Basketboll

Trepça luftoi shumë, por pësoi tjetër disfatë në “FIBA Europe Cup”

Trepça

Skuadra e Trepçës luftoi shumë në ndeshjen e dytë të stinorit të rregullt në “FIBA Europe Cup”. 

Por, paraqitja e mirë, sidomos në fundin e çerekut të tretë, nuk i ka mjaftuar “xehetarëve” për ta shmangur humbjen 70:57, ndaj skuadrës gjermane, Ludwigsburg. 

Të mërkurën mbrëma para tifozëve të vet në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, Trepça shfaqi më shumë se në ndeshjen e parë ndaj Dijonit të Francës kur u mposht thellë 118:73, në kuadër të Grupit H. 
Çereku i parë me gjermanët ishte i barabartë, 21:21. 

Të dytin e fituan mysafirët 14:11, ndërsa falë një serie të mirë në fundin e periudhës së tretë, Trepça e fitoi atë me shifrat 13:12. 

Vetëm dy pikë ishte epërsia e Ludwigsburgut në nisje të çerekut të katërt. 

Por me të nisur periudha vendimtare, gjermanët u shkëputën në rezultat. 

Trepça e drejtuar nga trajneri Adis Beqiragiq, pavarësisht se shfaqi lojë të mirë, nuk arriti ta përmbys rezultatin dhe në fund pësoi humbje tjetër, tani me 13 pikë dallim. 

Hunter Maldonado ishte më i miri te skuadra mysafire në këtë ndeshje. Ai ballafaqimin e mbylli me 17 pikë, pesë kërcime e dy asistime. 

Kontribut të madh dha edhe Yorman Polas me 14 pikë, 6 kërcime e një asistim. 

Te “xehetarët” ishin katër basketbollistë me pikë dyshifrore. 

Malik Johnson ishte më i dalluari te Trepça. Johnson i realizoi 11 pikë, ndërsa pati edhe pesë kërcime dhe kontribuoi me pesë asistime. 

11 pikë i shënoi edhe Dardan Kapiti, teksa pati plot nëntë kërcime e një bllokadë. 

“Besoj se Ludwigsburgu pati shumë kërcime në sulm dhe patën shumë pikë të shënuara nga shanset e dyta. Ajo na ka dëmtuar shumë. Shtoja edhe faktin që disa gjuajtje që është dashur t’i shënonim në fund, nuk i shënuam. Kjo besoj se ka ndikuar që të mos fitonim sonte”, ka thënë Kapiti pas ndeshjes. 
Me nga dhjetë pikë ndeshjen e mbyllën Mikaile Tmushiq dhe Larry Thomas. 

Më 23 tetor, Trepça luan sërish në shtëpi. Caledonia Gladiators e Skocisë do të jetë kundërshtari i radhës.