“Betimi për Drejtësi” ju sjell hulumtimin se si kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Armend Berisha, mbylli hetimet disiplinore ndaj gjykatëses Nushe Kuka-Mekaj, e cila doli në vendngjarje në rastin ku të përfshirë ishin familjarët e saj.
Pse kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë e mbajti të fshehur vendimin për mbylljen e hetimeve disiplinore ndaj gjykatëses?
Çfarë rezultati nxori hetimi disiplinor ndaj gjykatëses Kuka-Mekaj?
Çka thotë hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala, për këtë rast?
Çfarë thotë i dëmtuari në rastin që dyshohet për tentim vrasje ku të përfshirë ishin familjarët e gjyqtares?
Pse s’është pjesë e hetimeve edhe Shqipron Kuka?
Policia nuk e përfshiu në rast djalin e vëllait të gjyqtares, i dëmtuari thotë se ishte i kërcënuar me vrasje
Nata e 10 dhjetorit të vitit të kaluar mund të ishte fatale për një djalë të ri nga Peja, të cilin dyshohet se deshën ta vrisnin duke menduar se ishte Fitim Smajli.
Edhe pse në drejtim të veturës së tij u shkrepën 8 plumba, ai nuk u prek nga asnjë prej tyre. Përveç dëmeve në veturë, punëtori i Fitimit shpëtoi pa asnjë therrë në këmbë.
Ata që gjuajtën në drejtim të tij, dyshohet të jenë dy të rinj dhe një i mitur, djemtë e djalit të vëllait të gjyqtares Nushe Kuka – Mekaj. Të dy një herë u arratisën, më pas u vetëdorëzuan në Polici.
I dëmtuari në këtë rast, Fitim Smajli, i cili pretendon se u kërcënua për vrasje nga Shqipëron Kuka, djali i vëllait të gjyqtares Nushe Kuka – Mekaj, para se të ndodhte tentim-vrasja, ishte në Polici për të raportuar veprën e parë – kërcënimin, deri sa u njoftua se ndodhi e dyta.
Por, Policia në Pejë nuk e përfshiu fare në rast Shqipëron Kukën, të dyshuar si nxitës ose bashkëkryes në tentim vrasje. Për më tepër rastin e kanosjes ndaj tij e kanë hapur disa ditë më vonë.
Vetë gjyqtarja Nushe Kuka – Mekaj, doli në vend të ngjarjes para prokurores së rastit, në ora 2 e 15 të natës, ani pse nuk ishte në detyrë dhe një rrethanë ligjore nuk ja kërkonte prezencën aty.
Prokurorja e rastit Lumturije Vuçeta, e cila u njoftua nga policët për këtë rast pasi ishte bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes, ka njoftuar Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Pejë për prezencën e gjyqtares në vend të ngjarjes. Kryeprokurori Agim Kurmehaj, përmes një shkrese zyrtare e ka njoftuar eprorin e gjyqtares, Kryetarin e Gjykatës Themelore në Pejë, Armend Berishën dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
Kryetari Armend Berisha i nisi hetimet disiplinore ndaj gjyqtares Nushë Kuka – Mekaj dhe pas 30 ditësh i mbylli ato.
Shkak i mbylljes së hetimeve disiplinore u tha të ketë qenë mungesa e provave, të cilat vërtetojnë se gjyqtarja Kuka – Mekaj ka shkuar në vend të ngjarjes, duke e ditur se aty është vendi i ngjarjes dhe se nuk ka prova se ajo e ka shfrytëzuar autoritetin e saj si gjyqtare në interes të familjes së saj.
Por sipas hulumtuesve ligjorë të Institutit të Kosovës për Drejtësi, kryetari Berisha ka tejkaluar juridiksionin e tij si autoritet kompetent dhe se hetimet e kryera në këtë rast më shumë ngjanin me hetime penale se sa disiplinore.
Vendimi ndaj gjyqtares Kuka-Mekaj u mbajt i mbyllur, pavarësisht se duhej të ishte i publikuar
“Ju e dini që këto procedura janë konfidenciale“, i tha ekipit të “Betimi për Drejtësi”, kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Armend Berisha.
Në fakt, vendimet e autoritetit kompetent në këto raste nuk janë konfidenciale.
Një vendim i Këshillit Gjyqësor të Kosovës i datës 2 shtator 2021, me numër 223/2021 i detyron kryetarët e gjykatave që edhe vendimet për hedhje dhe refuzim të ankesave t’i publikojnë në faqet zyrtare.
Por, vendimi i Kryetarit të Gjykatëse Themelore në Pejë nuk u publikua në faqen zyrtare pas afatit të përcaktuar prej 30 ditësh.
Kështu “Betimi për Drejtësi”, kërkoi të dinte nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për vendimin që kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë mori në këtë rast.
KGjK përmes postës elektronike bëri të ditur, se kryetari i Gjykatës i pushoi hetimet disiplinore ndaj gjyqtares Nushe Kuka – Mekaj.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), me datë 10.01.2024, ka pranuar Aktvendimin me numër AD/GJTHPE/.nr.13/2023, të Autoritetit Kompetent, përkatësisht Kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, me të cilin është pushuar hetimi disiplinor ndaj gjyqtares Nushe Kuka Mekaj, lidhur me pretendimin për shkelje të supozuar nga neni 5, paragrafi 2, pika 2.15 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtareve dhe Prokurorëve”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zyrës për medie në KGjK-së për “Betimi për Drejtësi”.
Më pas “Betimi për Drejtësi” bëri kërkesë për qasje në dokumente zyrtare pranë Gjykatës Themelore në Pejë. Pas kërkesës për qasje në dokumente zyrtare, më 29 janar, Gjykata Themelore në Pejë ka kthyer përgjigje, ku bashkëngjiti edhe vendimin e marrë, në të cilin thuhet se arsye e vendimit për të pushuar hetimin disiplinor ndaj gjyqtares Nushe Kuka – Mekaj, e cila ushtron edhe funksionin e nënkryetares së gjykatës është mungesa e provave se ajo kishte shkuar në vend të ngjarjes si gjyqtare, dhe kishte ushtruar ndikim.
Po me këtë datë, më pas vendimi është publikuar edhe në faqen e Gjykatës Themelore në Pejë.
“Nga deklaratat e zyrtarëve policorë, prokurores dhe vetë gjyqtares, në asnjë mënyrë dhe me asnjë provë nuk u argumentua se gjyqtarja Kukaj -Mekaj, me paraqitjen e saj në vendin e ngjarjes natën kritike ka ndërmarrë ndonjë veprim, ka ndërhyrë apo ka penguar procesin e hetimit. Përkundrazi, dyshimet e tilla u mohuan nga të gjithë zyrtarët policorë të cilët në deklaratat e tyre mohuan të kenë folur me gjyqtaren apo ta kenë parë atë në vendin e ngjarjes, me përjashtim të hetuesit Sh. i cili në deklaratën e tij mohon në mënyrë kategorike se e njëjta ka reaguar, ka ushtruar ndikimin e saj si gjyqtare, ka ndërhyrë, i ka udhëzuar apo ka penguar procesin….”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë.
Aty më tej, aty shkruan se normat e sjelljes etike që burojnë nga titulli që bart gjyqtari nuk e zhveshin nga ndjenja njerëzore dhe nga fakti i të qenit familjar.
Në këtë pikë, autoriteti kompetent vlerësoi parimet e përgjithshme dhe rregullat e sjelljes që dalin nga Kodi i Etikës për Gjyqtar dhe gjeti se me marrjen përsipër të titullit gjyqtar, me të vërtetë që të njëjtit si bartës të një funksioni të rëndësishëm publik janë të obliguar që të ruajnë dhe promovojnë sjellje të lartë profesionale, duke u përmbajtur nga sjelljet që ngritin dyshimet e opinionit publik në paanshmërinë apo besueshmërinë e vetë gjyqtarit dhe të gjyqësorit në përgjithësi, megjithatë pavarësisht faktit se gjyqtari pranon kufizimet që i imponon funksioni që ushtron, normat e sjelljes etike që burojnë nga titulli që bartë nuk e zhveshin nga ndjenja njerëzore dhe nga fakti i të qenit familjar”, thuhet më tej në arsyetimin e vendimit të Kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë.
Shala thotë se do të duhej të konstatohej nëse prezenca e gjyqtares në vendngjarje ka dëmtuar ose jo reputacionin e gjykatës
Sipas hulumtuesit të lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala, kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, ka ndërruar orientimin e hetimeve. Pas analizimit të vendimit, Shala ka thënë se orientimi i këtij hetimi të kryetarit të gjykatës ishte penal, e jo disiplinor, ashtu siç ishte procedura.
Sipas tij, përgjegjësi disiplinore ka gjyqtari kur kryen një sjellje qe mund ta dëmtojë reputacionin e gjykatës.
“Në rastin konkret, Ligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve në raport me këtë shkelje disiplinore, ka theksuar se ajo kryhet në rastet kur gjyqtari, qoftë publikisht qoftë privatisht, përfshihet në sjellje të cilat do të mund ta dëmtonin reputacionin e gjykatës. Pra, nuk bëhet fjalë, do të thotë për shkelje për vepra penale, mirëpo bëhet fjalë për sjellje të cilat do mund të interpretoheshin në atë mënyrë që e dëmtojnë reputacionin e gjykatës”, ka vlerësuar Shala.
Ai ka thënë se në rastin e gjyqtares kishte një keqorientim të hetimeve dhe tejkalim të kompetencave nga kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë.
“Në rastin konkret, e shohim nga vendimi i autoritetit kompetent se ka një keqorientim të hetimeve. Kjo për shkak se kryetarin, do të thotë e hudhë rastin disiplinor, duke u bazuar në atë se nuk është vërtetuar që subjekti i këtij rasti disiplinor ka vepru, ka kesh përdorur detyrën e vet në interes të familjarëve të tyre. Sikur të ndodhte kjo, ne atëherë do ta kishim një situatë që bëhet fjalë për vepër penale dhe jo domosdoshmërish duhet të plotësohen elementet e veprës penale për t’u konstatuar se kemi të bëjmë me shkelje disiplinore”, ka shtuar ai.
Vendimin e vet, kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë e ka arsyetuar, ashtu siç ka shkruar, pas marrjes së deklaratës së shefit të Sektorit të Hetimeve Rajonale në Pejë N.N, hetuesit A.K, krimteknikut A.M dhe hetuesit Q.SH dhe vetë gjyqtares Nushe Kuka Mekaj, të cilët e kanë nxjerrë përfundimin se:
“Përtej rrethanave të lartcekura, autoriteti kompetent me asnjë provë të vetme nuk ka mundur të vërtetojë se natën kritike gjyqtarja K.M ka shkuar në vendin e ngjarjes duke qenë në dijeni se aty ka ndodhur vepra për të cilën të dyshuar kanë qenë fëmijët e djalit të vëllait të saj, se e njëjta ka komunikuar me zyrtarët policor apo prokuroren e rastit, se e njëjta i ka udhëzuar të njëjtit për ndërmarrjen apo mos ndërmarrjen e veprimeve të caktuara hetimore apo përgjithësisht, se e njejta e ka shfrytëzuar autoritetin e saj si gjyqtare me qëllim të ndikimit në hetimin e kësaj çështje”.
Por, Shala insiston se autoriteti kompetent në këtë rast është dashur që të konstatojë nëse prezenca e gjyqtares në vend të ngjarjes ka dëmtuar reputacionin e gjykatës.
“ Ajo çfarë është dashur të konstatuar në këtë rast është nëse me prezencën e saj në vendin e ngjarjes ka dëmtuar ose jo reputacionin e gjykatës. Dhe është problematike sepse vetë subjekti i këtij hetimi disiplinor ka treguar se paraprakisht e ka ditur se ka ndodhur një konflikt dhe ka shkuar aty si familjare”, ka shtuar ai.
Shala shpjegon edhe më tej vendimin për rastin e gjyqtares që kishte dalë në vendngjarje ku ishin të përfshirë familjarët e saj.
“Ndërsa, te përfundimet e autoritetit kompetent thuhet se nuk ka prova se e ka ditur se ku po shkon, që nuk qëndron do të thotë nuk është në korrelacion me provat e prezantuara në vendimin e autoritetit kompetent dhe do të thotë këtu është problemi, sepse sikurse ajo do të thotë t’u jepte urdhra zyrtarëve policorë të tejkalonte kompetencat e saj në interes familjar të saj e tjerë e tjerë atëherë kemi të bëjmë me përgjegjësi penale dhe jodisiplinore dhe këtu ka qenë ky keqorientimi i hetimeve, për shkak se është dashur të fokusohet në atë çfarë kërkon pika, pika pesëmbëdhjetë në rastin konkret, që po e ritheksoj përfshihet në sjellje të cilat dëmtojnë reputacionin e gjykatës”, thotë hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gzim Shala.
Se gjykatësja Nushe Kuka – Mekaj, e dinte se ku po shkonte këtë e kishte thënë edhe ajo vetë, në intervistën e dhënë për kryetarin e Gjykatës Themelore në Pejë më 11 dhjetor 2023, e cila është transkriptuar në pjesë të arsyetimit në vendimin e kryetarit.
“..dhe atë natë ka qenë zgjuar së bashku me familjen e saj deri rreth orës 00:30. Pas rreth një ore, djali i saj A. i ka zgjuar të gjithë, ishte i shqetësuar dhe i ka njoftuar se nga Sh. K.- djali i vëllait të gjyqtares, ishte informuar përmes telefonit se kishte ndodhë një gjuajtje tek pompa “Sh.”, ku të përfshirë ishin i mituri …. dhe K.K.19 vjeçar. Me të marrë këtë informacion, ishte kontaktuar nëna e fëmijëve, e cila jeton në të njëjtin objekt me gjyqtaren, e cila menjëherë ka ardh dhe duke mos ditur se çfarë ka ndodhë dhe pasi nuk mund të binte në kontakt me fëmijët, e shqetësuar ju ka thënë se do të shkoj per t’i kërkuar në objekt – pronë e tyre në Vitomericë”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Armend Berisha.
Kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, ka tejkaluar kompetencat e autoritetit kompetent, vlerëson hulumtuesi I lartë I IKD-së, Gëzim Shala.
“Tejkalimin e kompetencave e shohim në kuptim të Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, për shkak se po e ritheksoj, mandati i tij ka qenë vlerësimi nëse kemi ta bëjmë ose jo me një çështje disiplinore, me një rast të mjaftueshëm që paraqet njëfarë baze për hetim të mëtutjeshëm e që hetimin e mëtutjeshëm do duhej ta bënte paneli hetimor i themeluar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe jo që gjithë hetimi të kryhej nga ana e autoritetit kompetent. Dhe, në anën tjetër, po edhe po e ritheksoj, problematike ka qenë ky ndryshim i orientimit të hetimit, për shkak se duke përdorur argumentet që do të duhej të përdoreshin në një procedurë penale i ka përdorur në një procedurë civile. Nëse dikush për shembull akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe lirohet nga dënimi, do të thotë ky është arsyetimi, nuk është tejkaluar kompetencat që ka pasur, nuk ka vepruar në interes të familjarëve të afërme për t’i krijuar favor vetit, të tjerë e të tjerë dhe rrjedhimisht lirohet nga nga akuza penale, mirëpo ky nuk është rast i përgjegjësisë disiplinore. Këtu është dashur të fokusohet në atë se çfarë kërkon ligji në kuptim të asaj nëse e ka dëmtuar reputacionin dhe besueshmërinë e gjyqësorit ose jo dhe jo që të shkohet në vlerësim të elementeve penale”, thotë Shala.
Më tej, Shala thekson se për shkak të mangësisë ligjore, ky veprim i kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, mbetet i pandëshkuar.
“Sipas Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve është tash një problem nëse mundim me thanë, për shkak se nuk garantohet e drejta e ankesës ndaj veprimeve të kësaj natyre dhe për më tepër do të thotë rasti siç ka njoftuar edhe autoriteti kompetent ka qenë rasti i inicuar sipas detyrës zyrtare dhe që në reformën që duhet të përmbajë Ligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe të prokurorëve duhet që të ketë mekanizma adekuatë edhe për ankimim edhe për mbikëqyrje të autoriteteve kompetente. Kjo situatë, do të thotë, kjo mangësi ligjore, duke u shoqëruar edhe me mosveprimin e Institucionit të Avokatit të Popullit, që nuk është rasti konkret, dua ta ritheksoj, mirëpo në përgjithësi e ka bërë në një farë mënyre që autoritetet kompetente, kryetarët e gjykatave dhe kryeprokurorët pothuajse të jenë të pakontrolluar në raport me vendimet që ata marrin”.
I pyetur nga “Betimi për Drejtësi”, pas analizës së IKD-së për vendimin e tij rreth këtij rasti, kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Armend Berisha, ka thënë se të gjitha veprimet i ka ndërmarrë duke u bazuar në neni 6 të Rregullores i cili rregullon fazën e shqyrtimit fillestar nga Autoriteti Kompetent, ku në pikën 4 të saj përcakton se: “ Autoriteti Kompetent mund të kërkojë deklaratë nga gjyqtari. Pasi t’i shqyrton te gjitha provat, deklaratën e gjyqtarit dhe shkresat ne dispozicion vendos për veprimin e mëtejme”,
“Ashtu siç shihet edhe në arsyetimin e Aktvendimit me shkrim të autoritetit kompetent, pyetjet që ju janë parashtruar subjekteve të lartcekur kanë qenë specifike dhe kanë pasur të bëjnë ekskluzivisht vetëm me veprimet e gjyqtares dhe sqarimin e rrethanës se a ka ndërmarrë gjyqtarja veprime të cilat hyjnë në domenin e shkeljeve të natyrës disiplinore e të cilat kanë qenë fokus I hetimit nga autoriteti kompetent në fazën e shqyrtimit fillestar me qëllim të vlerësimit se a ka bazë të arsyeshme të besohet se gjyqtarja ka kryer shkelje disiplinore”, thuhet në përgjigjen e kryetarit të Gjykatës, Armend Berisha për “Betimi për Drejtësi”.
Hulumtuesi i lartë i IKD-së thotë se autoritetet kompetente janë filtrat e parë të rasteve disiplinore sipas Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve e jo të vendosin për to.
“Ajo çfarë nëse e lexojmë me kujdes çfarë nënkuptohet me Ligjin për procedurë për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ajo çfarë kërkohet është që autoriteti kompetent të vlerësojë nëse kemi të bëjmë me çështje disiplinore apo jo. Dhe jo do të thotë që ta hetojë dhe ta vendosë deri në meritë një rast disiplinor. Për shkak se, nëse vlerëson se kemi të bëjmë me çështje disiplinore, rasti shkon në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe atje themelohet një panel hetimor që i heton të gjitha pretendimet dhe më pastaj vendos vetë Këshilli Gjyqësor i Kosovës ndaj të cilit vendim pala e pakënaqur ka të drejtë në ankesën e Gjykatës Supreme.
Pra, do të thotë ky është filtri i parë që duhet të kufizohet edhe në nivelin se sa thellë hyn në hetimin e një rasti. Për shkak se duhet të konsiderohet vetëm nëse kemi të bëjmë ose jo me çështje disiplinore dhe jo do të thotë që të hetohet do të thotë deri në aq detaje të kryhet puna e panelit hetimor dhe që rasti mos të procedohet tutje fare në panelin hetimor”, përfudon Shala për “Betimi për Drejtësi”.