Basketboll

Pos “Sigal”, Prishtina e shton në emër edhe “Mercure”

Sigal Prishtina

Më 4 mars, klubi i basketbollit Prishtina e paralajmëroi në faqen zyrtare në Facebook ndeshjen e radhës në kuadër të Superligës së Kosovës. Postimi ishte prej pak rreshtave, i shoqëruar me një poster të ndeshjes e një poster me sponsorët e shumtë që i ka klubi. 

Por postimi nuk ishte i zakonshëm. Për herë të parë klubi prishtinas po e paraqiste emrin e ri “Sigal Prishtina Mercure”. Pra, emrit tradicional Prishtina klubi ia shtoi edhe emrin e sponsorit “Mercure”, pos atij “Sigal” që e ka për shumë vjet. 

Ky ndryshim u bë pa ndonjë paralajmërim e pa ndonjë sqarim. Prej atëherë, Prishtina në faqen zyrtare në Facebook e ka shkruar emrin si Sigal Prishtina Mercure.
Por ndryshimin e emrit nuk e ka zyrtarizuar ende në Federatën e Basketbollit të Kosovës. 

Në FBK e kanë parë këtë ndryshim të paparalajmëruar të emrit të klubit prishtinas. Nga Federata kanë thënë se nuk ka ndonjë ndalesë që Prishtina apo ndonjë klub tjetër ta shtojë edhe një sponsor në emrin zyrtar. 

Klubi zyrtarisht vazhdon të quhet Sigal Prishtina. 

“Nga Sigal Prishtina nuk ka ndonjë kërkesë me shkrim. Nga Sigal Prishtina kanë thënë se janë duke e testuar emrin me emrat e sponsorëve  para emrit të klubit dhe prapa emrit të klubit. Nga klubi kanë thënë se nuk kanë vendosur nëse do të vazhdojnë kështu, dhe për këtë arsye nuk kanë bërë kërkesë për ta ndërruar emrin në Federatë, te partnerët medialë dhe palët e tjera”, kanë thënë për KOHËN nga Federata e Basketbollit e Kosovës. 

Në Propozicionet e Garave të FBK-së nuk kufizohet se sa sponsorë mund të ketë klubi në emrin zyrtar. 

“Në garat shtetërore klubet paraqiten nën emrin zyrtar, gjegjësisht nën emrin e tyre të regjistruar. Pranë emrit zyrtar, klubet mund të përdorin edhe emrin e sponsorit dhe atë në gara, mediume, në punët komerciale dhe rastet e tjera për të cilat do të lajmërojnë me shkrim Komisionin e Garave para fillimit të edicionit”, shkruan në propozicione. 

Golden Eagle Ylli e Proton Cable Prizreni janë klubet e tjera të Superligës së Kosovës në basketboll që emrit ia kanë bashkuar emrin e sponsorëve. Por deri më tani dy sponsorë në emër nuk i ka përfshirë asnjë klub. 

Emrin e sponsorit “Sigal”, Prishtina e ka në emër për kohë të gjatë. Bëhet fjalë për klubin më të suksesshëm të basketbollit në vend, por që jo rrallë bën ndryshime pa i paralajmëruar ato dhe pa i sqaruar për tifozët e publikun.