Basketboll

Panathinaikosi e fiton Euroligën

Panathinaikos

Skuadra greke Panathinaikos është kampione e Euroligës për edicionin 2023/2024. Të dielën në finalen dramatike në Berlin, Panathinaikosi mposhti Real Madridin me rezultat 95:80.

Ndeshja finale e ligës kryesore evropiane në basketboll u zhvillua në atmosferë të zjarrtë në “Uber Arena”.

Panathinaikosin e drejton trajneri i njohur turk, Ergin Ataman. Euroligën, Panathinaikosi e ka fituar për herë të shtatë. Së fundi Panathinaikosi ishte shpallur kampion i Euroligës në vitin e largët 2011. Ataman e kishte fituar Euroligën edhe me Efesin në dy raste.

Skuadra madrilene e fitoi 36:25 çerekun e parë. Por më pas nisi dominimi i skuadrës greke, që në fund fitoi me rezultat të thellë.

Kostas Sloukas udhëhoqi Panathinaikosin me 24 pikë. Kendrick Nunn i kishte 21 pikë, ndërsa Mathias Lessort i realizoi 17 pikë e gjashtë kërcime.

Te Real Madridi më i miri ishte Xhanan Musa me 15 pikë, pesë kërcime e katër asistime.

Në gjysmëfinale të “Final Four”, Panathinaikosi kishte eliminuar Fenerbahçen. Real Madridi kishte fituar ndaj Olympiacosit.