Ylli fitoi me rezultatin 92:86 dhe tani udhëheq 2:0 në serinë gjysmëfinale të plejofit. Ndeshja ishte e tensionuar, sidomos në minutat e fundit. Skuadrës suharekase i duhet edhe një fitore për t’i kualifikuar në finale. Ndeshja e tretë zhvillohet në Pejë, por pa praninë e shikuesve.
Verge Jr ndeshjen e mbylli me plot 52 pikë, nëntë kërcime e pesë asistime. I kishte edhe tre topa të rrëmbyer. Është njëra pre paraqitjeve më të mira individuale në vitet e fundit në basketbollin kosovar. Verge Jr ka shumë ndeshje që po e udhëheq Yllin, por të mërkurën shfaqi nivelin dukshëm më të lartë deri më tani. Ishte i pandalshëm për fundorët e Pejës dhe kjo bëri dallimin.
4:14 minuta para fundit ndeshja u ndërpre. Kishte hedhje të mjeteve shpërthyese në parket, përkatësisht në afërsi të pjesës ku ishin të vendosur zyrtarët e Pejës. Pati edhe tensione, ndërsa skuadra pejane u largua nga parketi. Më pas arbitrat vendosën të zbrazin tribunën prej nga pati hedhje. Në momentin e ndërprerjes Ylli ishte duke udhëhequr 83:73.
Por pas vazhdimit më shumë shfaqi Peja, që u afrua në 89:86. Pasuan disa gabime tjera teknike për skuadrën e Pejës dhe kështu sfida u mbyll me rezultat 92:86 në të mirë të Golden Eagle Yllit.
Ylli e fitoi çerekun e parë me rezultat 20:17 e të dytin me shifrat 27:19. Në pushimin e gjatë skuadrat shkuan me rezultat 47:36. Këtë epërsi suharekasit e mbajtën deri në momentin e ndërprerjes.
Tek Ylli pikë dyshifrore kishte vetëm edhe kapiteni Gëzim Morina. Ai ndeshjen e përfundoi me 10 pikë e dy kërcime.
Deandre Davis nuk kishte asnjë huqje te Peja. Realizoi 13 pikë, ndërsa kishte edhe shtatë kërcime. Justin Davis i kishte 14 pikë e nëntë kërcime. Kwame Vaughn ndeshjen e përmbylli me 18 pikë, por që nuk i mjaftuan. Peja është kampione në fuqi, por tani ka gjasa të vogla për të kaluar në finale.
Në gjysmëfinalen tjetër të plejofit takohen Trepça e Sigal Prishtina. Trepça e ka fituar ndeshjen e parë, të zhvilluar të dielën mbrëma në Mitrovicë. Ndeshja e dytë është të enjten prej orës 19:00 në Prishtinë.