BETIMI PËR DREJTËSI

Ish-kryetari i Supremes për Birajn: Po të mos ishte prokuror, ai do të ishte menjëherë në paraburgim

Bazuar nga provat e siguruara, ish-kryetar i Gjykatës Supreme, tash profesor i fushës penale, Fejzullah Hasani ka thënë se ish-prokurori Biraj po të mos kishte qenë prokuror, sot do të ishte në paraburgim dhe jo në liri.

Video-incizimi i bërë nga Pulaj me prokurorin e rastit Biraj, nuk është dorëzuar nga ai në Polici apo Prokurori me qëllim të argumentit të kryerjes së veprës penale, marrje ryshfeti. Kjo video u gjet në telefonin e Pulajt me rastin e bastisjes së 4 shtatorit.

Megjithatë, Hasani thotë se kjo nuk e bën atë provë të pavlefshme pavarësisht qëllimit që mund të ketë pasur Pulaj.

“Shpeshherë ka një vlerësim të gabuar në opinion se nëse nuk i janë nënshtruar masave të fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit që kanë qenë, tash po i thotë ligji i ri hetim i veçantë thotë nuk e kanë fuqinë e provës. Çdo provë materiale që dëshmon veprën penale që e provon një fakt në procedurën penale është juridikisht valide”, ka shtuar ai.

Pulaj në një bisedë tjetër me ish të akuzuarin Osmani, i shënon për parat që i ka ofruar dhe kërkuar prokurori i rastit Biraj e që lidhet me bisedën në video ku e ka incizuar Shkodran Pulaj.

Derisa sipas raportit të ekspertizës së telefonit thuhet se Pulaj kishte komunikuar me ish- prokurorin Biraj kryesisht me zë, dhe janë disa shkrime që kërkon të takohen.

Në këtë pjesë të transkriptës përmendet dhe një numër telefoni që supozohet të jetë i Birajt.

Derisa më datë 31 mars 2023, kur edhe ish-prokurori Biraj ishte tërhequr nga aktakuza, Pulaj kishte komunikuar edhe me ish-kryeprokurorin e Prizrenit, Sylë Hoxha, tash avokat i njërit nga të akuzuarit.

Pulaj i ishte drejtuar Hoxhës duke i thënë se “dallaveret e juaja i laj unë tash Syl Hoxha”.

Shkrimi del t’i jetë dërguar Hoxhës pikërisht në numrin e telefonit që e ka të publikuar edhe në listën e avokatëve të Odës së Avokatëve të Kosovës, rreth dy orë pas përfundimit të seancës, kur Biraj ishte tërhequr nga aktakuza.

“Sylë Hoxha +38344******- Me datën 31/03/2023 11;22:37 (UTC+0) i shënon një mesazh personi Shkodran Pulaj ku i thotë se dallaveret e juaja i laj unë tash Syl Hoxha”, thuhet në raportin ekzaminues të telefonit.

Megjithëse po në numrin e njëjtë të telefonit që u kontaktua nga “Betimi për Drejtësi”, i kishte shkruar edhe Pulaj, Hoxha thotë se nuk e ka pranuar këtë mesazh.

Madje, thotë se komunikime me Pulajn ka pasur më shumë në kohën sa ka qenë prokuror dhe kryeprokuror, se sa tani si avokat.

Megjithëse mohon të jetë i përfshirë në këtë rast, ai thotë të jetë befasuar dhe vetë nga tërheqja e prokurorit Biraj nga aktakuza.