Sigal Prishtina fitoi vetëm në aksionet e fundit ndaj Vëllaznimit, në ndeshjen e parë çerekfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Në ndeshjen e dytë, në Gjakovë, Prishtina kishte epërsi bindëse para se të mposhtej me rezultatin 90:73.
Ndeshja e tretë dhe vendimtare e çerekfinales është të mërkurën prej orës 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytet, aty ku Prishtina një javë më parë kishte fituar me rezultatin 71:69.
Rrjedha e dy ndeshjeve të para është një lloj garancie që ndeshja e së mërkurës mbrëma do të jetë e fortë, dramatike dhe e hapur deri në fund.
Prishtina ka përparësinë e terrenit vendas dhe rrjedhimisht edhe përkrahjen e tifozëve. Por gjakovarët udhëtojnë të trimëruar nga fitorja e së shtunës e po ashtu për shkak të paraqitjes së fuqishme në dy ndeshjet e kaluara në Prishtinë. Fillimisht Vëllaznimi e mposhti Prishtinën në finale të Ligës Unike, e më pas humbi vetëm me dy pikë dallim në çerekfinalen e parë.
Jericole Hellems udhëhoqi Vëllaznimin drejt fitores bindëse, të shtunën në Gjakovë. Amerikani i realizoi plot 37 pikë e dhjetë kërcime.
“Pavarësisht se kundër kujt luajmë dhe në cilën fazë, ne dalim në fushën e lojës për fitore”, ka thënë Hellems para ndeshjes vendimtare në Prishtinë.
Vëllaznimi e bazon lojën në katër lojtarët e huaj cilësorë, por edhe në vendorët si Don Polloshka, Atik Koshi, Arian Azemi e Arbër Sinani. Azemi ka munguar në ndeshjet e kaluara për shkak të një lëndimi.
Fond bindshëm më të pasur lojtarësh ka Prishtina. I ka vazhdimisht pesë të huaj në dymbëdhjetëshe e po ashtu një tjetër rezervë. Edhe vendorët në të cilët llogaritë trajneri i Prishtinës janë më të shumtë e po ashtu me më tepër përvojë. Disa prej tyre janë reprezentues.
Spanjolli Paco Olmos e ka drejtuar Prishtinën në dy çerekfinalet e para. Te Prishtina kanë bërë thirrje për përkrahje të madhe të skuadrës nga tribunat.
Fituesi i kësaj çerekfinaleje, në gjysmëfinale përballet me Trepçën. Si e dyta në tabelë, Trepça është kualifikuar direkt në gjysmëfinale. Prishtina përfundoi e treta në stinorin e rregullt, kurse Vëllaznimi ishte i gjashti. Për shkak të plasmanit më të mirë në stinorin e rregullt, Prishtina e ka përparësinë e terrenit në ndeshjen e tretë dhe vendimtare.
Në çerekfinalen tjetër përballen Golden Eagle Ylli e Peja. Edhe në të seri rezultati është 1:1. Ndeshja vendimtare luhet të enjten nga ora 19:00 në Suharekë.