Të pakënaqur me praninë fizike në afërsi të koshit, në fillim të vitit drejtuesit e Trepçës e angazhuan qendrën amerikane, Michael Myers. 32-vjeçari nisi ngadalë. Madje në ndeshjen e parë e shënoi vetëm një pikë, kurse në parket i kaloi vetëm shtatë minuta. Jo të gjithë ishin të bindur me cilësitë e amerikanit me përvojë, sidomos në mesin e tifozëve.
Por Trepça i besoi qendrës së gjatë 206 centimetra dhe vendimi doli më se i qëlluar. Ka disa javë që Myers është prej qendrave më dominuese në ligë, nëse jo më dominuesi. Njërën prej ndeshjeve më të mira deri më tani e kishte të shtunën në “Minatori”. Dominoi plotësisht ndaj qendrave të Sigal Prishtinës në fitoren 80:65, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës. Myers i kaloi në parket gati 29 minuta. Gjatë kësaj kohe i kishte 19 pikë, pesë kërcime e pesë asistime. Së bashku me Tecele Cottonin dhe Drilon Hajrizin udhëhoqën Trepçën drejt fitores.
Ndeshja e dytë gjysmëfinale është të mërkurën nga ora 18:00 në Prishtinë. Për kalim në finale duhen tri fitore.
“Nuk ka të bëjë me mua. Ka të bëjë me përpjekjet e ekipit dhe jam i kënaqur me ekipin tim si tërësi. Është shumë mirë të luash në këtë ekip. Janë njerëz të mirë. Personalisht asnjëherë nuk jam i kënaqur derisa puna të kryhet. Ne jemi vetëm 1:0 në serinë gjysmëfinale të plejofit dhe shumë më tepër punë duhet të bëhet”, ka thënë Myers të martën për KOHËN.
Ai ka përvojë të gjatë e të suksesshme në basketbollin ndërkombëtar. Pas karrierës në SHBA, luajti për Bordeauxin në Francë. Më pas ishte në Estoni, Finlandë, Itali, Belgjikë, Çeki, Ukrainë, Kore të Jugut, Kazakistan, Greqi e Turqi. Ka fituar tituj në Belgjikë, Çeki e Ukrainë, ku ishte qendra më e mirë. Ka luajtur me shumë sukses edhe në Ligën e Kampionëve.
Ai ka një shpjegim për fillimin joimpresiv te Trepça. “Kisha fillim të ngadaltë pasi po kaloja në disa gjëra. Kam luajtur me një lëndim të vogël dhe për këtë arsye nuk po e shfaqja gjithë potencialin tim. Askush pos ekipit nuk e ka ditur këtë. E kam ditur se do ta tejkalojë dhe duke iu falënderuar përkrahjes së ekipit, e kam bërë pikërisht këtë. Por natyrisht njerëzit mendojnë se çka duan të mendojnë. Në basketboll ka raport dashurie dhe urrejtjeje. Të duan kur paraqitesh mirë dhe të urrejnë kur paraqitesh keq. Këtë thjesht e marr si nxitje kur dal në fushën e lojës”, ka theksuar Myers.
Ai tregon se nuk ka ditur shumë për Kosovën kur iu prezantua mundësia për të luajtur për Trepçën. Por e pyeti një shok që më herët kishte luajtur në Kosovë dhe ai ia tha fjalët më të mira.
“Por më duhej ta shihja edhe vetë. Të gjithë këtu e duan basketbollin aq shumë sa e dua edhe unë. Energjia e njerëzve këtu është e jashtëzakonshme dhe më ndihmon të vazhdoj para gjatë ndeshjeve”, thotë Myers.
Ai te Trepça po luan me 10,5 pikë e 7,8 kërcime për ndeshje. Qendër tjetër te Trepça është Dardan Kapiti, por kjo dyshe ndihmohet nga Drilon Hajrizi, Sammy Hunter dhe të tjerët.
Trepça është kampione në fuqi, ndërsa këtë edicion ka fituar edhe Kupën dhe Superkupën e Kosovës. Shquhet edhe për organizim dhe stabilitet financiar. Për këtë flet edhe amerikani Myers.
“Synimi im është të fitoj kampionatin. Ajo që Trepçën e dallon nga klubet e tjera mendoj se është që kemi tifozët më të mirë, përkrahjen më të mirë, trajnerët më të mirë, lojtarët më të mirë. Çdo gjë në klubin tonë është profesionale dhe e organizuar mirë. Çdo gjë në klubin tim funksionon aq mirë saqë nuk duhet të brengosemi se a do të paguhemi me kohë. Nuk kemi probleme për këtë dhe mund të fokusohemi vetëm në basketboll. Trepça, shtëpia gjelbër e zi, është bërë goxha shumë shtëpi e dytë e imja”, ka thënë Myers.