Basketbollistët e Trepçës të martën kanë udhëtuar për në Francë. Të mërkurën prej orës 20:00 ata e zhvillojnë ndeshjen e parë në kuadër të Grupit H të FIBA Europe Cup.
Ndeshja Bourgogne Dijon – Trepça i takon stinorit të rregullt, ku skuadra kampione e Kosovës paraqitet për herë të dytë. Vjet Trepça përmes kualifikimeve kishte arritur në stinorin e rregullt. Kishte një fitore e tri humbje në grup me Leidenin e Holandës dhe Gravelines të Francës dhe nuk avancoi.
Këtë herë skuadra mitrovicase në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup është zhvendosur pasi u ndal në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Është në Grupin H, ku bëjnë pjesë edhe Ludwigsburgu i Gjermanisë dhe Caledonia Gladiators e Britanisë së Madhe.
Sajti zyrtar i FIBA-s ka bërë një analizë të të gjitha dhjetë grupeve të stinorit të rregullt të FIBA Europe Cup.
Ndër të tjera ka paraqitur favoritët dhe autsajderët e grupeve. Sa i takon Grupit H, favorit sipas FIBA-s është MHP Riesen Ludwigsburg. Ndërkohë autsajdere është vlerësuar Trepça. Markis McDuffie i Dijonit është vlerësuar lojtari yll i grupit, ndërsa ndeshja kryesore – ajo mes Ludwigsburgut dhe Dijonit.
Kundërshtari i parë i Trepçës, Dijoni, për herë të parë garon në FIBA Europe Cup, që është niveli i dytë i garave të organizuar nga FIBA dhe niveli i katërt evropian për nga cilësia, pas Euroligës, EuroCup dhe Ligës së Kampionëve.
“Mund të jetë përvoja e parë e Dijonit në FIBA Europe Cup, por kjo skuadër kërkon shanset e saj në grupin që përmban edhe Caledonia Gladiators, që për pak mbeti jashtë 1/8 së finales në debutim edicionin e kaluar, pastaj MHP Riesen që kërkon ta vazhdojë bilancin pozitiv të ekipeve gjermane dhe Trepçën nga Kosova”, ka shkruar FIBA.
Dijoni është klub tradicional francez që ka tri kupa e një superkupë. Në edicionin e kaluar të kampionatit francez, Dijoni ishte i nënti. Nuk avancoi në plejof.
Dijoni ka suksese në Ligën e Kampionëve dhe vlerësohet skuadër shumë cilësore, njëjtë si liga franceze. Kështu që kampionen e Kosovës e pret ndeshje shumë e fortë të mërkurën mbrëma.
Trepça nuk është në momentin më të mirë. Të dielën pësoi nga Sigal Prishtina para tifozëve të saj. Ndërkohë mesjavën e kaluar u mposht nga Bashkimi në Prizren. Në Superligë tani i ka dy fitore e dy humbje. Në edicionin e kaluar i fitoi të gjithë trofetë e basketbollit kosovar si dhe turneun e Ligës Unike. Këtë edicion e nisi me triumf në Superkupë e më pas kishte paraqitje solide në kualifikimet e Championsit, ku u ndal në gjysmëfinale.
Fituesit e dhjetë grupeve në FIBA Europe Cup avancojnë në fazën e dytë. Avancojnë edhe gjashtë prej dhjetë ekipeve më të mira të pozitës së dytë nëpër grupe.
Trepça është skuadra e vetme kosovare në FIBA Europe Cup. Peja u ndal në raundin kualifikues duke i humbur me rezultat të thellë dy ndeshjet me Maroussin grek.