Basketboll

Trepça e Bashkimi i fitojnë thellë ndeshjet e para të çerekfinales

KB Trepça

Trepça dhe Bashkimi e kanë dëshmuar epitetin e favoritëve të enjten mbrëma, në ndeshjet e para të çerekfinaleve të Kupës së Kosovës në basketboll.

Trepça në Prizren e Bashkimi në Prishtinë shfaqën më shumë se Proton Cable Prizreni, përkatësisht Bora, për të bërë hap drejt gjysmëfinales.

Në palestrën “Sezai Surroi”, fituesja në fuqi e Kupës dhe kampionia, Trepça, fitoi me rezultatin 91:73.

“Xehetarët” e humbën vetëm çerekun e dytë 20:18, pasi të parin e fituan 24:19.

Në periudhën e tretë, Trepça hyri me epërsi prej tri pikëve, 42:39, të cilën shpejt e rriti në dhjetë brenda një minute lojë në këtë pjesëlojë.

27:16 fitoi Trepça në këtë çerek, e 22:18 e mbylli në të mirë të vet çerekun e katërt, për fitoren që i jep shanse të mëdha për të arritur në gjysmëfinale.

Dardan Kapiti me 20 pikë dhe Mikaile Tmushiq me 16 të tjera ishin më të mirët në fitoren e mysafirëve.

Te skuadra e Proton Cable Prizrenit u dallua Jordan Johnson me 30 pikë.

Ndeshja kthyese zhvillohet në javën e ardhshme në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, me Trepçën që ka 18 pikë epërsi.

Bashkimi ndërkohë nuk hasi në telashe për fitoren e radhës.

Prizrenasit në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë e mposhtën Borën me plot 22 pikë dallim, 88:66.

Bashkimi shkoi në pushimin e gjatë me gjashtë pikë dallim, 45:39.

Me rezultatin 30:20 e fitoi çerekun e parë, ndërsa Bora u mundua të kthehej në lojë pasi e fitoi periudhën e dytë me rezultatin 19:15.

Dallimi i madh në rezultat u bë në çerekun e tretë.

Prizrenasit e fituan atë periudhë të lojës me 15 pikë dallim, 28:13.

Deri në fund të ndeshjes e administruan mirë lojën dhe nuk lejuan befasi, për ta pasur më të lehtë avancimin në gjysmëfinale të Kupës.

Çereku i fundit u mbyll me rezultatin 15:14 në të mirë të skuadrës prizrenase.

Te Bashkimi më të mirët në fitore ishin Mack Smith dhe Robert Rikiq.

Smith e mbylli takimin me 20 pikë të realizuara e dy kërcime, derisa Rikiq pati dyshifror të dyfishtë prej 14 pikëve e 10 kërcimeve. I pati edhe dy asistime.

Meriton Ismaili kontribuoi në fitore me 11 pikë, katër kërcime e gjashtë asistime.

Edhe Bashkimi me epërsinë e 22 pikëve nga ndeshja e parë pritet ta sigurojnë gjysmëfinalen në Prizren pas një jave.