E përditësuar - Kosova ka fituar me shumë mund ndaj Azerbajxhanit.
Kosova mposhti azerët 81:79.
Ka shpresë për avancim tutje nga vendi i dytë, por duhet shikuar edhe rezultatet e dy grupeve tjera.
Ishte ndeshja e parafundit e parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2027.
Çereku i tretë i takon Azerbajxhanit
E përditësuar - Çereku i tretë mes Kosovës dhe Azerbajxhanit është mbyllur në të mirë të mysafirëve, 18:17, ndërsa rezultati i përgjithshëm është 60:59 në të mirë të Kosovës.
Kosova kishte epërsi edhe deri në nëntë pikë, 57:48, në periudhën e tretë të lojës.
Por, azerët hynë në ecuri pozitive të shënimit të pikëve dhe arritën që ta ngushtonin rezultatin.
Në fillimin e periudhës së fundit dhe vendimtare në këtë ndeshje, Kosova e ka vetëm një pikë dallim.
Kosova në epërsi, numri i shikuesve jo i madh
E përditësuar - Basketbollistët e Kosovës e humbën çerekun e parë 21:20, por kanë shfaqur lojë dukshëm më të mirë në periudhën e dytë dhe kanë shkuar në pushim me epërsi prej dy pikëve.
Pjesa e parë e ballafaqimit Kosova – Azerbajxhani, e parafundit e parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2027, përfundoi me shifrat 43:41, në të mirë të “Dardanëve”.
Në “Pallatin e Rinisë dhe Sportit” ku po zhvillohet ky ballafaqim, numri i shikuesve nuk ka qenë i madh, ndonëse lojtarët dhe zyrtarët e Federatës së Basketbollit të Kosovës, e kanë kërkuar një gjë të tillë.
Kosova ka gjasa të vogla për avancim tutje.
I duhet fitorja ndaj azerëve për të shpresuar në avancim tutje nga vendi i dytë.
Me statistikat më të mira pas 20 minutave lojë te Kosova ishte basketbollisti i Trepçës, Mikaile Tmushiq.
Tmushiq i pati 19 pikë, dy kërcime e po aq asistime.
Dardan Kapiti kontribuoi me 10 pikë, e tri kërcime, ndërsa Dardan Berisha i shënoi gjashtë pikë.
Valon Bunjaku, Gëzim Morina, Muhamedali Janjeva dhe Lis Shoshi, i kishin nga dy pikë.
Ndeshje e barabartë në kryeqytet mes Kosovës e Azerbajxhanit
Çerekun e parë të ndeshjes së parafundit të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2027 e ka fituar Përfaqësuesja e Azberbajxhanit.
Ndeshja po luhet në “Pallatin e Rinisë dhe Sportit” në Prishtinë.
Azerbajxhani është duke fituar pas dhjetë minutash ndaj Kosovës me rezultatin 21:20.
Kosova i realizoi dy pikët e para në ndeshje me Dardan Kapitin.
Por azerët e kthyen epërsinë në të mirë të tyre 8:5 pas afro tre minutash dhe nuk e lëshuan atë deri në fund të kësaj periudhe.
Basketbollisti i Trepçës, Mikaile Tmushiq, ishte më i dalluari te Kosova në këtë dhjetëminutësh me 10 pikë, një kërcim e dy asistime.
Kosovës i duhet fitorja për të shpresuar në kualifikim tutje nga pozita e dytë.
Aktualisht është në vendin e fundit me pesë pikë, sa i ka edhe Azerbajxhani në vendin e tretë.
Zvicra me 8 pikë dhe Irlanda me 6 pikë janë në dy vendet e para.