Trepça e Sigal Prishtina synojnë që të shtunën mbrëma ta bëjnë hapin vendimtar drejt finales së plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Pas dy ndeshjeve gjysmëfinale, rezultati është 1:1. Të shtunën e kaluar në “Minatori”, Trepça mposhti bindshëm Prishtinën, 80:65. Të mërkurën në Prishtinë, skuadra e kaltër fitoi 90:83, pas vazhdimit prej pesë minutave. Ndeshja në Prishtinë ishte dramatike.
Gjysmëfinalja e tretë zhvillohet të shtunën prej orës 19:00 në palestrën buzë lumit Ibër. Skuadra që shënon tri fitore, kualifikohet në finale. Rrjedhimisht ndeshja e tretë është me peshë shumë të madhe. Mund të krijohet epërsi 2:1, që mund të jetë vendimtare për gjysmëfinale.
“Udhëtojmë në Mitrovicë për ndeshjen e tretë gjysmëfinale, vetëm për fitore”, ka shkruar Prishtina.
Te kjo skuadër janë të vetëdijshëm që “Minatori” do të jetë i mbushur me shikues dhe që përkrahja për ekipin gjelbër e zi do të jetë e jashtëzakonshme. Përkrahje të madhe kishte edhe Prishtina në ndeshjen e dytë.
“Zëri yt bën dallimin. Zhurma nuk duhet të ndalet asnjë moment”, shkruan në thirrjen që Trepça ua ka bërë tifozëve të saj për gjysmëfinalen e së shtunës mbrëma.
Prishtina po e kërkon titullin e kampionit që nuk e ka fituar që nga viti 2019. Trepça është kampione në fuqi.
Në stinorin e rregullt “xehetarët” ishin në vendin e dytë dhe kaluan direkt në gjysmëfinale. Prishtina në çerekfinale e kaloi Vëllaznimin, 2:1, pasi përfundoi e treta në stinorin e rregullt.
Për shkak se ishte më lartë në tabelë në pjesën e rregullt të kampionatit, Trepça do ta ketë përparësinë e terrenit vendës në ndeshjen e pestë eventuale.
Në gjysmëfinalen tjetër të plejofit po përballen Bashkimi e Peja. Edhe në këtë seri rezultati është 1:1. Të dielën e kaluar, Bashkimi fitoi 81:61 në Prizren. Të enjten mbrëma në “Karagaçi”, Peja fitoi 84:79. Kjo ndeshje kishte dramë, për dallim nga e para në Prizren.
Ndeshja e tretë mes Bashkimit dhe Pejës është të dielën nga ora 19:00 në “Sezai Surroi” në Prizren. Bashkimi në stinorin e rregullt ishte i pari dhe kaloi direkt në gjysmëfinale. Peja përfundoi e pesta dhe në çerekfinale e eliminoi Yllin. Tani synon të bëjë hapin e madh drejt fitores. Këtë në plan e kanë edhe prizrenasit.