Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll është paraqitur më mirë se ndaj Zvicrës, por sërish jo mjaftueshëm për të shënuar fitore.
Të dielën mbrëma në Dublin, Kosova humbi nga Irlanda me rezultat 91:85.
Për Kosovën ishte kjo ndeshja e katërt e raundit të parë të parakualifikimeve evropiane për Kampionatin Botëror 2027. Kosova mbetet me fitoren që e kishte shënuar ndaj Irlandës në Prishtinë me rezultat 83:76, më 22 skurt. Më 25 shkurt kishte humbur 87:77 nga Azerbajxhani në Baku. Ndërkohë dëshpëroi plotësisht të enjten në Bernë, ku pësoi 75:43 nga Zvicra. Është pritur reagim të dielën në Dublin, por ndonëse paraqitja ishte më e mirë, fitorja ishte sërish larg.
Malcolm Armstead shënoi për 2:0 në të mirë të Kosovës. Dhe më pas irlandezët i shënuan plot 22 pikë për 22:2. 1:36 sekonda para fundit të çerekut të parë, Gëzim Morina realizoi për 22:4. Irlandezët shënuan për 24:4 e më pas lojtarët e Kosovës “lidhën” disa pikë për 24:12, me të cilin rezultat përfundoi çereku i parë.
Në çerekun e dytë Kosova luajti dukshëm më mirë. E fitoi këtë dhjetëminutësh me 25:18. Rezultati pas 20 minutave lojë 42:37 në të mirë të Irlandës.
Epërsinë bindëse irlandezët e kthyen në çerekun e tretë, të cilin e fituan 31:21. Çereku i katërt përfundoi 27:18 për Kosovën. Derisa fitorja e Irlandës nuk u rrezikua, në fund lojtarët e Kosovës rritën përpjekjet për të pësuar humbje me rezultat më të ngushtë se fitorja në Prishtinë. Kjo mund të ketë rëndësi nëse Kosova e Irlanda përfundojnë me pikë të barabarta në fund.
Rron Ukaj ishte më i miri te Kosova me 10 pikë e tetë kërcime. Malcolm Armstead e përfundoi ndeshjen me 10 pikë e tetë asistime. Lis Shoshi i kishte 14 pikë e pesë kërcime, ndërsa më efikasi ishte Dardan Berisha me 15 pikë, por me shumë gjuajtje të humbura. Berisha i realizoi vetëm tri prej 13 tentimeve për tri pikë.
Kosova ishte pa Dominic Artisin, që sipas FBK-së ishte i lënduar. Ai u zëvendësua nga i natyralizuari tjetër, Armstead. Për shkak të lëndimit mungoi edhe Erjon Kastrati.
Po të dielën, Zvicra fitoi 85:55 ndaj Azerbajxhanit në Baku.
Zvicra i ka katër fitore nga po aq ndeshje dhe thuajse ka siguruar pozitën e parë. Irlanda është e dyta me dy fitore e dy humbje. Kosova e Azerbajxhani kanë nga një fitore e tri humbje. Fituesi i grupit avancon në raundin e dytë të parakualifikimeve. Avancon edhe përfaqësuesja me bilancin më të mirë në vendin e dytë, prej tri grupeve sa janë gjithsej.
Kosova dukshëm më e mirë në çerekun e dytë
Basketbollistët e Kosovës ishin dukshëm më të mirë në çerekun e dytë të ndeshjes ndaj Irlandës në Dublin.
Dhjetëminutëshin e dytë e fitoi Kosova me rezultat 25:18. Pas 20 minutave lojë rezultati është 42:37 për Irlandën.
Lis Shoshi i ka 10 pikë e 5 kërcime, ndërsa Gëzim Morina ka nëntë pikë e katër kërcime.
Fillim i zbehtë i Kosovës, po pëson 24:12 pas çerekut të parë
Kosova i shënoi dy pikët e para në ndeshjen ndaj Irlandës në Dublin. Por më pas nuk shënoi deri në minutën e nëntë dhe Irlanda ishte në epërsi 22:4.
Gëzim Morina më pas i shënoi pesë pikë rresht për 24:7. Mikaile Tmushiq shënoi treshe e Lis Shoshi për dy pikë dhe çereku i parë përfundoi 24:12.
Pikët në dy minutat e fundit bënë që çereku i parë të mos ishte shumë i dobët, ashtu si rrezikonte të jetë.
Malcolm Armstead i realizoi dy pikët e para.
Armstead në vend të Artisit te Kosova, mungon edhe Kastrati
Amerikani i natyralizuar, Dominic Artis i mungon Kosovës. Sipas njoftimit të Federatës së Basketbollit të Kosovës ai është i lënduar. Artis u paraqit në ndeshjen me Zvicrën, por nuk bëri ndonjë ndryshim.
Në vend të Artisit do të jetë Malcolm Armstead. Ndërkohë i lënduar është edhe Erjon Kastrati.