Duke ecur nga apartamenti deri te klasa dhe më pas në palestrën e basketbollit në Universitetin e Floridas, Olivier Rioux pozon dhjetëra herë – nganjëherë qindra herë – në ditë.
Me 2.36 metra gjatësi, Rioux është njeriu më i gjatë në kampus - në fakt në çdo kampus.
Është në vitin e parë në Universitetin e Floridas. Kanadezi mban rekordin e Guinnessit si adoleshenti më i gjatë në botë, dhe gjithashtu do të shkruajë historinë kur të luajë për Gators këtë stinor.
Djaloshi i njohur me nofkën “Oli” do të bëhet më i gjati që ka luajtur basketboll në ligën e kolegjeve në SHBA, duke ia thyer rekordin e Kenny Georget (2.31 metra)që kishte luajtur për UNC Asheville nga viti 2006 deri më 2008.
Ai është për 5 centimetra më i gjatë sesa ish-gjigantët e NBA-së, Gheorghe Muresan dhe Manute Bol, e afro tetë centimetra më i gjatë se Yao Ming, Tacko Fall e Shawn Bradley.
“Të bëjnë pyetje çdo ditë. Nuk ke as tre sekonda për vete kur del jashtë. Babai dhe vëllai im po ashtu janë të gjatë, jemi mësuar si familje me këtë vëmendje. Kështu është dhe nuk mund ta ndryshosh pasi njerëzit janë kuriozë”, thotë Rioux për “Associated Press”, të cilit i pëlqen të pikturojë në kohë të lirë.
Shokët e tij të kolegjit janë mësuar me të deri tash.
“Njerëzit normalisht më pyesin mua, ‘Je shumë i gjatë. A luan basketboll?’ Por asnjëri nuk ma bën këtë pyetje tash. Të gjithë e shohin atë. Është disi çmenduri”, thotë qendra Micah Handlogten që është afro 216 centimetra i gjatë.
Riouxit i pëlqen të qenit në qendër të vëmendjes. Ai mirëpret pyetjet dhe kërkesat për foto.
“Është mirë të flasësh me njerëz, sepse ata janë kureshtarë dhe nuk mund ta ndryshosh këtë”, thotë Rioux.
Ai ka punuar shumë për t’u përgatitur për basketbollin në nivel të kolegjeve në SHBA. Por, askush nuk pret që ai të jetë yll në këtë nivel, e veçanërisht jo menjëherë. Te ekipi i tij Gators presin që Rioux të jetë i pëlqyeri i tifozëve.
Trajneri Todd Golden parashikon se do të jetë diçka që nuk ka përjetuar më parë.
“Rreth 95 për qind e bisedave për skuadrën, me njerëz të zakonshëm, sillen rreth tij”, thotë Golden.
Rioux u rrit në Terrebonne, Quebec dhe e kuptoi në një moshë shumë të re se ishte ndryshe. Ai ishte më i gjatë se shumica e mësuesve të tij në shkollë fillore. Kaloi kufirin e 180 centimetrave qysh në moshën 8-vjeçare dhe arriti në kufirin e 210 centimetra para klasës së shtatë.
Nëna e tij është rreth 188 centimetra e babai i tij është 203 centimetra. Vëllai i tij është rreth 206 centimetra.
“Në shtëpinë tonë, kishim një mur ku unë dhe vëllai im mateshim. Dhe pastaj një ditë, vëllai im u ‘largua’”, tha Rioux, duke rikujtuar ditën kur u bë më i gjati në familje.
Në shtëpi në Kanada, Rioux ka një sërë gjërash të bëra me porosi për ta bërë jetën më komode, përfshirë shtratin. Por, në kampus, ai mezi përshtatet në mënyrë diagonale në një dyshek të madh.
Ai duhet përkulur për të kaluar çdo derë dhe shpesh godet kokën.
Filloi të luante basketboll në moshën 5-vjeçare dhe përfundoi në shkollën e mesme në Akademinë IMG në Sarasota, rreth tre orë në jug të Gainsesvillen.
Ai kishte oferta nga UC Irvine dhe Morehead State, por përfundoi në Florida.
Është një prej gjashtë lojtarëve të huajë në ekipin e trajnerit Golden.
Ai kishte luajtur në disa ngjarje të FIBA-s me përfaqësueset e të rinjve të Kanadasë, përfshirë në Botërorin U-19 të vitit 2023 dhe në Kupën e Amerikës U-18 këtë vit.
“Gjëja më e mirë është se ai ka potencial të luajë”, tha Golden. “Ai është më shumë sesa një djalë 236 centimetra i gjatë. Ai ka pasur momente vërtetë të mira në stërvitje, merr mësimet shumë mirë dhe jam i emocionuar që ta shoh se ku do të jemi pas një viti”, tha Golden.
Rioux ka bërë përparime në pak muaj. Lëvizshmëria dhe koordinimi i tij janë përshtatur, së bashku me kondicionin.
Rioux mund ta ngulisë pa kërcyer fare. Ai mban fanellën me numër 32 për shkak të dashurisë për Magic Johnsonin dhe Shaqillue O’Nealin.
Ai do të donte ta bënte lojën sipas qendrës kanadeze të Memphis Grizzlies, Zach Edey (2.24 metra) dhe francezit Victor Wembanyama (2.21 metra), i cili aktualisht konsiderohet si standardi i artë për basketbollistët e gjatë.
Pothuajse çdo foto e Riouxit bëhen virale.
“Ai nuk kërkon vëmendje, por gjithashtu nuk mërzitet kur njerëzit pyesin. Ai e përfaqëson këtë, sepse është pjesë e tij. Nëse dikush kërkon fotografi, ai thotë ‘po sigurisht’. Dhe ai gjithmonë ka buzëqeshje të ndritshme në fytyrë. Është e mrekullueshme”, thotë Handlogten.