Basketboll

Sigal Prishtina në gjysmëfinale të plejofit

Sigal Prishtina - Basketboll

Sigal Prishtina e ka mposhtur sërish Vëllaznimin e Gjakovës dhe ka avancuar në gjysmëfinale të plejofit të elitës së basketbollit kosovar.

Prishtinasit të enjten mbrëma fituan me rezultatin 83:73 në “Pallatin e Sportit” në Prishtinë, në ndeshjen e tretë të serisë së çerekfinaleve.

Me rezultatin 72:63, “bardhekaltrit” e fituan ndeshjen e parë, ndërsa në duelin e dytë, “kuqezinjtë” kishin triumfuar 66:65.

Por, në ndeshjen e tretë, vendësit nuk lejuan befasi dhe tani në gjysmëfinale përballen me Trepçën.

Kryeqytetasit në pushim shkuan me rezultatin 48:35, ndërsa e ruajtën epërsinë edhe në periudhën e tretë e të katërt, për të fituar në fund me dhjetë pikë dallim.

Diamond Stone ishte i pandalshëm te Sigal Prishtina në këtë ballafaqim. Ndeshjen e mbylli me 28 pikë e 11 kërcime.

Malcolm Armstead kontribuoi me 14 pikë, tri kërcime e katër asistime.

Vëllaznimit nuk i ndihmoi loja e mirë e Myreon Jonesit, që shënoi 22 pikë, dy kërcime e tri asistime.

Në fundjavë nisin ndeshjet gjysmëfinale të plejofit.

Trepça skuadrën e Sigal Prishtinës e pret në palestrën “Minatori” në ndeshjen e parë, kurse Peja luan kundër Golden Eagle Yllit në “Karagaçi”.