Basketboll

Rrugëtimi nga SHBA-ja që e solli Azemin te Vëllaznimi

Arian Azemi

Arian Azemi ishte më i dalluari në fitoren e Vëllaznimit ndaj Sigal Prishtinës të enjten mbrëma, në finalen e Ligës Unike.

Sfida ishte dramatike dhe u vendos pas vazhdimit prej pesë minutash.

Fundori Azemi ishte lider i skuadrës. E fitoi edhe epitetin e lojtarit më të vlefshëm të “Final 4” të Ligës Unike ku marrin pjesë skuadra nga Kosova e Shqipëria. Azemi në finale u shqua me 24 pikë, gjashtë kërcime e tri asistime.

“Jam ndier shumë mirë pas finales. Ishte ndeshje e madhe, isha gati. Kam ëndërruar për të luajtur lojë të mëdha si ajo. Kur i kam parë edhe tifozët më ka bërë të jem i gatshëm. Motivimi më vjen gjithmonë nga familja. Familja është çdo gjë për mua dhe e dija pse duhej të vija këtu dhe kisha punë për të kryer”, ka thënë Azemi të premten për KOHËN.

26-vjeçari i lindur në Brooklyn të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i trimëruar nga triumfi në Ligën Unike, synon edhe më shumë.

Thotë se me “kuqezinjtë” ende nuk ka mbaruar punë. Gara në Superligën e Kosovës është shumë e fortë, por Azemi thotë se Vëllaznimi ka skuadër shumë të mirë. Vëllaznimi zë vendin e pestë në tabelë me 37 pikë, aq sa ka edhe Golden Eagle Ylli në pozitën e gjashtë. Pikërisht Yllin, Vëllaznimi e mposhti në gjysmëfinale të Ligës Unike, 76:75.

“Kemi ende shanse për ta fituar kampionatin. Ka ende shumë punë, por kemi bërë një arritje të kënaqshme. Mund të shkojmë për ta fituar kampionatin. E vetmja skuadër që mund të na mposhtë është vetja jonë. Mendoj se kemi ekip të mirë, kemi bashkëpunim të mirë me njëri-tjetrin dhe gjithçka është mirë. Gjëja e vetme që mund të na ndalë është vetja jonë”, thotë organizatori i lojës së Vëllaznimit.

Rrugëtimi deri në Kosovë ka qenë i veçantë për Azemin. Ai flet në gjuhën angleze pasi është rritur në SHBA. Me basketboll thotë se ka nisur prej klasës së tretë, ndërsa e kuptoi më vonë se do të mbetet në këtë sport të cilin e vlerëson si gjënë më të rëndësishme.

“Nga klasa e tretë nuk jam ndalur. Kam luajtur në parqe me babanë, vëllain e vogël. Kemi luajtur basketboll, kemi gjuajtur nga pozita të ndryshme dhe kemi bërë lojërat e zakonshme të fëmijëve. Dhe prej klasës së shtatë apo të tetë, nisa të merresha seriozisht me basketboll. E kisha model edhe vëllain e madh që luante basketboll dhe thashë se do ta marrë seriozisht nga ky moment. Prej atij momenti, basketbolli ka qenë jeta ime”.

Azemi në Kosovë fillimisht karrierë ka bërë te skuadra e Istogut.

Ai ishte transferuar tek Istogu në Ligën e Parë, skuadër që udhëhiqej nga trajneri Fikret Shatri.

Një kushërirë e Azemit e kishte propozuar atë te trajneri Shatri, i cili i kishte besuar dhe ia kishte ofruar rastin.

“Një kushërirë e imja e ka njohur Fikret Shatrin nga turneu 3x3 dhe pas sezonit me kolegjet nuk kisha ndonjë ofertë. Kështu që ai ka pyetur nëse unë mund të vija të luaja këtu e kështu me radhë. Më erdhi shansi nga ekipi i Ligës së Parë, Istogu. Në sezonin tim të parë e fituam kampionatin dhe u ngjitëm në elitë, dhe prej asaj kohe jam munduar që të bëj emër”.

Azemi tek Istogu në edicionin e kaluar i zhvilloi 27 ndeshje, ndërsa pati mesatare prej 14,6 pikëve, 4,9 asistimeve e 4,4 kërcimeve.

Në edicionin aktual ka mesatare prej 9,7 pikëve, 4,3 asistimeve e 1,1 asistimeve për ndeshje. Por kontributi i tij shkon përtej pikëve, kërcimeve e asistimeve. Ai është prej vendorëve të rëndësishëm të Vëllaznimit, e gradualisht po shndërrohet në njërin prej lojtarëve më të rëndësishëm vendorë në Superligë.