Basketboll

Ylli mbështetet në përkrahjen e tifozëve për finalen e dytë

KB Ylli

Atmosfera e zjarrtë e krijuar në ndeshjen e parë të serisë finale në “Minatori”, i ka dhënë ndihmë të madhe Trepçës që të fitojë në fund ndaj Golden Eagle Yllit.

Trepça të enjten mbrëma fitoi me rezultatin 77:68 ndaj skuadrës suharekase, për epërsinë 1:0 në serinë finale të plejofit të elitës së basketbollit kosovar.

Por, te Ylli nuk janë dorëzuar.

Valon Bunjaku pret që edhe në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, të krijohet atmosferë e bukur sportive, dhe natyrisht, shumë e zhurmshme.

Bunjaku të shtunën për KOHËN ka thënë se e vlerëson Trepçën për cilësinë që e ka në skuadër. Por, ka shtuar se ai dhe bashkëlojtarët e tij e synojnë barazimin e serisë finale.

Ndeshja Golden Eagle Ylli – Trepça luhet të dielën nga ora 17:00.

“Ne jemi munduar që të përgatitemi sa më mirë për ndeshjen e dytë finale. Do të mundohemi që të mos i përsëritim gabimet që i bëmë në duelin e parë. Hyjmë në lojë për ta barazuar serinë, por e kemi parasysh që Trepça është skuadër e fortë. Natyrisht, presim përkrahjen e madhe të publikut dhe atmosferë të zjarrtë në palestër”, ka deklaruar Bunjaku.

Finalja e parë ishte e fortë dhe u vendos krejt në fund.

Ylli kishte epërsinë deri 4:36 sekonda pa u mbyllur i gjithë takimi. Por një trepikësh i Kevin Capers i kaloi në epërsi “xehetarët”, të cilët më nuk e lëshuan epërsinë dhe e fituan ndeshjen e parë finale.

Capers e kishte përfunduar duelin me 10 pikë e katër kërcime, ndërsa kontribut dha edhe Kevin Barcy-Davis. Davis e kishte mbyllur ballafaqimin të enjten me nëntë pikë, aq sa i kishte shënuar edhe Erjon Kastrati.

Me statistikat më të mira ishte Devonte Upson që pati 11 pikë e dhjetë kërcime.

Lojë të fortë pret edhe Bracy-Davis. Ai për KOHËN të shtunën theksoi se Trepça do të mundohet të fitojë sërish, e më pas ta festojë titullin në Mitrovicë.

“Presim lojë të fortë dhe të luftuar deri në fund. Sigurisht se nuk do të jetë e lehtë, por ne jemi të motivuar dhe duam ta fitojmë ndeshjen e dytë për 2:0”, deklaroi Bracy-Davis.

Trepça e synon titullin e pestë në histori të klubit. Por, trofeu i më të mirit në Superligën e basketbollit kosovar, i mungon prej vitesh. Për herë të fundit, Trepça titullin e kishte fituar në vitin 2012.

Ndërkohë, titullin e tretë në histori e kërkon Ylli. Ylli kishte triumfuar në elitë në vitet 2021 dhe 2022.

Kampion i Superligës shpallet skuadra që i fiton tri ndeshje.