Në parket i kaloi më pak se 34 minuta. Por ndeshjen e përfundoi me më shumë pikë se minuta. Jericole Hellems po e udhëheq Vëllaznimin e Gjakovës në fazën vendimtare të kampionatit.
Amerikani i gjatë 201 centimetra, të shtunën shkëlqeu për Vëllaznimin në fitoren 90:73 ndaj Sigal Prishtinës në ndeshjen e dytë çerekfinale të plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll.
Hellems i realizoi 38 pikë, ndërsa i kishte edhe dhjetë kërcime e katër asistime. Ishte njëra prej paraqitjeve më bindëse të këtij edicioni nga një basketbollist në Superligë.
Vëllaznimi e barazoi në 1:1 rezultatin në serinë çerekfinale të plejofit. Ndeshja e tretë dhe vendimtare zhvillohet të mërkurën në Prishtinë.
Prishtina e kishte fituar 71:69 çerekfinalen e parë. 25-vjeçari Hellemsi ishte prej më të mirëve edhe në atë ndeshje. I kishte realizuar 20 pikë, ndërsa i kishte edhe tetë kërcime. Por është forma e shfaqur të shtunën në Gjakovë që trimëron tifozët e Vëllaznimit para ndeshjes vendimtare të çerekfinales.
Hellems po luan me mesatare prej 20,8 pikëve e 6,8 kërcimeve për ndeshje. Ishte basketbollisti më efikas i Superligës në stinorin e rregullt.
“Në çdo ndeshje dal në parket për të dhënë maksimumin dhe për të shënuar fitore. Ndeshja e kaluar me Prishtinën nuk dallon në këtë drejtim. Është e vërtetë që në çerekun e parë ishim shumë prapa. Por më pëlqen fakti që ekipi ynë luajti mirë dhe nuk u dorëzua. Në fund erdhi edhe fitorja”, ka thënë Hellems për KOHËN.
Palestra “Shani Nushi” në Gjakovë ishte e mbushur me shikues. Përkrahja për Vëllaznimin ishte e madhe.
“I dua tifozët. Ata na japin shumë dashuri dhe i bëjnë ndeshjet më interesante, nuk ka dyshime për këtë. Përkrahja e tyre do të thotë shumë për ne”, ka theksuar Hellems.
Vëllaznimi e mposhti Prishtinën në finale të Ligës Unike. Në atë ndeshje Hellems i kishte 14 pikë e shtatë kërcime.
Por më pas Prishtina i fitoi dy ndeshje ndaj skuadrës gjakovare, në xhiron e fundit të stinorit të rregullt e më pas në çerekfinalen e parë.
Prishtina do ta ketë përparësinë e terrenit në ndeshjen e së mërkurës, por Hellems është optimist.
“Besoj se kemi shans sa herë që dalim në fushën e lojës. Nuk ka rëndësi se me kë luajmë, ndonëse i respektojmë të gjithë”, ka theksuar Jericole Hellems.
Ai vlerësohet prej amerikanëve më cilësorë që këtë edicion luajnë në basketbollin kosovar.