Një edicioni shumë të gjatë e të mbushur me ndeshje interesante po i vjen fundi. Të dielën mbrëma zhvillohen ndeshjet e para të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Plejofi përcakton skuadrën kampione, përkatësisht skuadrën më të mirë të edicionit 2023/2024.
Por fillimisht duhet të caktohen skuadrat gjysmëfinaliste e më pas finalistet.
Në plejof paraqiten gjashtë skuadrat më të mira, prej tetë sa i ka gjithsej Superliga. Trepça si fituese e garës në stinorin e rregullt dhe Peja si e dyta në tabelë, u kualifikuan direkt në gjysmëfinale.
Golden Eagle Ylli, që përfundoi i treti, në çerekfinale të plejofit takohet me Bashkimin e vendit të gjashtë. Në çerekfinale luajnë edhe Sigal Prishtina e vendit të katërt me Vëllaznimin e vendit të pestë.
Të dielën prej orës 17:15 është ndeshja e parë mes Golden Eagle Yllit dhe Bashkimit. Po të dielën, por prej orës 20:00, takohen Sigal Prishtina e Vëllaznimi. Skuadra që shënon e para dy fitore, kualifikohet në gjysmëfinale. Në ndeshjet e treta eventuale, përparësinë e terrenit vendas do ta kenë Ylli e Prishtina, për shkak të pozitës më të mirë gjatë kampionatit të rregullt.
Në stinorin e rregullt janë zhvilluar plot 28 xhiro. Pra secila skuadër i kishte nga 28 ndeshje kampionale. Por Superliga nuk ishte gara e vetme. Skuadrat kanë luajtur edhe turnetë për Superkupë e për Kupë e po ashtu edhe turneun e Ligës Unike. Peja si kampione në fuqi dhe Trepça, kanë luajtur edhe në gara evropiane, përkatësisht në Ligën e Kampionëve dhe FIBA Europe Cup.
Për më tepër, Peja e Sigal Prishtina kanë vendosur të garojnë edhe në Ligën Ballkanike, garën me vetëm pesë skuadra dhe që tashmë nuk ka ndonjë vlerë. Ndeshjen e fundit e kanë të premten mes tyre, ndërsa më pas e kanë turneun final në këtë ligë.
Kështu që skuadrat kanë luajtur ndeshje të shumta dhe tani do të mundohen ta shfaqin më të mirën në garën për titull, garën kryesore.
Trepça ka fituar Superkupën e Kosovës, Kupën e Kosovës dhe Ligën Unike. Ishte në seri shumë të gjatë të fitoreve në kampionat, që përfundoi të enjten mbrëma në Suharekë, ku u mposht nga Ylli. Megjithatë “xehetarët” janë favoritët e mëdhenj në garën për titull të kampionit.
Por edhe skuadrat tjera, Peja, Ylli e Prishtina nuk vlerësohen pa gjasa.
Te Prishtina fillimisht janë të fokusuar që të sigurojnë gjysmëfinalen e plejofit. Hapin e parë prishtinasit e synojnë të dielën mbrëma, prej orës 20:00.
“Kemi pasur orar mjaft të ngjeshur. Çdo të dytën ditë po kemi ndeshje dhe normalisht ka pasur lodhje dhe lëndime në ekip. Të dielën na pret ndeshja e parë e plejofit me Vëllaznimin. Duhet të rikuperohemi sa më mirë për këto ndeshje me Vëllaznimin dhe të mos lejojmë ndonjë befasi. Duhet të japim maksimumin dhe të kualifikohemi në gjysmëfinale”, ka thënë basketbollisti i Prishtinës, Fisnik Rugova. Ai po jep kontribut të vlefshëm për skuadrën.
Vëllaznimi kishte orar më pak të ngarkuar. Nuk ishte i kualifikuar në Ligën Unike dhe u ndal herët në garën për Kupë.
Kështu që ekipi gjakovar ka pasur më shumë kohë për pushim dhe kjo mund të jetë përparësi në serinë çerekfinale ndaj Prishtinës.
“Jemi përgatitur si ekip këto ditët e fundit para plejofit. Jemi përgatitur për përballje me Prishtinën pasi e kemi ditur dy xhiro më herët kundërshtarin e çerekfinales. Jemi munduar t’i reduktojmë gabimet dhe jemi fokusuar pak më shumë te loja e kundërshtarit. Besoj që jemi përgatitur mjaftueshëm për të arritur rezultat pozitiv dhe të jemi konkurrues ndaj Prishtinës, pse jo edhe të kualifikohemi në gjysmëfinale. Besoj se kjo skuadër e ka mundësinë dhe talentin për të arritur këtë synim”, ka thënë kapiteni i Vëllaznimit, Atik Koshi.
Në kuadër të xhiros së fundit, Vëllaznimi e mposhti Prishtinën me rezultat 99:94 dhe ai rezultat mund të ketë trimëruar gjakovarët para plejofit.
Në xhirot e fundit formë të mirë ka treguar edhe Golden Eagle Ylli. Suharekasit të dielën synojnë hapin e parë të madh drejt gjysmëfinales, ndonëse Bashkimi nuk do të dorëzohet lehtë.
Çerekfinalet e plejofit
E diel
Golden Eagle Ylli – Bashkimi (17:15)
Sigal Prishtina – Vëllaznimi (20:00)