Basketboll

Peja e humb me rezultat të thellë ndeshjen e parë në Greqi

peja

Ashtu si pritej, Peja ka pësuar humbje në ndeshjen e parë të raundit kualifikues të FIBA Europe Cup. Të martën mbrëma në afërsi të Athinës, Peja pësoi nga skuadra greke Maroussi me rezultatin e lartë, 98:75.

Maroussi garon në elitën greke, që vlerësohet prej ligave më të forta në Evropë. Ndërkohë Peja nuk është në momentin më të mirë të saj. Peja është pajtuar që dy ndeshjet t’i zhvillojë në Greqi dhe kjo  vlerësohet dëshmi se në klubin kosovar janë thuajse të dorëzuar. Ndeshja e dytë, që do të duhej të zhvillohej në Pejë, luhet të enjten në Maroussi.

Grekët shfaqën nivelin që në çerekun e parë, të cilin e fituan 34:20. Pejanët reaguan në çerekun e dytë, duke e fituar me rezultat 23:20. Sërish në çerekun e tretë lojtarët e Maroussit shfaqën më tepër, duke triumfuar 20:15. Dhe në çerekun e katërt fitorja e skuadrës greke vetëm u konfirmua.

Darnell Cowart ishte më i miri te Peja me 21 pikë e pesë kërcime. Jawaun Daniels i kishte 17 pikë e katër kërcime. Shahada Wells i kishte 14 pikë, 10 asistime e pesë kërcime. Por i kishte edhe shtatë topa të humbur e shumë gjuajtje të pasakta. Jacquez Yow ndeshjen e përfundoi me 13 pikë e gjashtë kërcime.

Lojtarët vendorë të Pejës i kishin vetëm pesë pikë. Musa Mala i shënoi katër e Shëndrit Llapi një.
Te skuadra greke më i miri ishte Ismael Sanogo me 20 pikë e 10 kërcime. Qëndra serbe, Miroslav Radulica luajti vetëm 15 minuta,m ndërsa i kishte nëntë pikë e katër kërcime. 

Një muaj më parë, Radulica kishte shkruar “Kosovo and Metohija, Serbia” në një postim të klubit grek në “Instagram”. Më pas komente kishin bërë shumë shqiptarë dhe kjo u paraqit në mediat greke e më pas edhe në ato në Serbi. Dhe që një muaj më parë mediat greke kanë shkruar se dy ndeshjet e Pejës me Maroussin do të luhen në Greqi. Kjo, siç kishin raportuar mediat greke, do të bëhet për të shmangur ndonjë tension lidhur me basketbollistin provokues serb.

Por Peja njoftoi ditë më parë se dy ndeshjet luhen në Greqi për shkak të telasheve në palestrën “Karagaçi”. Njëjtë u deklarua edhe FBK-ja, ndonëse federata të martën vendosi që Superkupa e Kosovës për basketbolliste të zhvillohet pikërisht në “Karagaçi”.

Jo të gjithë tifozët e kanë pranuar lehtë vendimin e Pejës që dy ndeshjet të zhvillohen në Greqi. Ka pasur vlerësime se ndeshja do të mund të zhvillohej në ndonjë qytet tjetër të vendit, nëse “Karagaçi” ka telashe.

Aventura e Pejës në Evropë megjithatë pritet të përfundojë shpejtë. Në fazën grupore të FIBA Europe Cup do të paraqitet Trepça, që u zhvendos në këtë garë pasi u ndal në gjysmëfinale të kualifikimeve në Ligën e Kampionëve.


Peja 11 pikë prapa pas pjesës së parë

Peja po e luan në Greqi ndeshjen e parë me Maroussin, që i takon fazës kualifikuese të FIBA Europe Cup.

Skuadra greke po udhëheq  me 11 pikë dallim pas 20 minutave lojë, 54:43.

Maroussi në fakt llogaritej favorit i madh, por skuadra kosovare ishte e barabartë, sidomos në çerekun e dytë të cilin e fitoi 23:20.

Darnell Cowart shkëlqeu te Peja në pjesën e parë me 17 pikë e tri kërcime. Pejanët patën telashe në gjuajtje të lira, duke realizuar vetëm tri nga 11 tentime.