Basketboll

Ylli luan për finale, Peja për të vazhduar serinë

Ylli - Peja

Te Golden Eagle Ylli e te Peja kanë synimet e tyre, ndërsa pajtohen që ndeshja e së mërkurës mbrëma do të jetë “luftë sportive”.

Ylli e Peja takohen në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, në ndeshjen e katërt të serisë gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Ndeshja fillon në orën 19:00.

Ylli udhëheq 2:1 dhe me fitore kualifikohet në finale, ku tashmë pret Trepça. Ndërkohë Peja me fitore siguron ndeshjen e pestë dhe vendimtare, që do të zhvillohej në “Karagaçi”.

Peja e kishte përparësinë e terrenit vendas në këtë seri gjysmëfinale, por tashmë përparësia ka kaluar te Ylli.

Ylli fillimisht kishte fituar në Pejë me shifrat 87:84. Më pas kishte fituar edhe në Suharekë, 92:86. Ndeshjen e tretë Peja e organizoi në Gjakovë, ku luajti pa praninë e shikuesve. Fitoi të shtunën me rezultat 98:86 dhe kështu u kthye në lojë.

Kapiteni i Yllit, Gëzim  Morina, është optimist, por po ashtu pranon nivelin e Pejës.

“Nesër na pret një luftë e madhe. Mendoj që të dy skuadrat do të japin gjithçka nga vetja dhe do të synojnë fitoren. Peja ka ekip të mirë. Këtë edhe e tregoi në ndeshjen e fundit. Kemi analizuar gabimet që i kishim në ndeshjen e kaluar. Nesër me angazhim maksimal nga të gjithë lojtarët, presim që të sigurojmë fitoren dhe kalimin në finale”, ka thënë Morina të martën për KOHËN.

Ai është prej lojtarëve me kontributin më të madh tek Ylli. Skuadra suharekase pret edhe përkrahjen e shikuesve për ta kaluar me sukses gjysmëfinalen.

Kampionia në fuqi, Peja, dëshpëroi me rezultat, por edhe me paraqitje, në dy takimet e para gjysmëfinale. Por dha shenja të përmirësimit të madh në ndeshjen në Gjakovë. Dhe momenti pozitiv synohet të shfrytëzohet edhe të mërkurën.

“Po shikojmë para drejt ndeshjes së mërkurës.  Do të jetë një tjetër ndeshje nokaut”, ka thënë trajneri i Pejës, Rami Hadar. Ai vjet e udhëhoqi Pejën drejt titullin të kampionit. Por skuadra pejane ka vuajtur për stabilitet këtë edicion.

“Me Yllin kemi luajtur tetë apo nëntë herë këtë edicion. Skuadrat njihen shkëlqyeshëm  me njëra-tjetrën. Duhet të bëjmë më të mirën për të luajtur edhe më mirë. Por do të jetë luftë sportive”, ka shtuar Hadar.

Peja në gjysmëfinale u kualifikua direkt, si e dyta në stinorin e rregullt. Ylli në çerekfinale e kaloi Bashkimin, me rezultatin 2:0.

Në gjysmëfinalen tjetër Trepça ka dominuar plotësisht ndaj Sigal Prishtinës. Ka fituar tri ndeshjet e para dhe tashmë është në pritje të kundërshtarit të finales.