vetëm për pikën 8 të aktakuzës, e cila pikë e ngarkonte Kelmendin për veprën penale trafikim me narkotikë, duke e liruar në 8 pikat tjera të akuzës, pasi sipas gjykatës nuk ishte vërtetuar se Kelmendi kishte kryer veprat penale me të cilat ngarkohej sipas prokurorisë.

Asokohe, për pikën e 8 të akuzës, ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.

Në lidhje me këtë pikë, Kelmendi ishte gjetur fajtor se në periudhën kohore korrik-gusht të vitit 2003 në Sarajevë, së bashku me personin, dëshmitarin e mbrojtur i emërtuar në procedurë gjyqësore si K2, si dhe me tre persona të tjerë të paidentifikuar, ai i ka hedhur në qarkullim 25 kg të një substance të narkotikut të rrezikshëm, e përcaktuar si heroinë e bardhë. Ai thuhet se kishte angazhuar dëshmitarin K2 që ta drejtonte automjetin për ta transportuar substancën narkotike në Austri, ku e kishin pranuar persona tjerë të paidentifikuar.

Gjykimi në shkallë të parë, sipas mbrojtësit të akuzuarit Kelmendi, avokatit Berisha, ishte përcjellë me zvarritje të shumta, kjo për shkak të mungesës së bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

“Në shkallën e parë, zvarritjet kanë qenë të karakterit kryesisht të mungesës së bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, sepse kanë qenë dëshmitarët nga Kroacia, kanë qenë nga Bosnja, nga Serbia, kanë qenë nga vendet e tjera të ashtuquajtura të mbrojtura, nga vendet “host countries”, që dëshmitarëve iu ka paguar qëndrimi për të dëshmuar në emër të drejtësisë. Janë anuluar shumë seanca, sepse dëshmitarët kur përballeshin me pyetje të nxehta thjesht çoheshin, ishin njerëz narkomanë njerëz të qelive, njerëz që thoshin se nuk mund të japë përgjigje, p.sh se çfarë dite është sot, pse nuk mund të japësh, sepse më duhet me e pyet prokurorin njëherë paraprakisht para se me u përgjigj. Pra, njerëz që kishin gënjeshtra të konstruktuara dhe nuk mund ta kalonin testin e filtrimit në gjykatë”, është shprehur ai.

Sipas Berishës, edhe çështja e paraburgimit, ishte një lloj pingpongu i Gjykatës, e cila sipas tij, ndikohej nga prokurori i rastit.

“Shkuan disa vite, u kulmua pas 4 viteve gjykimi ndaj Naser Kelmendit, u kulmua me disa herë ndërprerje të masës së paraburgimit, kthim në masën e paraburgimit, me arrest shtëpiak, kthim, derisa gjykata ra në konflikt të hapur me Gjykatën e Apelit, sepse përdorej ndikimi i kundërligjshëm i prokurorisë, prokurori privatisht i shkruante ish-kryetarit të asamblesë së gjyqtarëve Malcom Simons, dhe i thoshte se kam informacione që shkalla e parë po do t’ia ndërpresë paraburgimin Naser Kelmendit, duhet të bëni diçka dhe atë vendim ta rrëzoni, pas 4 ditëve kthehej Naser Kelmendi në paraburgim prapë. Kur u kriju kjo armiqësi në mes të shkallës së parë dhe të dytë, pastaj në fund u dorëzuan dhe me një dorëzani, për çudi, 2 milionëshe, e liruan deri në ditën e shpalljes së aktgjykimit”, ka thënë Berisha.

Me aktgjykimin e shkallës së parë, nuk ishte pajtuar as prokuroria e as mbrojtja e Kelmendit.

Shpejt, si rrallëherë kishte vendosur shkalla e dytë, pas ankesave të paraqitura nga Prokuroria Speciale dhe mbrojtja e të akuzuarit Kelmendi.

Gjykata e Apelit me 24 korrik 2018 apo afro gjashtë muaj pas vendimit të shkallës së parë, kishte kthyer rastin në rigjykim për pikën e vetme me të cilën ishte dënuar i akuzuari Naser Kelmendi nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Sipas Gjykatës së Apelit, rasti duhej rigjykuar, pasi ishin gjetur shkelje të dispozitave ligjore nga shkalla e parë, e cila nuk kishte dhënë fakte vendimtare se pse e kishte dënuar të akuzuarin Kelmendi. Sipas Apelit, vendimin për dënim, shkalla e parë e kishte bazuar vetëm në dëshminë e dëshmitarëve K1 dhe K2, e që sipas Apelit, gjykata nuk e shpall personin fajtor vetëm nga dëshmitë e dëshmitarëve bashkëpunues. Ndërsa, sa i përket pjesës liruese, kjo gjykatë kishte konstatuar se shkalla e parë kishte vepruar drejt me rastin e vlerësimit të provave për pjesën liruese.

Për më shumë ndiqeni hulumtimin “Shteti dështon të ndajë drejtësi për Naser Kelmendin të njohur si “bosi i drogës”, i cili transmetohet në KTV, TV Arta dhe “Betimi për Drejtësi”.