Kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça, e ka humbur edhe ndeshjen e parafundit të fazës së grupeve në “FIBA Europe Cup”. Trepça humbi nga Ludwigsburgu gjerman me 33 pikë dallim, 87:54.
Ludwigsburgu i fitoi katër çerekët. Të parin e fitoi 15:11, ndërsa shumë thellë i fitoi edhe tri çerekët e fundit. Çerekun e dytë e fitoi 25:13, të tretin 25:16 dhe të fundit 22:14.
Më efikasi te skuadra mitrovicase ishte Larry Thomas. Ai shënoi 18 pikë, ndërsa pati edhe tre kërcime e dy asistime. Mikaile Tmushiq pati 14 pikë, tre kërcime e një asistim, derisa nga tri pikë shënuan edhe Malik Johnson, Batin Tuna dhe Erjon Kastrati. Joel Scott ishte më i miri te skuadra gjermane me 20 pikë e gjashtë kërcime, derisa Erza Manjon-Van Ewyk shënoi 17 pikë, pesë kërcime e tetë asistime. Justin Simn i pati 16 pikë, tre kërcime e një asistim.
Për mitrovicasit ishte humbja e pestë në po aq ndeshje, përfshirë edhe humbjen në duelin e luajtur në Mitrovicë kundër ekipit gjerman. Atë ndeshje gjermanët e fituan po ashtu thellë, 70:57.
Pas duelit me Ludwigsburgun, Trepça ndeshjen e fundit e luan në udhëtim ndaj skocezëve të Caledonia Gladiators.
Për Trepçën, kjo është hera e dytë rresht që paraqitet në fazën grupore të garës së FIBA-s, “FIBA Europe Cup”. Më herët mitrovicasit u eliminuan nga turneu kualifikues i Ligës së Kampionëve.