Basketboll

Sigal Prishtina kërkon vetëm arbitra vendorë në plejof

Sigal Prishtina

Sigal Prishtina ka kërkuar që gjyqtarët në plejofin e elitës së basketbollit kosovar të jenë vendorë.

Skuadra kryeqytetase ka reaguar të mërkurën nëpërmjet një komunikate në faqen zyrtare.

“Jemi për gjykim të drejtë, gjyqtarë me integritet të plotë dhe short për caktimin e gjyqtarëve të ndeshjes”, e nis komunikatën skuadra “bardhekaltër”.

Vitin e kaluar, Sigal Prishtina kishte shkruar se ka pasur tentim për të korruptuar gjyqtarët grekë, Kardaris dhe Zacharis, që ata ta ndihmojnë Trepçën.

Me komunikatë kishte dalë edhe Trepça që kishte mohuar akuzat e tentimit për kurdisje të ndeshjeve.

“KB Sigal Prishtina, ashtu siç ka deklaruar vitin e kaluar dhe para pak kohësh në Kuvendin e Punës së FBK-së, mban qëndrimin se plejofi, sikurse edhe të gjitha ndeshjet tjera të sezonit, duhet të gjykohen nga gjyqtarët me integritet të plotë moral dhe me autoritet të lartë profesional, e kjo garanton gjykim të drejtë. Me plotësimin e këtyre kushteve, përparësi për neve duhet të kenë gjyqtarët vendorë. Kur ka gjykim të drejtë, nuk ka rëndësi nacionaliteti, sepse e kemi të freskët rastin skandaloz të gjyqarëve të huaj grekë, tashmë të suspenduar nga FIBA, me të cilin dëshmohet se tendencat e këqija antisportive dhe korruptive nuk lidhen me nacionalitetin, por me integritetin moral të atyre që për obligim duhet ta kenë ndarjen e drejtësisë dhe kurrsesi favoret e bastoret”, ka shkruar KB Prishtina.

KB Prishtina po ashtu ka kërkuar që gjyqtarët të jenë pjesë e shortit në praninë e mediave dhe të dihet saktë se kush janë ata.

Nuk ka ndonjë vendim publik që arbitra të huaj do të angazhohen për gjysmëfinale e finale të plejofit.

Çerekfinalet e deritashme janë drejtuar nga vendorët.