Golden Eagle Ylli e Peja e zhvillojnë të mërkurën mbrëma ndeshjen e dytë gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Ndeshja zhvillohet në Suharekë nga ora 19:00, ndërsa Ylli pret përkrahje të madhe nga tifozët. Suharekasit, po ashtu, presin të bëjnë hapin e madh, ndoshta vendimtar, drejt finales së plejofit.
Ylli fitoi 87:84 të shtunën në Pejë dhe udhëheq 1:0 në seri. Fundi i asaj ndeshjeje ishte i tensionuar. Kishte hedhje të gjësendeve, ndërsa me një mjet të fortë në kokë u godit fundori i Yllit, Alonzo Verge Jr. Kjo bëri që Peja të dënohet me zhvillimin e dy ndeshjeve si vendëse pa shikues. Ndaj Yllit, Peja do ta ketë edhe të paktën një ndeshje si vendëse.
Por fillimisht i gjithë fokusi është te ndeshja në Suharekë. Cilësia e skuadrave vlerësohet e përafërt dhe ndeshja e dytë, njëjtë si e para pritet të vendoset në aksionet e fundit.
Skuadra që shënon tri fitore kualifikohet në finale. Ndeshja e pestë eventuale e gjysmëfinales do të zhvillohet në Pejë.
Trajneri i Yllit, Petar Mijoviq, pret ndeshje plotësisht tjetër nga ajo në Pejë.
”Krejtësisht ndryshe. Startojmë sikur të jetë 0:0. Do të jetë vështirë, si në të gjitha ndeshjet tona ndaj Pejës. Do të dalim për të fituar dhe le të shohim”, ka thënë Mijoviq, që po vlerësohet se po bën punë të mirë te suharekasit.
Peja e Ylli kishin nga 19 fitore e nëntë humbje në stinorin e rregullt. Përfunduan në pozitat dy e tre. Peja u rendit e dyta dhe u kualifikua direkt në gjysmëfinale, falë bilancit më të mirë në ndeshjet e ndërsjella me Ylllin.
Ndërkohë Golden Eagle Ylli u rendit i treti dhe fillimisht në çerekfinale të plejofit e kaloi Bashkimin e pozitës së gjashtë. Me Bashkimin, Ylli fitoi në Suharekë dhe në Prizren dhe kështu u kualifikua në gjysmëfinale.
Peja nuk ka pasur kampionat stabil. Në momente ka shfaqur formë të lartë e në momente është futur në krizë rezultatesh. Ndryshimet e shpeshta e të shumta në fondin e lojtarëve kishin ndikimin jo të vogël.
Në ndeshjen e parë ndaj Yllit, pejanët në momente kishin fytyrë kampioni. Por nuk e mbyllën ndeshjen si duhet dhe tani janë në disavantazh.
“Secila ndeshje është tregim tjetër. Ekipet njihen shumë mirë mes vete. Çdo gjë mund të ndodhë. Qartë se do të luftojmë dhe do të mundohemi të fitojmë”, ka thënë trajneri i Pejës, Rami Hadar.
Një vit më parë ai udhëhoqi skuadrën drejt titullit të kampionit. Këtë edicion Peja garoi në shumë “fronte”, por ende është pa trofe.
Në gjysmëfinalen tjetër të plejofit takohen Sigal Prishtina e Trepça. Ndeshja zhvillohet të enjten prej orës 19:00 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Trepça fitoi të dielën në Mitrovicë me rezultatin 87:81.