Basketboll

Sigal Prishtina synon t’ia shkaktojë humbjen e parë Bashkimit

basketboll

Bashkimi është skuadra e vetme pa humbje në nisje të edicionit të Superligës së Kosovës në basketboll. Ka rreshtuar pesë fitore, duke e mposhtur kampionen në fuqi Trepçën në xhiron e parë, e më pas fitoi edhe ndaj Vëllaznimit, Proton Cable Prizrenit, Borës e Golden Eagle Yllit. Në vendin e dytë pas pesë ndeshjeve të luajtura është Sigal Prishtina që ka bilanc prej katër fitoreve e një disfate. Por të shtunën në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, Bashkimi synon që të shkëputet edhe më shumë, kurse Sigal Prishtina kërkon t’i bashkohet prizrenasve në krye të tabelës, njëkohësisht, t’ia shkaktojë humbjen e parë atyre. Ndeshja nis në orën 19:00.

Sigal Prishtina pësoi disfatë në xhiron e parë nga Proton Cable Prizreni, skuadra tjetër prizrenase. Por, Daniel Lekndreaj synon që me bashkëlojtarë, ta shfrytëzojnë ecurinë e katër fitoreve të njëpasnjëshme.

“Forma e mirë e jona në ndeshjet e fundit në njërën anë dhe seria e Bashkimit pa humbje, padyshim se paralajmërojnë derbi të vërtetë, me një atmosferë të zjarrtë”, thotë Lekndreaj për KOHËN të premte.

Lekndreaj e di mirë se “bardhekaltrit” duhet të shfaqin më të mirën për ta mposhtur Bashkimin të shtunën mbrëma.

“Ne kemi punuar mirë dhe sigurisht që shkojmë në Prizren për fitore. Por nuk do të jetë e lehtë sepse Bashkimi ka ekip të mirë dhe këtë veçse e ka dëshmuar. Mbi të gjitha, në Prizren besoj se na pret një spektakël basketbolli”, ka deklaruar Lekndreaj.

Ndeshje të niveluar presin edhe te skuadra e Bashkimit.

Mack Smith, njëri prej më të mirëve te kjo skuadër, ka thënë se Bashkimi është gati për lojë.

“Ndeshja e radhës është shumë e rëndësishme, por ne do të jemi gati. Nëse vazhdojmë të luajmë mirë në mbrojtje dhe ta qarkullojmë topin në sulm, ne do të fitojmë. Duhet të jemi të fokusuar në gjithë ndeshjen dhe t’i besojmë njëri-tjetrit për të arritur tjetër fitore”, ka thënë Smith.

Edhe Altin Morina shpreson që Bashkimi të dalë fitues në fund. Ai mbështetet edhe në përkrahjen e tifozëve.

“Pritet të jetë ndeshje shumë e baraspeshuar, duke e ditur ecurinë e dy ekipeve të cilat po kalojnë formë shumë të mirë. Mirëpo, luajmë në shtëpi dhe me përkrahjen e ‘Arpagjikëve’, shpresojmë ta vazhdojmë serinë e fitoreve”, ka theksuar Morina.

Ndërkohë, Meriton Ismaili thotë se e njohin mirë kundërshtarin e së shtunës.

“Pas serisë 5:0, jemi të përgatitur nga e hëna për ndeshjen ndaj Sigal Prishtinës. I njohim disa lojtarë të tyre. Jemi të motivuar për këtë lojë, pasi luajmë para tifozëve tanë. Presim rezultate pozitive dhe synim e kemi të vazhdojmë me këtë ritëm”, është shprehur Ismaili.

Para ndeshjes derbi mes Bashkimit e Sigal Prishtinës, zhvillohet edhe dueli tjetër i fortë, ai mes Trepçës dhe Pejës, që nis në orën 17:00 dhe luhet në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.

Trepça i fitoi të gjithë trofetë në sezonin e kaluar, por fillimi i këtij edicioni ka qenë i vështirë. Trepça është në vendin e tretë me tri fitore e dy disfata, kurse Peja e katërta ka dy fitore e tri humbje.

Golden Eagle Ylli i pesti dhe Vëllaznimi i gjashti kanë po ashtu të njëjtat statistika.

Bora dhe Proton Cable Prizreni janë në dy pozitat e fundit me nga një fitore e katër humbje.

Të dielën nga ora 17:00, Vëllaznimi e pret Golden Eagle Yllin, kurse Proton Cable Prizreni ballafaqohet me Borën.