Vëllaznimi i Gjakovës kishte epërsi prej katër pikësh ndaj Golden Eagle Yllit të Suharekës në fillim të çerekut të katërt, 59:55.
Por në vijim të periudhës vendimtare të gjysmëfinales së parë të Ligës Unike, suharekasit ishin për pjesën më të madhe në epërsi.
Një minutë e 17 sekonda para fundit, Golden Eagle Ylli ishte në epërsi 75:74 ndaj Vëllaznimit, në ndeshjen që u zhvillua të mërkurën në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Por nuk e ruajti epërsinë deri në fund dhe u eliminua nga turneu “Final 4” i Ligës Unike pasi u mposht 76:75.
Sfida u vendos në sekondat e fundit.
Kapiteni Artin Gashi e Jan Palokaj bën disa gabime në momentet vendimtare.
Dhe pesë sekonda para fundit Jason Jitoboh shënoi dypikësh për 76:75 për ta dërguar Vëllaznimin në finalen që zhvillohet të enjten nga ora 20:00.
Tentimin e fundit për Yllin e pati qendra Lis Shoshi nga vija për tri pikë, por nuk ishte i saktë.
Jitoboh e mbylli ndeshjen me 17 pikë, shtatë kërcime e tri asistime, kurse statistikat më të mira i kishte Trey Anderson me 23 pikë, shtatë kërcime e dy asistime.
Shoshi ishte më i miri tek Ylli me dyshifror të dyfishtë prej 17 pikësh e 14 kërcimesh.
Vëllaznimi luan në finale me fituesin e ndeshjes Sigal Prishtina – Besëlidhja. Ylli do të ballafaqohet për vend të tretë me humbësin e këtij dueli.