Si pak basketbollistë amerikanë, Jalen Nesbitt, është kthyer në Kosovë për një edicion të dytë.
Ndonëse ka pasur telashe me një lëndim, Nesbitt po e gjen formën në momentin e duhur. Bashkë me të, fuqishëm po kthehet edhe Golden Eagle Ylli.
Në tri xhirot e kaluara, Ylli i Suharekës ka mposhtur skuadra pretendente për titull. Fillimisht e mposhti Trepçën me rezultat 82:74. Më pas fitoi thellë në udhëtim ndaj Sigal Prishtinës, 85:62. Ndërkohë të shtunën Ylli mposhti në Suharekë, Pejën me rezultat 72:64. Në xhiron e ardhshme, që është e 26-a, Ylli luan me liderin, Bashkimin, në Prizren.
Në tri fitoret e mëdha të suharekasve, Nesbitt ishte më i miri. Ndaj Trepçës i kishte 16 pikë, gjashtë kërcime e dy asistime. Ndaj Prishtinës ishte edhe më dominues me 18 pikë, 15 kërcime e pesë asistime.
Më i dalluari ishte edhe në fitoren ndaj Pejës, me 19 pikë e një kërcim. Në të tri këto ndeshje, amerikani me përvojë e kishte vetëm një top të humbur.
“Kemi fituar tri ndeshjet e fundit dhe kjo do të thotë se kemi nisur të kthehemi në rrugën e duhur. Por kemi ende rrugë për të bërë që të jemi ekipi që dëshirojmë të jemi”, ka thënë Nesbitt të hënën për KOHËN.
Bashkë me formën e Nesbittit është rritur edhe forma e lojtarëve të tjerë të ekipit suharekas. Merita të mëdha për këtë vlerësohet se ka trajneri i njohur slloven, Alesh Pipan. Ylli po paraqitet pa kapitenin Gëzim Morina, që është i lënduar, por të tjerët po ofrojnë më shumë se në pjesën e deritashme të edicionit. Artin Gashi po e shfrytëzon maksimalisht hapësirën, ndërsa të rëndësishëm janë edhe Jan Palokaj, Lis Shoshi, Malcolm Armstead, Arian Qallakaj, Derrick Wilson e ndonjë tjetër.
Ylli mbetet në pozitën e gjashtë, por në garë që në plejof të startojë nga pozita e pestë dhe eventualisht pozita e katërt.
“Synimi ynë i madh është të fitojmë kampionatin. Por për momentin synimi është të vazhdojmë të bëhemi më të mirë pas secilës ndeshje dhe pas secilës stërvitje. Po ashtu që të përmirësojmë gabimet e vogla që mund të na bëjnë pretendentë për titull”, ka shtuar Nesbitt.
Ai u kthye tek Ylli në fillim të nëntorit, pasi kishte shkëlqyer në kampionatin e kaluar me suharekasit.
Por këtë edicion i ka vetëm dhjetë paraqitje në Superligë dhe katër të tjera në Ligën Unike. Ka munguar shumë ndeshje për shkak të një lëndimi.
“E kam pasur të lënduar kyçin e dorës me të cilën gjuaj dhe për këtë arsye kam munguar në ndeshje. Por jam i gatshëm të ndihmoj skuadrën në pjesën finale të kampionatit. Jam i entuziazmuar për sfidat që na presin. Do të jetë argëtuese”.
Pas largimit nga Ylli e deri te kthimi në skuadrën suharekase, nuk ka luajtur diku tjetër. Thotë se ka pushuar, është martuar dhe ka shijuar muajt në shtëpi.
31-vjeçari ka luajtur në Spanjë, Sllovaki, Danimarkë dhe për të dytin edicion në Kosovë. Vjet Ylli në finale të plejofit u mposht nga Trepça.
“Në kampionatin e kaluar, top-ekipet ishin më të mira se tani. Këtë vit liga është dukshëm më e hapur dhe secili mund ta mposhtë secilin”, ka thënë Nesbitt, që po del të jetë “arma” kryesore e Yllit të Suharekës në synimin për të qëndruar gjatë në garën kampionale.