Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka dështuar të kalojë me sukses raundin e parë të parakualifikimeve evropiane për Kampionatin Botëror të vitit 2027. Kosova të dielën e luajti ndeshjen e fundit në Grupin A, ndërsa pësoi në Prishtinë nga Zvicra me rezultat 81:73. Kosova përfundoi e treta në grup me tetë pikë. Më lart se Kosova ishin Zvicra, që fitoi grupin, dhe Irlanda. Prapa Kosovës mbeti Azerbajxhani.
Në raundin e dytë të parakualifikimeve kaloi vetëm Zvicra.
Në fakt për Kosovën kjo ishte vetëm kampanja e radhës që përfundoi pa sukses të synuar.
Por kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, është krenar me ekipin përfaqësues.
FBK-ja të martën publikoi një qëndrim të Fetahut. Sipas tij, lojtarët e Kosovës në ndeshjen ndaj Zvicrës “treguan zemër dhe pasion për fanellën që përfaqësojnë”.
“Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për lojtarët e Përfaqësueses së Kosovës, të cilët dhanë maksimumin e tyre në çdo sekondë të lojës. Ata dëshmuan guxim, vendosmëri dhe shpirt luftarak, duke na bërë të gjithëve krenarë. Falënderimi më i sinqertë shkon për ta që na përfaqësuan me dinjitet dhe përkushtim”, ka shkruar Fetahu.
Kryetari i FBK-së ka falënderuar edhe shtabin teknik, duke vlerësuar përkushtimin dhe profesionalizmin e të gjithë trajnerëve.
Kosova tashmë i ka tri kampanja kualifikuese për Evropian e tri të tjera për Botëror. Vetëm në një rast, në vitin 2017, përfaqësuesja e basketbollit kaloi me sukses raund parakualifikimesh. Të gjitha kampanjat e tjera kanë përfunduar pa avancuar tutje.
Por në FBK nuk shprehen të brengosur për këtë. Kosova tani do të paraqitet në parakualifikimet për Eurobasket 2029. Pra, do të nisë rrugëtimin për një ngjarje që është pas plot katër vjetësh.
“Pavarësisht përfundimit të kësaj gare, ne nuk do të ndalemi këtu. Sytë tanë janë të drejtuar drejt së ardhmes – parakualifikimet për FIBA Eurobasket 2029, që do të fillojnë në nëntor të vitit 2025. Presim me padurim shortin gjatë verës dhe do të vazhdojmë përgatitjet me përkushtim dhe vendosmëri. Ne jemi të përkushtuar që të punojmë edhe më shumë me klubet dhe grupet e tjera të interesit për të zhvilluar basketbollin e të rinjve, të cilët janë e ardhmja e Përfaqësueses së Kosovës. E ardhmja është e ndritur dhe së bashku, me punë të palodhshme dhe përkushtim, do ta ndërtojmë atë”, është optimist Arben Fetahu.
Ai ka përmendur edhe suksese të reja, ndonëse me përfaqësuesen A, i vetmi i tillë është arritur tetë vjet më parë, pa llogaritur fitoret rrugës që nuk ishin të mjaftueshme për avancim në raundet e mëtejme.
Numri i basketbollistëve cilësorë vendorë vlerësohet i vogël dhe kjo po e penalizon përfaqësuesen.
Disa klube kanë buxhet që tejkalon një milion euro në vit, por pak prej këtyre parave shkojnë për zhvillimin e basketbollistëve të rinj. Dhe kjo konsiderohet njëra prej arsyeve që Kosova ka pak lojtarë e dështon të kalojë edhe raundet parakualifikuese.
Në raundin e parë të parakualifikimeve pos Kosovës janë ndalur edhe Irlanda, Azerbajxhani, Luksemburgu, Armenia e Shqipëria. Asnjëra prej këtyre vendeve nuk e ka popullor basketbollin sa Kosova dhe po ashtu ligën vendore nuk e ka të fortë sa Kosova.