Peja e Ferizaj do tpërballen sërish kundër njëra-tjetrës në volejboll. Tani në kuadër të xhiros së tretë të ligës “Gjergj Kastrioti”. Ndeshja luhet të enjten nga ora 19:00 në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Është përballja e parë e tyre pas incidentit që ndodhi më 1 dhjetor në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj. Pas përfundimit të ndeshjes finale të Kupës së Federatës, të cilën e fitoi Ferizaj 3:2 në sete, lojtarët e Pejës dolën në tribunën anësore dhe kanë nisur një rrahje të ashpër me pak tifozë ferizajas që ishin aty. Ishin shkëmbyer shumë e shumë grushte.
Dy lojtarët e kampiones dhe fitueses së Kupës në volejboll, Pejës - Leutrim Mujaj dhe Arlind Kabashi u ndaluan për 48 orë, si të dyshuar për rrahjen e disa tifozëve të Ferizajt. U liruan të martën në procedurë të rregullt. Por, Mujaj dhe Kabashi nuk ishin të vetmit që rrahën tifozët ferizajas.
Federata e Volejbollit e Kosovës, përkatësisht Komesari i Garave suspendoi Mujajn e Kabashin si dhe katër volejbollistët tjerë të klubit Peja, Agron Nikçin, Kaltrim Berishën, Dardan Husajn dhe Gazmend Husaj. Shpejtë pritet të merret vendim edhe nga Komisioni Disiplinor i FVK-së.
Peja do të jetë pa gjashtë lojtarët e suspenduar dhe do ta ketë të vështirë ndeshjen kundër Ferizajt.