Basketboll

Sigal Prishtina fiton në sekondat e fundit

Basketboll

Sigal Prishtina e ka fituar me shumë vështirësi ndeshjen çerekfinale të “Final 8” Ligës Unike.

Kryeqytetasit mposhtën Besëlidhjen dhe kanë avancuar në gjysmëfinale të garës që po organizohet në Vlorë.

“Bardhekaltrit” të enjten mbrëma fituan me rezultatin 80:79. 

Skuadra e elitës së basketbollit të Shqipërisë ishte duke avancuar deri afro dy minuta pa u mbyllur ndeshja që pati fund dramatik.

Çerekun e parë, Besëlidhja e fitoi 28:9, kurse të dytin e fituan prishtinasit, 22:17.

Në fund të periudhës së tretë, Sigal Prishtina u afrua në tri pikë, 62:59.

Ndërkohë, periudha e fundit ishte vendimtare.

Barazimi i parë i rezultatit, 77:77, erdhi 1 minutë e 40 sekonda para fundit me dy pikët e Diamond Stone nga gjuajtja e lirë.

Philbert Walton Weekes më pas e shënoi një gjuajtje të lirë për 78:77 në të mirë të Besëlidhjes.

Më pas pati humbje të aksioneve nga të dyja skuadrat, kurse pikët e fitores së Prishtinës i shënoi Donte Clark. Ai realizoi për tri pikë pesë sekonda para fundit të gjithë takimit për 80:78 në të mirë të “bardhekaltërve”.

Në aksionin vijues të Besëlidhjes u shkaktua faull, ndërsa nga dy gjuajtjet e lira, Eldi Hysa e realizoi vetëm njërën për rezultatin përfundimtar 80:79, në të mirë të Sigal Prishtinës.

Julian Hamati bëri kërcim në sulm por dështoi të shënonte dhe ndeshja u mbyll me fitoren e “bardhekaltërve”.

Clark i Prishtinës ishte më i miri në statistika me 20 pikë, gjashtë kërcime e katër asistime, kurse Stone pati 26 pikë, gjashtë kërcime e dy asistime.

Hamiti ishte më i dalluari te Besëlidhja me 24 pikë, 16 kërcime e dy asistime.

Sigal Prishtina në gjysmëfinale do të luajë kundër Trepçës që të mërkurën e eliminoi Kamzën lehtësisht.

Ndërkohë, Peja do të ballafaqohet me Yllin në gjysmëfinalen tjetër.

Ndeshjet gjysmëfinale luhen të premten në orarin prej orës 16:00 dhe 19:00.

Të dielën luhet finalja dhe ndeshja për vendin e tretë.