Basketboll

Tjetër humbje e thellë e Pejës në Greqi

Marouss

Peja e ka humbur me rezultat të thellë edhe ndeshjen e dytë nga Maroussi grek.

Të enjten mbrëma në afërsi të Athinës në Greqi, Peja u mposht me rezultatin 106:81. Ndeshjen e parë, të luajtur të martën po në Maroussi, Peja e humbi me shifrat 98:75.

Kështu Maroussi avancon nga kualifikimet në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup. Peja duhet ta pres të premten për të kuptuar nëse është njëra prej tri skuadrave humbëse me bilancin më të mirë, që po ashtu do t’ia siguronte biletën për stinorin e rregullt. Por kjo ka fare pak gjasa të ndodhë.

Në ndeshjen e së enjtes, Peja ishte para në pjesën e parë. Madje në dy raste krijoi epërsi deri në 10 pikë.

Dallimi u bë në çerekun e tretë, në të cilin grekët luajtën me përbërjen më të fortë dhe shfaqën nivelin që kanë. Çereku i tretë përfundoi 32:13 për Maruossin dhe kështu periudha e katërt ishte formalitet. Edhe periudhën e katërt e fitoi Maroussi, 24:15.

Peja është pajtuar që dy ndeshjet t’i luaj në Greqi, ndonëse ndeshja e së enjtes është dashur të zhvillohet në Pejë. Sipas klubit të verdhë kjo u bë për shkak të telasheve në palestrën “Karagaçi”. Por mediat greke një muaj më parë kishin raportuar se dy ndeshjet do të luhen në Greqi. Kjo kishte ndodhur pasi basketbollisti serb i Maroussit, Miroslav Radulica kishte shkruar në një koment “Kosovo and Metohija, Serbia”. Më pas kishte komente fyese të shqiptarëve ndaj Radulicës. Dhe mediat greke menjëherë njoftuan se dy ndeshjet luhen në Greqi.

Radulicës në ndeshjen e parë nuk ia dha dorën basketbollisti i Pejës, Andi Ahmeti. Të enjten Radulica  nuk është parë në transmetim të jetë përshëndetur me basketbollistët pejanë pas ndeshjes.

Shahada Wells ishte më i miri te Peja me 25 pikë.