BETIMI PËR DREJTËSI

Doktoresha e “privilegjuar” në Prizren

Gjinekologia Daullxhiu intervenoi në lindjen e një pacienteje pa qenë staf i Spitalit të Prizrenit

Një rast jo fort i zakonshëm ka ndodhur në Spitalin e Përgjithshëm “Prim.Dr. Daut Mustafa”, në Prizren. Një doktoreshë pa qenë staf i spitalit ka hyrë dhe ka intervenuar në lindjen e një pacienteje.

Kjo ka bërë që spitali të marrë masa dhe rasti të shkojë deri në Prokurori.

Në natën e 15 dhjetorit të vitit 2023, rreth orës 22:45, doktoresha Teuta Daullxhiu, e cila punon në klinikë private, bashkë me një paciente të saj, e cila ishte në prag të lindjes, kishin shkuar në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit. Ndonëse spitali kishte dy gjinekologë kujdestarë, të cilët ishin përgjegjës për secilin pacientë dhe repartin, punën del ta ketë marrë në dorë doktoresha Daullxhiu. Ajo thuhet se ka hyrë në sallë dhe ka kryer lindjen e pacientes dhe kjo pa e pyetur askënd.

Këtë rast thuhet ta kenë raportuar vetë mjekët kujdestarë, gjinekologët Fisnik Sinani dhe Mentor Bojaxhiu.

“Po rasti natyrisht jemi të informuar nga ekipi kujdestar. Doktoresha në fjalë vjen pa lejen e askujt futet në sallën e lindjes dhe kryen lindje. Mjekët kujdestarë që kanë qenë atë natë, kanë rezistu me fjalë dhe na kanë informuar neve organet. Së pari më kanë informuar mua si shef i repartit, pastaj na e kemi proceduar rastin në drejtori”, thotë Shukri Lecaj, Shefi i repartit të Gjinekologjisë/obsterikë.

Pacientja, kishte kaluar procedurat e regjistrimit në spital. Ndërsa, të pranishëm në sallë, ishin edhe mjekët kujdestarë dhe mamitë.

“Po, po ka kaluar gjithsesi në libër të lindjes, me histori të gjitha ato procedura janë respektu nga ekipi kujdestar. Dy kujdestarë janë, janë mamitë, të cilët natyrisht kanë qenë prezentë në aktin e lindjes, kanë qenë prezent për hir të pacientit edhe të fëmijës”, shton Lecaj.

Më 18 dhjetor, ditë e hënë, shefi tjetër i repartit, Sebadin Gjini, çështjen e kishte raportuar në Këshillin e Spitalit.

Në informatën e parë, thuhej se “Dr.Teuta Daullxhiu kryen lindjen e pacientes A.R dhe të gjitha procedurat para dhe pas lindjes”.

“Shefi i Njësisë së Gjinekologjisë, na ka lajmëru që kështu, kështu ka ardhë doktoresha dhe ka kry një lindje në repart, menjëherë Këshilli Drejtues i Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit është mbledhur dhe i kam marrë të gjitha masat të cilat janë të nevojshme, domethënë përmes Zyrës Ligjore është procedurë landa në organet e drejtësisë. Po ashtu edhe mjekë të cilët kanë qenë kujdestarë atë natë, të cilët kanë qenë përgjegjës për atë natë për repartin e Gjinekologjisë edhe ata janë dërguar në Komision Disiplinor”, ka thënë drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm në Prizren, Narziqe Arenliu-Hoxhaj.

Doktoresha Daullxhiu, në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit kishte punuar nga viti 2004 deri në vitin 2022. Kjo sipas drejtoreshës së spitali, mund të jetë arsyeja se pse ajo ka mundur ta ketë më të lehtë futjen në sallën e spitalit.

“Gazetarja: A është kaq e lehtë që dikush që ndoshta s’është stafi i spitalit të hyjë dhe qoftë në reparte të ndryshme, në këtë rast që ka qenë gjinekologjia, me kry këso lloj intervenimi?

Drejtoresha: Jo, nuk është edhe dhe aq e lehtë pasi që ne e kemi sigurimin, po ashtu e kemi edhe kamerat, po të gjitha këto tash organet e drejtësisë, organet kompetente i kanë këto të gjitha të dhënunat, ndoshta ajo ka mujt me shfrytëzu, ka punu në spital, ndoshta atë e ka shfrytëzu qysh ka mujt me depërtu deri naltë tash merren organet gjegjëse për këto, për këtë rast”.

Drejtoresha thotë se ky rast është diskutuar edhe me sigurimin dhe stafin tjetër të spitalit.

Ndërsa, Lecaj, thotë se nuk e kanë sistemin e identifikimit të secilit person që futet në objektin e Spitalit.

“Jo, ky kordoni i sigurisë, kjo nuk është, se ka kalu ajo ka ardhe me pacient, nuk mund me i ditë me identifikim në Spital, nuk e kemi atë sistem na. Domethënë sikur ndoshta në ministri ose diku tjetër, të na pacienti vjen për me lindë. Po nuk e di.

Gazetarja: Po mjekët kujdestarë?

Lecaj: Mjekët kujdestar e kanë lajmëruar rastin”, ka thënë ai.


Kreu intervenim pa qenë staf i spitalit, gjinekologia mohon se hyri pa leje në sallë

Në Spitalin e Përgjithshëm “Prim.Dr. Daut Mustafa”, në Prizren, më 15 dhjetor 2023,  gjinekologia Teuta Daullxhiu e cila punon në sektorin privat, thuhet se pa qenë staf i spitalit ka hyrë dhe ka intervenuar në lindjen e një pacienteje.

Për rastin është njoftuar menjëherë edhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK).

“Drejtoria e Përgjithshme e ShSKUK-së, është njoftuar lidhur me rastin. Ka kërkuar që të ndërmerren hapat e nevojshme ligjore”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së, për “Betimi për Drejtësi”.

Drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm në Prizren, Narziqe Arenliu-Hoxhaj, thotë se ShSKUK-në e kanë njoftuar përmes me telefon atë ditë.

“Edhe vetëm drejtori më ka thënë: A i keni marrë të gjitha masat, të cilat tash po të gjitha bile ndërkohë e kemi njoftu menjëherë edhe drejtorin. Në atë periudhë domethënë kur u mbajt Këshilli Drejtues”, ka thënë Arenliu-Hoxhaj

Por, për rastin nuk ishin të informuar edhe Oda e Mjekëve të Kosovës. Kjo Odë u njoftua vetëm pas interesimit të “Betimit për Drejtësi”.

Megjithatë, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiut thotë se masa ndaj mjekes mund të marrin vetëm menaxhmenti i spitalit, por jo edhe ata si Odë.

“Po rastin e kemi identifikuar nga ana e juaj, nuk kemi qenë të informuar dhe e kemi verifikuar në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, të cilët e kanë konfirmuar që është e vërtetë që doktoresha në fjalë ka kryer intervenim, qoftë lindje apo operim por ka kryer intervenim në kuadër të Spitalit të Prizrenit pa qenë e punësuar”, ka thënë ai.

Sejdiu thotë se fillimisht kanë bërë verifikimin nëse doktoresha Dullxhiua ka licencë valide në territorin e Kosovës.

“Ajo i ka të gjitha lejet e punës, apo kualifikimet, dokumentet e nevojshme që i takojnë një mjeku që mundet me ushtru profesionin në nivel të Kosovës. Se a ka pas të drejtë a jo, këto janë dokumente të brendshëm, rregullore të institucioneve shëndetësore qoftë ato private, qoftë publike. Normal, nëse nuk ka kontratë dhe nuk ka leje të veçantë për ndërhyrje të tilla apo zhvillimin e aktivitetit brenda spitalit qoftë privat apo publik atëherë ajo është përgjegjësi ma shumë e menaxhmentit për lejen e dhanë apo lejimin qoftë edhe në heshtje në intervenimin e tij”, ka shtuar ai.

Ndryshe nga Spitali, i cili hyrjen e doktoreshës në sallë e konsideron arbitrare dhe pa leje, version tjetër jep doktoresha Daullxhiu, në bisedën e zhvilluar me ekipin hulumtues  të “Betimi për Drejtësi”.

“Jo unë nuk e kam kry lindjen në Spitalin e Prizrenit, në Spital të Prizrenit, ka gjithmonë dy mjekë kujdestarë, pacienten e kam pas paciente të rregullt edhe ajo ka ardhë, ka ardhë në ordinancën time me dhimbje. Pacientja fillimisht ka dashtë me lindë në Spital Privat, por nuk i premtojke, ishte shumë urgjent a din, pacientja ka dashtë me kry lindjen, ishte lindja e tretë dhe meqenëse ishte duke shterrëzu, vendimi i tyre ishte që me lindë në Spital dhe i thash okej mundeni me shku. Te lutëm doktoreshe mos na le, se shterrezojke, ata kanë ardhë prej një fshati që ishte afër Brezovicës që kishte shumë borë”, ka thënë gjinekologia Teuta Daullxhiu.

Daullxhiu thotë se ka ordinancën në Prizren, dhe se pacientja fillimisht kishte shkuar në ordinancë të saj.

“ Ka ardhë pacientja nuk e ka pasë asnjë problem shëndetësor, ka qenë shtatzënia  e tretë, shumë normale, shumë e rregullt. Kanë qenë mjeket kujdestarë si zakonisht, jam lajmërua të njëri të cilin e kam gjete… dhe e kanë kap dhimbjet e mëdha, lindja e tretëshkon lindja shumë shkurt, procedura është shumë me e shkurt se të lindja e parë edhe se të një lindje e dytë, d.m.th. lindja e tretë. Edhe kemi shku në Spital, ka qenë doktor Fisniku kujdestar, jam lajmërua të doktor Fisniku edhe se bashku, unë kam qenë vetëm si përcjellëse”, ka shtuar ajo.

Sipas doktoreshës, ajo ka marrë leje nga mjeku kujdestar për të hyrë në sallë dhe as nuk ishte diskutuar, nëse ajo duhej apo jo të qëndronte.


Masë disiplinore ndaj dy mjekëve që lejuan gjinekologen të kryejë intervenim pa qenë staf

Gjinekologia Teuta Daullxhiu, në natën e 15 dhjetorit 2023, nga klinika private kishte shkuar bashkë me një paciente që ishte në prag të lindjes, në Spitalin e Përgjithshëm “Prim.Dr. Daut Mustafa”, në Prizren. Daullxhiu pa qenë staf i spitalit, thuhet se kishte hyrë në sallë dhe kishte marrë përsipër të intervenoj në lindjen e pacientes.

Këtë rast, e kishin raportuar dy mjekët kujdestarë Fisnik Sinani dhe Mentor Bojaxhiu.

Ndonëse gjinekologia thotë se ishte futur në sallë me leje vetëm si përcjellëse dhe nuk kishte asnjë problem, por për dy doktorët kujdestarë lejimi i doktoreshës në sallën e lindjes u bë problem.

Kjo pasi, Komisioni Disiplinor i spitalit, u ka shqiptuar masë disiplinore.

“Komisioni Disiplinor ka vendosur tre muaj të shkurtohet tridhjetë përqind e pagës të këtyre mjekëve të cilët kanë qenë kujdestarë atë natë dhe ta presim na domethënë edhe vendimin e organeve të drejtësisë”, thotë Drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm në Prizren, Narziqe Arenliu-Hoxhaj.

Në vendimin e komisionit disiplinor, thuhet se “Dr.Teuta Daullxhiu, mjeke gjinekologe, e cila nuk është e punësuar në sektorin publik më datën 15.12.2023, në ora 20:45 ka sjellur pacienten për të kryer lindjen në Spitalin e Prizrenit nga ordinanca private dhe në mënyrë të kundërligjshme dhe vulgare pa aprovimin e ekipes kujdestare ka kryer lindjen në sallë”.

Tutje, thuhet se “të gjithë të paraqiturit; Dr.Fisnik Sinani, Dr.Mentor Bojaxhiu, dhe dëshmitarët mami Blerina Capo, mami Arta Thaqi, motra medicinale Selvete Krasniqi, motra Miradije Halili, të cilët ishin dëshmitar okluarë dhe kanë shpjeguar në mënyrë të detajuar se si ka ndodhur ngjarja”.

Sipas vendimit, dy mjekët kujdestarë, janë fajtorë sepse kanë lejuar hyrjen në sallë të mjekës dhe të kryejë aktin e lindjes së pacientes. Dy mjekëve iu është kërkuar që në të ardhmen të jenë me të përkushtuar në kryerjen e detyrave të punës, të respektojnë hierarkinë e spitalit dhe mos të pranojnë persona të paautorizuar.

Në konstatimin e komisionit thuhet se dy gjinekologët, nuk kishin ndonjë motiv të caktuar por mosveprimet e tyre kanë treguar neglizhencë ndaj punës.

Si rrethane lehtësuese për ta është marrë fakti se ata kanë lajmëruar shefin e repartit.

“Atë natë, menjëherë. Gjithmonë brenda asaj periudhe, gjersa Teuta ka qenë këtu, jam informu që ka ardhë doktoresha, një person ose doktoresha në lindje që nuk i takon me ardhë”, ka thënë Shefi i repartit të gjinekologjisë, Shukri Lecaj.

“Gazetarja: Kanë tentuar mjekët kujdestarë me i thanë që nuk lejohet që ti me e kry lindjen…?

Lecaj: Po natyrisht që i kanë thënë, sigurt jam që i kanë thënë doktoreshë nuk lejohet, gjithsesi i kanë thënë”.


Doktoresha Daullxhiu thotë se iu lejua futja në sallë të lindjes, mjeku kujdestar e mohon

Më 15 dhjetorit 2023, rreth orës 22:45, doktoresha Teuta Daullxhiu, e cila punon në klinikë private, bashkë me një paciente të saj, e cila ishte në prag të lindjes, kishin shkuar në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit.

 Ndonëse spitali kishte dy gjinekologë kujdestarë, të cilët ishin përgjegjës për secilin pacient dhe repartin, Daullxhiu thuhet se ka hyrë në sallë dhe ka kryer lindjen e pacientes dhe kjo pa e pyetur askënd.

Në anën tjetër, doktoresha mohon të ketë ndodhur një gjë e tillë teksa insiston se ishte vetëm përcjellëse e pacientes.

“Daullxhiu: Jo nuk është e vërtetë, unë se bashku me doktorin kujdestar kemi shku në sallë..

Gazetarja: Me cilin doktor?

Daullxhiu: Me doktor Fisnikun.

Gazetarja: Fisniku iu ka jep leje që me qëndru aty apo?

Daullxhiu: Po me ka dhanë leje… askush nuk me ka thanë asgjë besomë, unë jam mjeke që kam punu 30 vjet në atë Spital.

Gazetarja: Po por..

Daullxhiu: Nuk vërejtëm diçka kemi shku në cilësinë e përcjellësit dhe kam qenë prezentë në lindje…

Madje, doktoresha Daullxhiu pretendon që gjatë procesit të lindjes, kishin pirë kafe me dr. Fisnikun.

“Unë nuk kam pas kurrgjë, kurrfarë konflikti, bile deri sa kemi pritur lindjen, kemi pirë kafe se bashku me doktor Fisin dhe dy motrat aty. Kemi pirë kafe, kemi bërë llafe deri sa kemi pritë lindjen, normalisht lindja ka qenë shumë shpejt”, ka thënë ajo,

Edhe pse nuk dëshiron të prononcohet, doktor Fisniku mohon të ketë lejuar doktoreshën Teuta në sallë.

“Gazetarja: Sa është e vërtetë që është leju?

Dr. Fisniku: Jo.

Gazetarja: S’është leju?

Dr.Fisniku: Ncuk

Gazetarja: Në asnjë moment?

Dr.Fisniku: Ncuk, nga ana e jeme jo.

Gazetarja: A keni tentu me i thanë largohuni prej salle sepse s’lejohet.

(Babai i dr.Fisnik Sinani): Normal që po, po shko në drejtori janë deklarata.

Dr. Fisniku: Shko në drejtori…

Gazetarja: Herëve tjera, sa u kanë problem me e nxjerrë ata prej sallës…

Dr: Fisniku: Nuk e di unë jam që një vjet këtu, rasti i parë që me ka ndodhë.

Gazetarja: Rasti i parë që ka ndodhë… Faleminderit.

Dr. Fisniku: I ke deklaratat në drejtori.”

Për rastin, refuzon të flasë edhe mjeku tjetër kujdestar, Mentor Bojaxhiu. Edhe ai ka thënë se për çdo gjë të drejtohemi në drejtori, teksa ka refuzuar të komentojë masën disiplinore ndaj tij.


Daullxhiu thotë se i lejohej të ishte përcjellëse e pacientes, nga Oda e Mjekëve e thonë të kundërtën

Gjinekologia Teuta Daullxhiu, thotë se ishte vetëm përcjellëse e pacientes, në rastin ku thuhet se më 15 dhjetor 2023, nga klinika private bashkë me një paciente ka shkuar në Spitalin e Përgjithshëm “Prim.Dr. Daut Mustafa”, në Prizren dhe pa qenë staf i spitalit ka hyrë dhe intervenuar në lindjen e saj.

Sipas Daullxhiut, asaj i lejohej të ishte përcjellëse e pacientes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gazetarja: A ish dashtë ju me marrë autorizim paraprakisht që me u futë në sallë bashkë më pacienten dhe me asisitu në lindje të saj?

Daullxhiu: Pacientja sipas rregulloreve të Spitalit dhe ligjeve në fuqi ka të drejtë me zgjedhe përcjellësin, unë kam qenë në cilësinë e përcjellëses.

“Çdo korridor i spitalit, çdo dhomë më fal, çdo dhomë e Spitalit, ekziston rregullorja që pacientja e ka të drejtën me përzgjedhë përcjellësin. Zakonisht gjithmonë insistojnë, lypet që më marrë pjesë bashkëshorti, nëse bashkëshorti nuk është aty atëherë pacienti e zgjedhe”, thotë ajo.

Gazetarja: Ka qenë bashkëshorti në këtë rast?

Daullxhiu: Ka qenë bashkëshorti, po nuk është futë brenda..

Doktor Pleurat Sejdiu, nga Oda e Mjekëve sqaron se përveç bashkëshortit askush tjetër nuk mund të shoqërojë pacienten në procesin e lindjes.

“Po flas unë prej praktikave normale që përveç baba në këtë rast, i fëmijës apo bashkëshorti tjetër kush nuk ka praktika që ka marrë pjesë apo merr pjesë apo ka drejtë me automatizëm të merr pjesë në lindje, sepse ajo është parimi bazë dhe në ligjet, proceset e lindjes mund me marrë pjese vetëm babai, nëse nuk ka një leje të veçantë nga autoritetet për shkak të ndonjë nevojë shtesë të pacientit”, ka thënë ai.

Gazetarja: Nëse pacientja kërkon, të them që unë dua ta kem këtë person afër, edhe në këtë rast doktoresha ka mujt ndoshta të marrë leje nga  mjeku kujdestar aty, lejohet në raste apo duhet leje e veçanta me shkrim që ajo të jetë prezente?

Sejdiu: Normal do të duhej menaxhmenti të mirret, por nëse mjeku kujdestar ka marrë përgjegjësi mbi vete që të bën një gjë të tillë dhe ka lejua, ok, doktoresha është në rregull, porse tash mjeku kujdestar, a e ka shkelë rregullin e brendshëm në shtëpi apo jo? Unë besoj që ato duhet t’ua japë përgjigjen vetë menaxhmenti spitalit.


Aktivizohet Prokuroria, autorizon Policinë të mbledhë prova në rastin e intervenimit të doktoreshës pa qenë staf i Spitalit

Teuta Daullxhiu, doktoreshë në klinike private, raportohet të ketë intervenuar në lindjen e një pacienteje pa qenë staf i Spitalit të Përgjithshëm “Prim.Dr. Daut Mustafa”, në Prizren, në natën e 15 dhjetorit 2023. Ndonëse, spitali kishte dy mjekë përgjegjës kujdestarë për repartin.

E mira e gjithë kësaj ngjarje, është se edhe nëna dhe foshnja janë mirë, por kush do merrte përgjegj0ësinë nëse diçka nuk do shkonte siç duhet?

“Po, sigurisht që do të marrin përgjegjësinë mjekët, të cilët kanë qenë atë natë kujdestarë, që kanë qenë kujdestarë që është dashtë ata me e kry rastin”, thotë Narziqe Arenliuu-Hoxhaj, Drejtoreshë e Spitalit të Përgjithshëm në Prizren

“Po të ndodhte ajo doktoresha do të përgjigjej për shkelje profesionale, nëse do të shkonte keq, kurse me siguri ata që e kanë lejuar një gjë të tillë me siguri që do t’i priste burgu”, thotë në anën tjetër Pleurat Sejdiu, Kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës.

Se a do e pret burgu ndokënd për këtë rast, do i mbetet organeve të drejtësisë, pasi Zyra Ligjore e Spitalit, ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, për doktoreshën Teuta Daullxhiu.

Kallëzimi penal, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, është ngritur në drejtim të veprës penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, nga neni 256 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Fillimisht, rasti ishte në Departamentin e Përgjithshëm, ndërsa tani ka kaluar në Departamentin për Krime të Rënda.

Sipas informatave nga Prokuroria, më 1 shkurt 2024, ka autorizuar Policinë e Kosovës, përkatësisht Krimet Ekonomike, për të mbledhur informata e nevojshme dhe me pas do vendosin se në drejtim të çfarë vepre penale do të hetohet ky rast. Sipas prokurorisë, ata do hetojnë edhe në drejtim të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga ana e mjekëve.

Autorizimin nga ana e Prokurorisë e ka konfirmuar edhe Polica e Kosovës që ka marrë autorizimet më 2 shkurt 2024.

Doktoresha Daullxhiu, thotë se ende nuk është intervistuar për rastin.

“Jo ende, jo nuk jam njoftu për atë. Kam dëgju që është një procedurë por ende nuk jam njoftuar”, ka thënë ajo.

Nga Spitali thonë kjo të ketë qenë hera e parë dhe e vetme që një person të ketë hyrë nga jashtë dhe të ketë kryer lindjen në këtë institucion publik pa qenë punëtor i saj.

“Unë është hera e parë që e kam dëgju në gati një vit e gjysmë jam në këtë spital, në një periudhë isha edhe në ShSKUK-së ushtrues detyre drejtoreshës, për atë periudhë sa jam këtu, unë asnjëherë nuk kam qenë i informuar që doktoresha apo edhe dikush tjetër ka hy apo ka kry ndonjë intervenim në spitalin e Prizrenit që s’ka qenë i autorizum ose i autorizume dhe nuk besoj që ka pas deri tash. Nëse po t’i kish pas, në momentin që i kishim marrë vesh, na e kishim proceduar”, ka thënë drejtoresha e Spitalit.

“Asnjëherë, asnjëherë. asnjëherë kurrë s’kanë ndodhë”, ka thënë gjithashtu shefi i repartit të gjinekologjisë/obstetrikë, Shukri Lecaj.

Doktor Pleurat Sejdiu nga Oda e Mjekeve, thotë se një rast i tillë raportohet për herë të parë.

“Sejdiu: Nuk guxoj me thanë që është i paprecedent sepse ka mund të ndodhë.

Gazetarja: Me aq sa është raportuar.

Sejdiu: Por kjo është e paprecedent deri me tani me rastin që është raportuar edhe nuk është mirë, sepse rregullat, ligjet në fuqi i dashtë, ne apo nuk i dashtëm nuk e lejojnë një gjë të tillë edhe do duhej të respektohej”.

Këso situate shefi i repartit thotë mos ta kenë paraparë as rregulloret.

“Po nuk kanë nuk shkruan në rregullore kurrgjë. Ne e kemi studiu rregulloren për kësi veprime dhe rregullorja s’e ka parapa që mund ndokush me ardhë. Rregullorja e punës ose shkelja e rregullores së punës ose ligjit, nuk e ka prapa”, ka thënë ai.

Sipas Sejdiut, jodomosdoshmërish duhet të jetë e shkruar, për ta ditur se kjo nuk lejohet.

“Nuk e di që ka rregullore që ndalon apo që do duhej të ndalonte, po është vetë e kuptueshme kontrata me institucione me ushtrimin e profesionit aty, nëse nuk e ki kontratën, nuk ki qasje. Në televizionin tuaj nuk mundet me ardhe me xhiru nëse nuk e ka kontratën me menaxhmentin e juaj, është shumë logjike. Kjo mund të plotësohet ndonjë rregullore por se unë mendoj së është e vetë kuptueshme”, ka thënë ai.


Doktoresha pretendon se nuk e dinte që po bisedonte me gazetarë, ndonëse ekipi i “Betimi për Drejtësi” prezantohet qysh në fillim

Ekipi i “Betimi për Drejtësi”, ka shkuar në kliniken e gjinekologes Teuta Daullxhiu, e cila nga Spitali i Përgjithshëm “Prim.Dr. Daut Mustafa”, në Prizren u raportua se në natën e 15 dhjetorit 2023, ka shkuar në spital bashkë me një paciente që e ka sjellë nga klinika private dhe në mënyre arbitrare ka intervenuar në lindjen e pacientes.

Doktoresha ka mohuar të jetë futur në sallë pa leje duke thënë se vetëm ishte përcjellëse e pacientes.

Pas bisedës me doktoreshën, ajo është pyetur nëse është e gatshme që të gjitha ato t’i thotë përmes intervistës. Por doktoresha nuk ka pranuar. Pasi kupton se e njëjta po xhirohej, ajo hedh pretendime se nuk e dinte se ishim gazetarë, ndonëse ekipi prezantohet qysh në fillim.

Gazetarja: Doktoreshë,  unë jam Albijona Hoxhaj, gazetare prej “Betimi për Drejtësi”.

Daullxhiu: Po.

Gazetarja: Deshta me bisedu në lidhje me rastin që ka ndodhë në Spitalin e Prizrenit.

Daullxhiu: Aha.

Gazetarja: D.m.th, që keni kryer lindjen e një pacientes.

Daullxhiu: Aha.

Gazetarja: E pashë që ky rast është raportu në organet kompetente, deshta me marrë edhe versionin e juaj qysh ka ndodhë edhe në bazë të cilës rregullore apo autorizimi keni hy edhe keni kry lindjen në Spitalin e Prizrenit?

Përkundër kësaj, në fund të bisedës ajo thotë se nuk e dinte që po bisedonte me gazetarë.

Daullxhiu: Jo, ju me thatë që jeni prej “Betimit për Drejtësi”, nuk thatë që jeni gazetare. Unë “Betimin për Drejtësi” e lexoj çdo ditë…

Gazetarja: E kush punon në “Betimi për Drejtësi? Gazetarë po besoj!

Daullxhiu: Jo unë tash nuk e di kush punon mundeni me qenë edhe gjykatës edhe prokurorë…

Doktoresha insistonte se nuk e dinte se jemi gazetarë, ndonëse gjatë gjithë bisedës nuk e kishte shprehur këtë dyshim.

Daullxhiu:…Nuk me keni thanë që jeni gazetare..

Gazetarja: Nëse ju keni konisderu që ne jemi prokurorë atëherë besoj ish dashtë me na pyet “a jemi prokurore?”.

 “Betimi për Drejtësi”, i ka shkruar serish doktoreshës nëse ka interes të flas me kamerë për këtë teme, por ajo nuk ka kthyer përgjigje.


Pas interesimit të “Betimi për Drejtësi”, aktivizohet Inspektorati për rastin e doktoreshës Daullxhiu

 

Për rastin e ndodhur në Spitalin i Përgjithshëm “Prim.Dr. Daut Mustafa”, në Prizren, ku gjinekologia Teuta Daullxhiu, thuhet se me 15 dhjetorit 2023, ka shkuar në spital bashkë me një paciente që e ka sjellë nga klinika private dhe ka intervenuar në lindjen e pacientes, pa qenë staf i spitalit, nuk ishte i njoftuar edhe Inspektorati Shëndetësor.

Doktor Pleurat Sejdiu, Kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës, thotë se për rastin do duhej të njoftohej Inspektorati.

“Nuk kemi informata por unë besoj që do duhej, është Inspektorati Shëndetësor ai që mbikëqyr zbatimin e ligjeve në Kosovë, sa i përket shëndetësisë por edhe rregulloreve të brendshme të institucioneve shëndetësore qoftë publike, qoftë private”, ka thënë ai.

Një përgjigje me shkrim të Inspektoratit më 13 shkurt 2024, thuhet se nuk ishin të informuar për rastin dhe se ditëve në vazhdim do kryejnë inspektim në Spitali e Përgjithshëm të Prizrenit.

“Betimi për Drejtësi”, përmes burimeve, ka kuptuar se doktoresha Teuta Daullxhiu, gjatë kohës sa ka punuar në Spitali e Përgjithshëm të Prizrenit ka marrë disa herë vërejtje me shkrim, për shkelje të ndryshëm. Por, më arsyetimin se rasti është në hetime, Spitali i Përgjithshëm në Prizren ka refuzuar të na ofrojë informacion dhe dokumentet për këtë raste.

Ndërsa, rasti i fundit,  do mbetët të hetohet nga prokuroria që të zbardhet se si ka ndodhur dhe kush duhet të mbahet përgjegjës.

Rasti, është parë shqetësues edhe për drejtoreshën e Narziqe Arenliu-Hoxhaj.

“Po sigurisht që është shqetësuese, mos të kish qenë shqetësuese, ne nuk do t’i kishim marrë këto masa, se nuk është në rregull kështu diçka me ndodhë dhe ne nuk e lejojmë asnjëherë në spitalin. Në spital kur jam më udhëheqëse nuk lejoj kështu diçka me ndodhë, pa marrë parasysh kushdo ose cilido që është”, ka thënë ajo.