Rezultate befasuese ka ofruar xhiroja e katërt e Ligës Unike në basketboll, ku marrin pjesë ekipe nga Superliga e Kosovës dhe nga elita e basketbollit të Shqipërisë.
Bashkimi i Prizrenit, që në edicionin aktual ka shfaqur formë të lartë dhe bashkë me Trepçën prijnë në Superligën e Kosovës, është mposhtur 84:76 nga Besëlidhja, liderja e Superligës së Shqipërisë.
Ndeshja i ka takuar Grupit A, ndërsa u zhvillua në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren të mërkurën mbrëma.
Mysafirët i fituan tre çerekët e parë, 23:22, 21:18, 23:19, ndërsa periudha e fundit u mbyll baras, 17:17. Fitorja i takoi Besëlidhjes me tetë pikë dallim.
Xander Bowers i kishte statistikat më të mira te mysafirët me dhjetë pikë, 13 asistime e katër krëcime. Marcellus Garrick kontribuoi në fitore me 17 pikë, dy kërcime e pesë asistime. Te Bashkimi më i miri ishte Dirk Williams me 19 pikë e 6 kërcime.
Besëlidhja prin në Grupin A me katër fitore e një disfatë, ndërsa Bashkimi është i treti me një fitore e tri humbje.
Humbje turpëruese ka pësuar Sigal Prishtina që u mposht në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër.
Prishtinasit, që në Superligën e Kosovës kanë vetëm një pikë më pak se Trepça e Bashkimi, pësuan disfatë me 31 pikë dallim, 88:57.
Sigal Prishtina, pavarësisht disfatës, mbetet në vendin e parë të Grupit B me tetë pikë, pas tri fitoreve e dy humbjeve. Vllaznia ka shtatë pikë me dy fitore e tri disfata, aq sa ka edhe Tirana.
Vllaznia në Superligën e Shqipërisë po lufton për mbijetesë, por ka dominuar plotësisht ndaj Sigal Prishtinës.
Dallimin ekipi nga Shqipëria e bëri në pjesën e parë, pasi fitoi në dy çerekët e parë 20:8 dhe 22:13. Epërsia vetëm u thellua në dy periudhat e fundit.
Prishtina u paraqit me vetëm tetë lojtarë, prej të cilëve asnjëri nuk ishte i huaj.
Vëllaznimi i Gjakovës ka fituar pa telashe në “Shani Nushi” ndaj Teutës së Durrësit, 93:69, në kuadër të Grupit A. Besëlidhja dhe Vëllaznimi kanë nga nëntë pikë në krye të tabelës.
Të mërkurën fitore shënoi edhe Golden Eagle Ylli, në kuadër të Grupit B. Ylli fitoi në udhëtim te Tirana 87:62, në ndeshjen e zhvilluar në Pallatin e Sportit “Farie Hoti”.
Sigal Prishtina dhe Golden Eagle Ylli prijnë në tabelën e Grupit B me nga tetë pikë.
Në Final 4 të Ligës Unike që do të zhvillohet në fund të muajit mars në Kosovë do të avancojnë dy skuadrat e para të Grupit A dhe Grupit B.