Basketboll

Superliga e basketbollit nis me befasi, Vëllaznimi fiton ndaj Pejës

KB Vëllaznimi

Edicioni i ri i elitës së basketbollit kosovar ka nisur të shtunën dhe me befasi. 

Vëllaznimi i Gjakovës të shtunën në palestrën “Shani Nushi” fitoi ndaj Pejës. 

“Kuqezinjtë” fituan me rezultatin 73:65 ndaj pejanëve në nisje të kampanjës së re dhe vendimtare ishte periudha e dytë. 

Peja fitoi 17:13 në çerekun e parë, ndërsa në çerekun e dytë, Vëllaznimi u kthye fuqishëm duke e fituar dhjetëminutëshin me shifrat 31:20, për të shkuar në pushim me shtatë pikë epërsi, 44:37. 

Në fund të çerekut të tretë, Vëllaznimi shkoi deri në 12 pikë dallim ndaj Pejës dhe nuk lejoi befasi deri në fund të ballafaqimit. 

Çerekun e tretë, vendësit e fituan me rezultatin 15:13, ndërsa në periudhën e fundit humbën 15:14, por kjo nuk e vuri në rrezik fitoren. 

Qendra nigeriane i gjatë 210 centimetra, Jason Jitoboh, ishte më i dalluari në fitore me dyshifror të dyfishtë prej 13 pikëve e 13 kërcimeve. Ai shtoi edhe dy asistime. 

Kontribut dhanë edhe Shizz Alston dhe Trey Anderson. Alston pati 28 pikë, katër kërcime e dy asistime, kurse Anderson shënoi 13 pikë, shtatë kërcime e dy asistime. 

Kapiteni Atik Koshi pati tetë pikë. 

Pejës nuk i ndihmuan 18 pikët, gjashtë kërcimet e katër asistimet e Shahade Wellsit.