Basketboll

Peja fiton me shumë mund, barazon serinë e gjysmëfinales

KB Peja

Peja ishte në epërsi ndaj Bashkimit në pjesën më të madhe të ndeshjes së dytë të serisë gjysmëfinale të plejofit të elitës së basketbollit kosovar. Madje, Peja kishte edhe epërsi prej 20 pikësh në fundin e pjesës së parë, 42:22. Por, Bashkimi, që stinorin e rregullt e përfundoi në vendin e parë, u kthye në lojë. U afrua shumë në rezultat në çerekun e tretë e të katërt, para se të kalonte në epërsi. Epërsinë 77:76, Bashkimi e arriti me pikët e Valon Bunjakut, dy minuta e 15 sekonda pa përfunduar takimi. Peja nuk u dorëzua dhe falë pikëve të Amin Hotit ktheu epërsinë 78:77, e po ashtu edhe entuziazmin në tribuna. Më pas Dardan Berisha realizoi katër pikë të tjera për 82:79. Dy pikë nga gjuajtjet e lira i shënoi edhe Darryl Morsell, për 84:79, rezultat me të cilin u mbyll edhe ndeshja e dytë gjysmëfinale. 

Berisha ishte më i miri i ndeshjes. Ai pati mbrëmje me shkëlqim, pasi realizoi 23 pikë, pesë kërcime e dy asistime. Rezultati i serisë gjysmëfinale tani është baras, 1:1. Bashkimi fitoi me 20 pikë dallim 81:61 në ndeshjen e parë, para tifozëve të vet. Takimi i radhës luhet të dielën në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. Skuadra që shënon tri fitore avancon tutje në finale, ku do të takohet me fituesin e gjysmëfinales tjetër mes Trepçës dhe Sigal Prishtinës. Edhe seria e ndeshjeve mes Trepçës dhe Sigal Prishtinës është 1:1.

Pjesën e parë, Peja e mbylli në epërsi prej 14 pikësh 46:32. Por pas pushimit të gjatë, Bashkimi u kthye fuqishëm. E fitoi çerekun e tretë 23:22 e të katërtin 24:16. Por, nuk ishte mjaftueshëm për ta shmangur disfatën, ndonëse fitoren e lëshoi nga duart vetëm në sekondat e fundit. 

Përveç Berishës, kontribut të madh në fitore dha edhe Benas Griciunas që shënoi 12 pikë, gjashtë kërcime e dy asistime. 

Morsell ndërkohë kontribuoi me 13 pikë, dy kërcime e dy asistime. 

Te skuadra e Bashkimit lojë të mirë pati sërish Jayveous Mckinnis. Ai shënoi 15 pikë, nëntë kërcime e tri asistime. Ndërkohë, Bunjaku i shënoi 11 pikë, tri kërcime e një asistim. 

Bashkimi tani kërkon tjetër fitore para tifozëve të vet, për t’iu afruar edhe më shumë finales, ndërsa Peja do të mundohet që të fitojë e më pas ta shfrytëzojë terrenin vendës. Peja në gjysmëfinale u kualifikua pasi e eliminoi skuadrën suharekase, Golden Eagle Yllin. Ndaj Yllit, Peja fitoi pas tri ndeshjeve, 2:1 në serinë e çerekfinales.