Basketboll

Prishtina fiton pas një kohe të gjatë ndaj Trepçës

Sigal Prishtina

Sigal Prishtina i ka dhënë fund serisë prej 13 humbjeve ndaj Trepçës. Madje këtë e arriti në palestrën e stërmbushur “Minatori” në Mitrovicë.

Prishtina të dielën mbrëma fitoi ndaj Trepçës në derbin e xhiros së katërt të Superligës së Kosovës në basketboll. Ndeshja përfundoi me rezultatin 82:76 në të mirë të ekipit mysafir.

Prishtina në fakt u shkëput herët në rezultat dhe mbajti epërsi deri në fund. Çereku i parë i takoi Prishtinës me rezultat 25:15, ndërsa skuadra prishtinase e fitoi çerekun e dytë me rezultat 26:19. Trepça u mundua të reagojë në çerekun e tretë, të cilin e fitoi 21:17.

Ndeshja u bë interesante në minutën e fundit. Pas dy tresheve të Desmond Cambridge Jr, Trepça u afrua në pesë pikë, 81:76, 56 sekonda para fundit. Prishtina e humbi aksionin pasues, por Trepça nuk realizoi më pas. Deri në fund u shënua vetëm edhe një pikë dhe fitorja i takoi Prishtinës.

Kishte tension në momente gjatë ndeshjes e një ndërprerje më të gjatë pesë sekonda para fundit. Lojtarët u larguan në drejtim të zhveshtores por u kthyen shpejtë, ndërsa edhe ndërhyrja e policisë ktheu qetësinë në palestër. 

Jaleen Moore udhëhoqi Prishtinën me 22 pikë e shtatë asistime. 16 pikë e gjashtë kërcime i kishte Josh Nzeakor, ndërsa Damiree Burns ndeshjen e përfundoi me 11 pikë e nëntë kërcime.

Cambridge Jr i kishte 17 pikë për Trepçën, por ai nisi të jetë i rëndësishëm shumë vonë. Malik Johnson i kishte 15 pikë e shtatë asistime, ndërsa Samuel Hunter i realizoi 16 pikë e tri kërcime.

Trepça në ndeshjen e kaluar u mposht nga Bashkimi në Prizren. Ka mposhtur Golden Eagle Yllin dhe Vëllaznimin. Prishtina në xhiron e parë u mposht nga Proton Cable Prizreni, ndërsa tani është në seri prej tri fitoreve. Para Trepçës mposhti Borën e Golden Eagle Yllin.