Basketboll

Në Ligën Unike nuk gabojnë as Vëllaznimi e Bashkimi

Në Ligën Unike nuk gabojnë as Vëllaznimi e Bashkimi

Në Ligën Unike – Grupi A të mërkurën mbrëma nuk kanë gabuar as dy skuadrat tjera të Superligës së Kosovës, Vëllaznimi e Bashkimi. 

Vëllaznimi në “Shani Nushi” e mposhti Besëlidhjen 85:75, ndërsa Bashkimi në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren fitoi 96:88 përballë Teutës. Bashkimi, pavarësisht fitores, nuk ka arritur që të avancojë tutje. 

Ndeshjet i kanë takuar xhiros së gjashtë të Ligës Unike. 

21 pikë, tetë kërcime e tri asistime i pati Trey Anderson i Vëllaznimit dhe i kishte statistikat më të mira në fitore, ndërsa Besëlidhjes nuk i ndihmuan 12 pikët, 19 kërcimet e dy asistimet e Philbert Weekesit. 
Mack Smith i kishte statistikat më të mira te Bashkimi në fitore. Ai për pak sa nuk realizoi “triple-double”. I kishte 12 pikë, tetë kërcime e dhjetë asistime. 

Te Teuta lojë të mirë pati Bryan Powell me 22 pikë, pesë kërcime e po aq asistime. 

Vëllaznimi i pari ka 11 pikë me 5 fitore e një humbje, ndërsa Besëlidhja e dyta ka dhjetë pikë me 4 fitore e dy disfata. 

Bashkimi i treti ka gjashtë pikë, ndërsa Teuta e fundit ka pesë pikë. 

Bashkimi e ka edhe një ndeshje për ta zhvilluar ndaj Teutës, atë të xhiros së tretë. 

Por, janë Vëllaznimi dhe Besëlidhja që kanë siguruar “Final 4” të Ligës Unike.