Skuadra e Trepçës është vetëm një fitore larg titullit të parë pas më shumë se një dekade në elitën e basketbollit të Kosovës.
Për ta fituar titullin e pestë në histori, “xehetarët” duhet ta mposhtin Golden Eagle Yllin të dielën, në ndeshjen e katërt të serisë finale të plejofit.
Ndeshja Golden Eagle Ylli – Trepça luhet nga ora 17:00 në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.
Te skuadra suharekase, e drejtuar nga trajneri Petar Mijoviq, thonë se nuk janë dorëzuar në garën për titull kampioni. Ylli është dy herë kampion i Kosovës, në vitet 2021 dhe 2022. Në rast të fitores suharekasit do ta siguronin ndeshjen e pestë të plejofit. Ndeshja vendimtare do të zhvillohej të enjten e ardhshme në Mitrovicë.
Kapiteni i Yllit, Gëzim Morina, e kërkon mbështetjen e madhe të tifozëve suharekas. Për shkak se në ndeshjen e kaluar në Suharekë kishte numër të madh të tifozëve mysafirë, Ylli mori vendim që biletat për duelin e së dielës të blihen vetëm me letërnjoftim.
“Na pret një ndeshje e vështirë. Trepça ka ekip të mirë dhe fond të madh të lojtarëve. E kemi analizuar ndeshjen e kaluar në Mitrovicë. Do të mundohemi të përmirësojmë disa gabime për ta barazuar serinë në 2:2. Opsioni i vetëm për neve është fitorja. Dhe me ndihmën e ‘Xhebrailave’ dhe spektatorëve të tjerë therandas, besoj se do t’ia dalim”, ka thënë të shtunën për KOHËN kapiteni Morina, njëri prej më të mirëve tek Ylli në këtë sezon.
Trepça ndeshjen e parë finale të plejofit e fitoi në “Minatori” me rezultatin 77:68, ndonëse Ylli ishte në epërsi për pjesën më të madhe të ndeshjes. Dramatik ishte edhe ballafaqimi i dytë. Ylli në Suharekë kishte epërsi të lartë, por në fund fitoi me vetëm një pikë dallim, 80:79.
Të enjten, Trepça sërish fitoi para tifozëve të vet me rezultatin 85:78.
Një tjetër fitore do të bënte që Trepça të kurorëzohej me titull.
I shkurtër në përgjigje ka qenë Darnell Edge, njëri prej basketbollistëve të dalluar te skuadra e Trepçës. Ai ka thënë se Trepça është gati për ta kthyer titullin në Mitrovicë pas 12 vjetësh.
“Sigurisht se ne jemi gati për këtë ndeshje. Do të udhëtojmë në Suharekë për ta fituar titullin, por nuk do të jetë e lehtë”, është shprehur Edge të shtunën.
Trepça titujt i ka fituar në vitet 1993, 2000, 2001 dhe 2012.
Në këtë edicion, Trepça e drejtuar nga trajneri Adis Beqiragiq ka triumfuar në Kupën e Kosovës, Superkupë dhe në Ligën Unike.