Basketboll

Humbje shumë e rëndë e Trepçës në Francë

KB Trepça

Kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça, ka pësuar humbje shumë të thellë në nismë të stinorit të rregullt në FIBA Europe Cup. 

Të mërkurën mbrëma në Dijon të Francës, Trepça humbi nga skuadra Dijon me rezultat 118:73. 

Dallimi në cilësi ishte i madh dhe këtë e dëshmon edhe rezultati në fund. 

Mitrovicasit u mbajtën vetëm në çerekun e parë e më pas skuadra franceze dominoi plotësisht. 

Trepça ka pasur vështirësi të shumta si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. 

“Xehetarët” kishin shumë topa të humbur e po ashtu gjuajtje të pasakta. 

Ndërkohë lojtarët e Dijonit kanë shënuar pikë të lehta e nga aksionet e ndërtuara, gjatë gjithë ndeshjes.

Për Trepçën është humbja e tretë rresht. 

U mposht nga Bashkimi e Prishtina në Superligë e tani pësoi humbjen më të thellë të viteve të fundit.

Mikaile Tmushiq i kishte 22 pikë e katër kërcime për Trepçën. 

Malik Johnson realizoi 10 pikë, nëntë asistime e katër kërcime. 

17 pikë, por me efikasitet të ulët i kishte Samuel Hunter. 

Te Dijoni, që është fitues i Kupës së Francës, pikë realizuan të gjithë 11 lojtarët. 

Pra kishte hapësirë për të gjithë. 

Trepça pas një jave e pret skuadrën gjermane Ludwigsburg.