“Nuk ishte nata jonë” kishte deklaruar kapiteni i Kosovës në basketboll, Dardan Berisha, pas disfatës së thellë 75:43 të enjten mbrëma në Bernë të Zvicrës. Kosova shfaqi njërën prej ndeshjeve më të dobëta. Vetëm gjashtë pikë kishin shënuar “Dardanët” në çerekun e dytë, ndërsa vetëm tri pikë në dhjetëminutëshin e fundit. Dhe disfata në fund ishte e pashmangshme. Menjëherë pas ndeshjes së vështirë ndaj Zvicrës që nuk shquhet për nivel të lartë të basketbollit, te Kosova synojnë këndelljen në një tjetër udhëtim.
Të dielën nga ora 18:00, Kosova e drejtuar nga selektori francez, Jean-Denys Choulet, luan kundër Republikës së Irlandës në Dublin, në kuadër të Grupit A të raundit parakualifikuese për Kupën e Botës 2027.
Zvicra prinë me gjashtë pikë në grupin me katër skuadra. Në tri ndeshje ka po aq fitore. Irlanda në vendin e dytë, Kosova e treta dhe Azerbajxhani i fundit, kanë nga katër pikë, pas një fitoreje e dy humbjeve.
Kosova fitoren e vetme në kualifikimet aktuale për Kupën e Botës 2027 e kishte arritur më 22 shkurt të këtij viti pikërisht ndaj Irlandës, në fitoren 83:76. Më 25 shkurt pësoi humbje me dhjetë pikë dallim, 87:77, nga Azerbajxhani në Baku. Azerbajxhani në këtë muaj u mposht nga Irlanda 91:67.
Kapiteni Berisha synon tjetër fitore ndaj Irlandës në këtë cikël kualifikues. Berisha të shtunën për faqen zyrtare të Federatës së Basketbollit të Kosovës, foli për ndeshjen që i pret, ndërsa e ka përmendur sërish paraqitjen jo të mirë të Kosovës ndaj helvetikëve.
“Ndeshja e radhës është me Irlandën të cilën e kemi mposhtur në Prishtinë, por kjo do të jetë ndeshje tjetër. Është shumë e rëndësishme për ne pas humbjes me Zvicrën, ku nuk ka qenë fytyra jonë e vërtetë”, ka deklaruar Berisha.
Basketbollisti i Pejës, skuadrës u kthye pas dy edicioneve të kaluara te Sigal Prishtina, vazhdon të mbetet prej lojtarëve kryesorë vendorë të Kosovës, bashkë me Drilon Hajrizin. Hajrizi nuk luajti ndaj Zvicrës shkaku i një operimi që kishte muaj më parë.
“Shpresoj që të dielën do të tregojmë fytyrën tonë të vërtetë. Do të luftojmë për çdo top dhe si mysafir të fitojmë ndaj një ekipi shumë të papërshtatshëm. Pastaj do të përgatitemi për ndeshjet e muajit shkurt të cilat do të jenë shumë të rëndësishme për kalimin e fazës së grupeve”, është shprehur Berisha.
Kosova ndeshjet e raundit të parë parakualifikues të Kupës së Botës 2027, i mbyll në shkurt të vitit të ardhshëm.
Të dyja ballafaqimet i luan në shtëpi, ndaj Azerbajxhanit më 20 shkurt dhe ndaj Zvicrës tre ditë më pas.
Vetëm fituesit e grupeve dhe vendi i dytë më i mirë nga Grupi A, B dhe C, avancojnë në fazën tjetër kualifikues të Botërorit që pas tre vjetësh organizohet në Katar.