Sigal Prishtina e ka shënuar fitoren e parë në edicionin 2024/2025 të Superligës së Kosovës në basketboll. Pasi u mposht nga Proton Cable Prizreni në kuadër të xhiros së parë, Prishtina të shtunën mbrëma mposhti Borën me rezultatin 96:82.
Kjo ishte ndeshja e parë e xhiros së dytë të kampionatit të Kosovës në basketboll. Prishtina fitoi dy çerekët e parë, 23:19 e 23:15, ndërsa në pjesën e dytë vetëm e konfirmoi fitoren ndaj skuadrës tjetër prishtinase.
Bora për herë të parë po garon në Superligë.
Damiree Burns udhëhoqi Prishtinën me 23 pikë e 13 kërcime. Jalen Moore i kishte 15 pikë e 11 asistime. Muhamedali Janjeva e ndihmoi fitoren me 21 pikë e gjashtë kërcime.
Te Bora nuk kryen punë 36 pikët e Ardarryl Clay. Jalen Graham i kishte 21 pikë e nëntë kërcime.
Bora në xhiron e parë kishte pësuar 74:67 nga Golden Eagle Ylli. Prishtina kishte pësuar nga Prizreni me shifrat 100:88.