Basketboll

Tmushiq: Në Suharekë nuk merituam më shumë, tani japim çdo gjë për titull

Mikaile Tmushiq

Mikaile Tmushiq

Me rezultatin 60:41 nisi çereku i katërt i ndeshjes mes Golden Eagle Yllit dhe Trepçës. Ylli më pas realizoi edhe për 62:41 dhe fitorja e suharekasve më nuk vihej në dyshim. 21 pikë megjithatë është dallim i madh.

Ide të tjera kishte Mikaile Tmushiq, fundori luftarak i Trepçës. Tmushiq luajti pak në tre çerekët e parë në ndeshjen e së dielës në Suharekë dhe nuk kishte asnjë pikë të shënuar.

Ai fillimisht realizoi treshe për 62:44 në minutën e 31-të. Më pas realizoi edhe dy pikë për 62:46. Trepça e udhëhequr nga Tmushiqi, realizoi seri 10:0 për më pak se dy minuta dhe u afrua në 62:51.

Tmushiq vetëm sa po ndizej. Realizoi tjetër treshe për të ngushtuar rezultatin në 66:58. 41 sekonda para fundit realizoi edhe një herë për tri pikë për të ngushtuar rezultatin në 78:74. Dhe 14 sekonda pa përfunduar ndeshje realizoi edhe një herë nga largësia, madje nga pozitë shumë e vështirë, për të afruar rezultatin në vetëm një pikë, 80:79. Jan Palokaj i humbi dy gjuajtje të lira në anën tjetër të fushës, por gjuajtja përfundimtare e Devonte Upsonit nuk përfundoi në kosh. Kështu Yllit i takoi fitorja me rezultat 80:79, por tifozëve të Trepçës ua mbushi zemrën shpërthimi i Tmushiqit në çerekun e katërt. Ai ndeshjen e përfundoi me 17 pikë, tri kërcime e tri asistime. Ishte më i miri te Trepça, kurse të gjitha pikët i realizoi në dhjetëminutëshin e fundit.

Tani rezultati në serinë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll është 1:1. Ndeshja e tretë finale e plejofit është të enjten prej orës 19:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.

“Ashtu si ka thënë edhe trajneri, thjeshtë nuk kemi merituar të fitojmë në Suharekë pasi nuk ishim mjaftueshëm agresivë gjatë gjithë 40 minutave. Dhjetë minutat e fundit ishin përpjekje për ta ruajtur nderin dhe tentim për ta nxjerrë ndeshjen. Por sërish nuk kemi merituar të fitojmë”, ka thënë Tmushiq të martën për KOHËN.

Ai nuk ka komentuar paraqitjen individuale në atë çerek, duke u fokusuar në paraqitjen e gjithë skuadrës.

Tmushiq po shquhet me angazhimin e madh dhe ka bërë tifozët mitrovicas për vete me këtë. Te Trepça po luan me mesatare prej 8,7 pikëve, 3,6 kërcimeve e 3,2 asistimeve. Mesatarisht në parket i kalon 24,8 minuta për ndeshje. Kontributi i tij megjithatë është më i madh se pikët, kërcimet e asistimit. Është edhe energjia që jep për skuadrën e po ashtu loja në mbrojtje.

Trepça ka fituar Kupën e Kosovës, Superkupën dhe Ligën Unike këtë edicion. Po e kërkon titullin e parë pas 12 vjetësh.

Reprezentuesi i Kosovës, Tmushiq, tashmë ka përvojë të gjatë në Superligë. Ka luajtur për Bashkimin, Prishtinën dhe Golden Eagle Yllin, ndërsa prej vitit 2022 është te Trepça. I ka tre tituj e tri kupa të Kosovës.

31-vjeçari e di se sa shumë e duan tifozët mitrovicas titullin e kampionit.

“Gjëja e vetme që duam, i gjithë qyteti dhe të gjithë ne, është ta fitojmë titullin e kampionit. Do të japim çdo gjë nga vetja që të realizojmë këtë, nëse Zoti do”, ka thënë Tmushiq.

Kampion shpallet ekipi që i shënon tri fitore. Ndeshja e pestë eventuale do të luhet po në Mitrovicë.