Basketboll

Selektorë e ish-selektorë, basketbolli kosovar vazhdon të jetë atraktiv për trajnerë të huaj

Tabela e trajnerit te basketbollit

Të martën u zyrtarizuan dy trajnerë të rinj në klubet e Superligës së Kosovës në basketboll. Natyrisht, të dytë të huaj. 

Ka kohë që klubet pretenduese në Kosovë nuk llogarisin në trajnerë vendorë. Numri i trajnerëve të vendit është zvogëluar ndjeshëm. Trajnerët me përvojë janë larguar thuajse në heshtje, ndërsa të rinjtë e ata që vlerësohen me perspektivë janë kryesisht ndihmës të trajnerëve të huaj, punojnë me kategori të reja apo në nivele më të ulëta se Superliga.

Shtatë prej tetë trajnerëve të Superligës janë të huaj. Disa prej tyre edhe ndihmësit i kanë të huaj, pos vendorëve. 

I vetmi trajner vendorë në Superligë është Arbnor Rifati i Proton Cable Prizrenit. Kjo skuadër është e fundit në tabelë, ndërsa Rifati është më shumë se trajner në klub. Është personi kryesor në klubin prizrenas. Për Proton Cable Prizrenin është sfidë mbetja në Superligë, ndërkohë që shumica e klubeve të tjera i synojnë trofetë. Dhe ata besojnë se do t’i fitojnë duke ua besuar skuadrën trajnerëve të huaj.
Të martën Golden Eagle Ylli e zyrtarizoi sllovenin me përvojë, Alesh Pipan. 65-vjeçari ka përvojë shumë të gjatë, ndërsa ka fituar trofe në Slloveni, Poloni e Maqedoni të Veriut. Po ashtu ka drejtuar përfaqësueset e këtyre tri vendeve. 

Ylli e nisi edicionin me një trajner amerikan, pak të njohur. Ai u largua në mungesë rezultatesh dhe skuadrën për shumë javë e drejtoi Endrit Elshani. Por për fazën kryesore të kampionatit suharekasit i besuan Pipanit me përvojë.

“I njohur për strategjitë e tij të shkëlqyera dhe aftësinë për të zhvilluar ekipe fitimtare, Pipan sjell me vete një përvojë të jashtëzakonshme dhe një frymë të pathyeshme fitoreje. Filozofia e tij e bazuar në disiplinë dhe bashkëpunim na jep besim të plotë se ai do të jetë udhëheqësi i duhur për ekipin tonë. Le t’i urojmë mirëseardhjen njërit prej mendjeve më të mëdha të basketbollit dhe të bëhemi gati për një sezon të paharrueshëm”, ka shkruar Ylli.

Ndërkohë Bashkimi i ka besuar trajnerit të ri kroat, Sasha Jankoviq. Ai është në fazë të hershme të karrierës, ndërsa për dy vjet e udhëhoqi skuadrën sllovake, Prievidza. Me këtë skuadër këtë edicion u paraqit në fazën grupore të FIBA Europe Cup.

Bashkimi e nisi edicionin me trajner nga Maqedonia e Veriut. Pas largimit të tij për mungesë rezultatesh, skuadrën për javë të tëra e drejtuan ndihmësit. Tani titullin prizrenasit e kërkojnë me kroatin Jankoviq.

Trajner slloven ka edhe Peja. Bëhet fjalë për Sebastjan Krashovec, që është dukshëm më pak i njohur se Pipani, por që ka punuar në disa vende, kryesisht në Hungari. Për Pejën është trajneri i tretë këtë edicion dhe natyrisht i treti i huaj.

Te Vëllaznimi po e çmojnë punën e kroatit Jeronimo Sharin. Sukseset e arritura me Sharinin kanë bërë që në Gjakovë të kthehen edhe tifozët. Ai më parë ka drejtuar edhe Sigal Prishtinën, Bashkimin e Pejën.

“Te Vëllaznimi çdo gjë është në rregull. Po funksionojnë të gjitha gjërat dhe vetëm shpresoj të vazhdojmë me këso rezultate”, ka thënë Sharin.

Trepça ka disa vjet që i beson plotësisht boshnjakut Adis Beqiragiq. Beqiragiqi ka edhe shtetësi turke, vend në të cilin ka qëndruar për shumë vjet. Me Beqiragiqin, Trepça po ka suksese kulmore në basketbollin kosovar. Beqiragiqi është edhe selektor i Bosnjë-Hercegovinës dhe çmohet në vendin e tij.

Trajner të huaj ka edhe Bora e Prishtinës, që për herë të parë luan në Superligë. Bora drejtohet nga malaziasi Danilo Rakoçeviq. Sigal Prishtinën prej fillimit të edicionit e drejton turku Murat Bilge.
Për mbi dy dekada basketbolli kosovar është atraktiv për trajnerë të huaj. Shumë prej trajnerëve kanë ardhur e janë larguar pa lënë ndonjë gjurmë. Vlerësohet se shumë madje as nuk ishin të denjë për të drejtuar klubet kosovare, bazuar në punën që kanë bërë. Por drejtuesit e klubeve, shpesh herë pa njohuritë e duhura e pa lidhje të qëndrueshme, ua kanë dhënë rastin edhe plot trajnerëve me vlera të dyshimta. 

Por ka pasur edhe trajnerë që kanë shkruar histori dhe mbahen mend  për punën serioze dhe të madhe që kanë bërë. 

Basketbolli kosovar është atraktiv për trajner të huaj kryesisht për shkak të pagave të mëdha që ofrojnë klubet. Trajnerët e vendit janë dorëzuar plotësisht në “betejën” për punë dhe për këtë vazhdimisht kanë fajësuar drejtuesit e klubeve dhe politikën e tyre. Por shumë mendojnë se ata fillimisht duhet të jenë vetëkritikë për të kuptuar se pse anashkalohen nga klubet.