Raporti në vazhdimësi përmend një biznes për furnizim me dërrasa për varrim. Sipas raportit, për tre vjet me radhë kompania ishte paguar mbi 40 mijë euro më shumë.
“Mostrimi për shërbimet e varrimit (dërrasa dhe piramida), tregon dalje për Adhurim sh.p.k në vlerë 65.427.56 euro. Mirëpo, sipas evidencës të Këshillit dhe programit të MMS-së raste e vdekjes janë 1.368 raste. Kur të shumëzohen rastet me shpenzimet e dërrasave piramidës (një rast 36) totali na del 49.248 euro. Diferenca financiare është 16.179.56 euro. Për këtë kemi kërkuar sqarime nga furnizuesi”, thuhet në verifikimin për 2020.
Për vitin 2021, BIK e kishte paguar kompaninë 13.429 euro më shumë se sa kishte pranuar mall, ndërsa për vitin 2022 10.939 euro më shumë.
Porosit dhe pagesat ishin bërë pa pasur kontratë me kompaninë.
Rexha thotë se kërkesat për dërrasa janë bërë nga njësit e tjera, dhe ai vetëm i ka pranuar faturat.
“Gazetarja: Kanë qenë duke u bërë pagesa më të mëdha sesa sasitë që i keni pranuar?\
Rexha: Nuk e di, nuk e di që ka pasë pagesa më të mëdhaja.
Gazetarja: A e keni evidentuar ndonjëherë se çfarë sasie keni pranuar kur e keni bërë pagesën?
Rexha: Me shku me kontrollu mallin, a?
Gazetarja: Po.
Rexha: Jo, ka qenë persona përgjegjës.
Gazetarja: Kush kanë qenë personat përgjegjës?
Rexha: Shërbimet fetare.
Gazetarja: A mund të na thoni me emër e me mbiemër, se kur është pranuar një mall, para se të bëhet pagesa, kush e ka bërë kontrollin e tij?
Rexha: Jo, nuk e kam.
Gazetarja: Po ju keni kryer një pagesë pa e bërë kontrollin e mallit.
Rexha: Po, po nuk është detyrë e jemja me shku me bërë kontrollin e…
Gazetarja: Detyrë e kujt ka qenë?
Rexha: Ka qenë e përgjegjësve.
Gazetarja: Po kush janë përgjegjësit?
Rexha: Për shërbime fetare.
Gazetarja: Po e kam pru një raport te ju, për me tregon…
Rexha: Jo, vetëm faturën.
Gazetarja: Pra, ju keni pranuar mall, keni bërë pagesa dhe nuk është kontrolluar malli.
Rexha: E sa qe e nderuar, bile bile me rregull ka qenë që faturat t’i shoh shoh njëherë kryetari, pastaj të jepet urdhri për ekzekutim”.
Biznesi akuzon për ryshfet ish-arkëtarin e Këshillit të BIK në Prishtinë
Por, e vërteta pasqyrohet ndryshe nga bizneset. Biznesi në fjalë përmes një deklarate të dhënë pranë Bashkësisë Islame më 15 qershor 2023 të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thotë të jetë detyruar nga Rexha për t’i dhënë ryshfet në mënyrë që të vazhdohet porositja e dërrasave për varrezat tek ai, ose në të kundërt do t’i ndërpritej bashkëpunimin.
Por, Rexha vazhdon të mohojë edhe këtë akuzë.
“Gazetarja: A e njihni Adhurim Nuredinin, pronuar i kompanisë Adhurimi ShPK? A e njihni?
Rexha: Po.
Gazetarja: Çfarë raporti keni pasur me të?
Rexha: Raport kontraktual.
Gazetarja: A ka ndodhur ndonjëherë të keni pasur ndonjë raport me të përtejë raportit kontraktual ose është si ka qenë i rregulluar raporti juaj dhe raporti i tij… ?
Rexha: Unë s’kam pasë raporte, se s’po du me përmend emra, s’kam pasë raporte të këqija me askënd dhe s’kam pasur raporte të mira me askënd, domethënë se secili e ka kry detyrën e vet edhe kemi vazhdu.
Gazetarja: Zotin Nuredini në një deklaratë që e ka dhënë më pesëmbëdhjetë qershor dy mijë e njëzet e tre ka thënë, po e citoj: “Deklaroi se gjatë periudhës trevjeçare sa kanë pru dërrasa dhe piramida arkëtari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë më ka obliguar me rritje të faturave dhe paratë, të cilat m’i ka transferuar përmes bankës, më është dashtë t’ia çoj në shtëpi. Këtë e kam pas kushtëzim nga arkëtari zotëri Bahri Rexha, për shkak se ka tha: Nëse nuk më i rrit kështu, të ndërroj dhe marr dikë tjetër në Prishtinë për furnizim të gjitha këto fatura, pasi kam kontrolluar gjendjen e furnizimit për vitin 2020, 2021 dhe 2022 arrijnë vlerën dyzet mijë e pesëqind e dyzet e shtatë euro, me pretekstin se kemi shpenzime dhe më duhen paratë për ndihmë te zotëri Halil Ahmetit, po ashtu edhe për disa çështje të tjera të KBI Prishtinë.
Rexha: Mu po më çudit vetë fakti, domethënë nëse unë e kam bo një gjë të tillë, apo kupton se di sa unë kupton, po të ishte brenda për institucionin, hajde është forma e rregullt, ose menaxhimi i brendshëm. Ky pse? Nëse unë e kam bo kushtimisht.
Gazetarja: A e keni bo?
Rexha: Nëse po u them kushtimisht, pse s’më ka denoncu? Unë mendoj që jo veç kjo, por edhe shumë tjera janë bo vetëm për me ma humb imazhin tim, vetëm për me më humb imazhin tim.
Gazetarja: Çfarë përgjigje keni për këtë pretendim?
Rexha: Por, për këtë pretendim, vetëm me shkojmë me padi, për shpifje edhe për përlyerje të emrit.
Gazetarja: A ka kërkuar dikush prej juve që me i rritë, me i fry faturat në raport me këtë biznes?
Rexha: Asnjëherë.
Gazetarja: Kush është Halil Ahmeti?
Rexha: Është punëtor i këshillit.
Gazetarja: Me pretekstin se kemi shpenzime dhe duhen paratë për ndihmë të zotëri Ahmeti.
Rexha: Asnjëherë, asnjëherë! Jo, jo, hiç asnjëherë! Unë kam me kërku prej institucioneve drejtësisë për këtë çështje.
I kontaktuar përmes telefonit, Nuredini nuk ka dhënë arsye se nuk e ka raportuar rastin në BIK, Polici apo Prokurori.
Derisa, ka thënë se në njohuri për këtë ka qenë vetëm Rexha, pasi pranuesi i mallit nuk ka pasur qasje në faturat e fryra.
Faturat e fryra ai thotë t’i ketë bërë me shenjë për t’i identifikuar.
Nuredini: Qato fatura që i kom pas me ka një shenjë, që qato pare i kom pas te ai, i kom pas me njëfar sheje kështu pak, edhe e mbrrijnë qat vlerë.
Gazetarja: Ku ia keni dërgu paret ju?
Nuredini: Në shpi, zakonisht në shpi, e kom pas të imponume.
Nuredini: Pse ju nuk e keni njoftu Këshillin e Bashkësisë Islame?
Gazetarja: Ma së shumti qëtu është gabimi jem ma i madhi e din vetë kryetari e sekretari e krejt”.
Ndërsa, “Betimi për Drejtësi” ka tentuar të kontaktoj dhe me punëtorin e BIK, Halil Ahmeti, mirëpo nuk është përgjigjur.
Në rast se ky pretendim argumentohet, atëherë Rexha duhet të akuzohet për marrje ryshfeti, ndërsa Nuredini për dhënie ryshfeti.
