BETIMI PËR DREJTËSI

Çka fliste Pulaj për prokurorët Musli Gashi, Ervehe Gashi dhe Shpend Binaj?

Në anën tjetër, Shkodran Pulaj fliste edhe direkt me prokurorë. Në një tjetër bisedë, ai del të ketë komunikuar me prokurorin e Departamentit të Përgjithshëm të Themelores në Prizren, Musli Gashi.

Në bisedën e parë ai flet direkt me të, ndërsa në rastin e dytë Pulaj diskuton me një palë tjetër për prokurorin.

“Bisedë me një person me emrin Musli (sipas fotos është Prokurori Musli Gashi) të cilit i thotë Shkodrani se a je takuar me at, kërkon që të vie dhe të flasin”.

“Bisedon me një person që e ka të regjistruar Arber Shoqi, i thotë se nuk i është lajmëruar. I kan hy një pune dhe nuk më lajmërove, personi ka qenë aty po ju ku keni dhe ia ka dërguar bisedën që ka zhvilluar me Prokurorin Musli Gashi”, thuhet në raport.

Raporti nuk jep sqarime të tjera se për cilin rast kanë komunikuar treshja.

“Betimi për Drejtësi” ka kërkuar për këtë sqarime nga prokurori Gashi, i cili fillimisht ka mohuar komunikimet me Pulajn e më pas kur është pyetur se çfarë komunikime ka pasur me të ka kërkuar që të kontaktohet zëdhënësi i Prokurorisë.

“Gazetarja: Jam Alberta Hashani gazetare e emisionit “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Gashi: Përmes zëdhënësit.

Gazetarja: Vetëm desha shkurtimisht të lutem për rastin e Shkodran Pulajt.

Prokurori Gashi: Hiç kurgjo nuk ka nevojë, jemi për seancë.

Gazetarja: Keni pas komunikime me të?

Prokurori Gashi: Jo.

Gazetarja: Në çfarë relacioni keni pas komunikime me të?

Prokurori Gashi: Hiç, përmes zëdhënësit”.

Ndikimi i Pulajt nuk përfundon me kaq.

Ai flet edhe me palë të tjera për të ushtruar ndikim tek prokurorët Ervehe Gashi dhe Shpend Bina.

Më 17 gusht 2020, ai del të ketë biseduar me një person për t’i ndihmuar lidhur me një rast që e ka prokurorja Gashi.

Nga përshkrimi nuk dihet nëse Pulaj ka folur në realitet me Gashin.

Prokurorja e pyetur ka mohuar komunikimet më të, duke thënë se po të kishte tentuar do ta raportonte si rast.

“Gazetarja: Desha me e ditë në qoftë se i njëjti ka tentuar të paktën me bisedu me juve për ndonjë rast që ju keni qenë prokurore e rastit?

Prokurorja Ervehe Gashi: Jo, jo, jo. Kurrfarë lidhje nuk kam unë me Shkodran Pulaj.

Gazetarja: A ka tentuar në ndonjë formë përmes ndonjë pale tjetër ose ai direkt me bisedu me juve në vitin 2020

Prokurorja Ervehe Gashi: Jo, jo, jo.

Gazetarja: Keni pas informacione nëse i njëjti ka tentuar të paktën me shfrytëzu emrin e tuaj që ju njeh edhe mundet me kry punë?

Prokurorja Ervehe Gashi: Jo, unë e kisha lajmru, po të kisha pas një informacion të tillë, unë e kisha lajmru në kohë. Lidhje s’kom me këtë punë, as s’kom ndonjë far po mendoj ndonjë që m’ka ardh. Pos që kemi porosit kafe ndonjë herë prej lokalit të Kosovës, se kurrgjë jo.

Gazetarja: Faleminderit shumë.

Prokurorja Ervehe Gashi: Jo, me ndër qofsh. Edhe po me befason a për herë të parë po ndij. Bash jam kureshtare me pa çka ka thanë dhe me shiku se cila landë është”.

Ndërsa me prokurorin Bina, sipas bisedave, Pulaj thotë poashtu të ketë ndikuar në ndërprerjen e paraburgimit të një personi.

“+38349******- 17/06/2023-10:23:42 (UTC+0) Personi O S I shënon se sa je në lokal po vi për me bisedu, në ora 11:50, personi Shkodran i shënon Shpend Bina e ka, e njofton se e ka dërgu dike 90 përqind ja ndërpren kur të kalon 48, biseda vazhdon për disa dit, në një mesazh shënon emir Is Buzhala, personi Shkodran Pulaj i thot që ta merr at dhe të vjen ta siguron punën mirë le ti merr po ashtu edhe 600-700 euro se duhet me ja dhan para se me shku në pun ai. Disa herë ja pohon se është në komunikim dhe do ta bënë kërkesën për ndërrim të masës dhe të ia cakton masën e paraqitjes në stacion policor. Me datën 28/07/2023, 12:49:34 (UTC+0) e njofton se e ka dërguar edhe aktakuzën edhe me ja ndërpre masën”, thuhet në raportin e ekzaminimit.

Por, Bina nuk ka dashur as të dëgjojë se për çka është biseduar për të.

“Gazetarja: Në një transkript që është nxjerr prej ekzaminimeve të telefonit të Shkodran Pulajt, ai flet në një rast me disa palë të treta lidhur me rastet që janë në procedurë me juve?”.

Lavdim Makshana nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se Prokurori i Shtetit ka kompetencë t’i hetojë bisedat e Pulajt nëse të njëjtat përbëjnë vepër penale.

“Sipas Kodit të Procedurës Penale, Prokurori i Shtetit i ka të gjitha autorizimet për të hetuar nëse të gjitha këto biseda kanë ndodhur dhe nëse ka elemente të veprave penale dhe po ashtu të hetojë edhe më tutje nëse i akuzuari Pulaj ka ndikuar tek të gjithë këta persona apo ka tentuar në ndonjë formë të ndikojë tek ta. Gjithashtu, në ato raste ku nuk ka elemente të veprave penale atëherë i mbetet autoriteteve kompetente të vlerësojnë nëse bisedat e tilla hyjnë tek shkelje disiplinore dhe të iniciojnë procedurat disiplinore tek Këshillat Përkatës në pajtim me Ligjin për Përgjegjsinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”, ka sqaruar Makshana.

Për këtë, “Betimi për Drejtësi” ka kërkuar informacione nga prokurorja e rastit, Ariana Shajkovci.

“Gazetarja: Vetëm desha shkurtimisht prokurore me e ditë nëse marrë prej Policisë së Kosovës pjesën e dytë të rastit që ka të bëjë me bisedat e tjera që janë nxjerr prej telefonit të Shkodranit me gjyqtarë e prokurorë të tjerë?

Prokurorja Shajkovci: A kishit pas mundësi me ju adresu zyrës për informim ju lutem?

Gazetarja: Patjetër që po, vetëm desha me e marrë një konfirmim prej juve direkt nëse keni ndërmarrë ndonjë veprim hetimor deri tash dhe jeni prokurore.

Prokurorja Shakovci: Përmes zyrës për informim”.

Përmes postës elektronike, Prokuroria ka konfirmuar bisedat, por pa dhënë më shumë detaje.

“Vlen të theksohet se nga ekzaminimi i pajisjeve elektronike të siguruara nga ekspertiza telefonike nga Drejtoria e Teknikës Kriminalistike – Sektori për Fotografi, Video Analizë dhe Ekzaminime të TI-së, Njësia për Ekzaminimin e Pajisjeve të Teknologjisë së Informacionit në Prishtinë, ka rezultuar edhe me disa të gjetura, ku i pandehuri Sh.P., dyshohet se ka zhvilluar komunikime telefonike me persona të ndryshëm, ku përmenden nga ky i dyshuar edhe emra të zyrtarëve ligj zbatues, mirëpo marrë parasysh vëllimin e madh dhe ndjeshmërinë që përmban dosja forenzike, edhe përkundër përkushtimit maksimal, ende prokuroria nuk ka arritur në përfundimin e raportit në fjalë. Vlerësojmë që në ditët në vijim do të kemi rezultate konkrete të të gjitha ekzaminimeve dhe sa më shpejt të jetë e mundur prokuroria do të ndërmarrë veprime aty ka kompetencë lëndore, ndërsa aty ku mungon kompetenca (nëse rezulton me të gjetura) do të adresohen të njëjtat tek institucionet kompetente”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

Lidhur me shkeljet disiplinore të mundshme apo penale, “Betimi për Drejtësi” ka kërkuar përgjigje edhe nga i pari i Prokurorisë së Prizrenit, Admir Shala, i cili se ende nuk ka ndërmarrë deri tani asnjë veprim dhe është në pritje të raportit të prokurores Shajkovci.

“Lidhur me pyetjet e juaja, mund të iu njoftoj se unë kam mësuar se nga ekspertiza e telefonit të të dyshuarit janë zbuluar komunikime të të dyshuarit me persona të tretë, ku gjatë këtyre komunikimeve janë përfolur emra të zyrtarëve, mirëpo në bazë të informatave që i posedoj nuk bëhet fjalë për komunikim direkt të të dyshuarit me prokuroret apo gjyqtarët por ka të bëjë me biseda të ndryshme të të dyshuarit me persona të ndryshëm dhe gjatë atyre bisedave janë përfolur emrat e prokuroreve dhe gjyqtarëve. Unë si kryeprokuror jam në pritje të raportit përfundimtar të prokurores së rastit lidhur me të gjitha komunikimet ku janë përmendur emrat e zyrtarëve dhe pas kësaj do të analizohen komunikimet dhe në rast se vlerësohet se ka dyshim të arsyeshëm për elemente të ndonjë vepre penale apo veprime inkriminuese, atëherë do të veprohet sipas dispozitave ligjore në fuqi”, ka thënë Admir SHALA, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren.