Elitës së basketbollit kosovar i ka munguar atmosfera e palestrës së qytetit të Rahovecit tash e dy vjet.
Por nga vjeshta, palestra “Mizahir Isma” do të jetë arenë e ndeshjeve të Superligës dhe potencialisht do të jetë e mbushur me shikues.
Nga edicioni i ardhshëm, Rahovecin në Superligë do ta përfaqësojë klubi i ri, Grapeland.
Grapelandi të dielën mbrëma siguroi Superligën, duke u shpallur kampion në Ligën e Parë të Kosovës në basketboll. Në ndeshjen e tretë finale të plejofit, Grapelandi arriti fitore ndaj KEK-ut me rezultatin 75:69.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Bujar Loci, stinorin e rregullt e mbylli në vendin e parë me vetën një humbje. Kishte 13 fitore.
Qyteti i Rahovecit në fakt vetëm kthehet në “hartën” e Superligës së Kosovës në basketboll. Klubi me të njëjtin emër, Rahoveci, ka garuar në Superligë deri në edicionin 2022/2023. Madje për shumë vjet ishte prej klubeve më të mira dhe më të organizuara në vend. Por në edicionin e fundit, 2022/2023, Rahoveci u fut në krizë financiare dhe organizative. Pasi nuk ia doli të sigurojë mbetjen në elitë, u shua plotësisht.
Të njëjtin vit u themelua klubi Grapeland, që tani siguroi inkuadrimin në Superligë.
Kryetari i klubit, Indrit Krasniqi, ka thënë se suksesi nuk është i befasishëm.
“Gjithçka ka shkuar shumë mirë. Njerëzit që punojnë për këtë klub kanë dhënë maksimumin. Ky sukses i arritur nuk është rastësi pasi njerëzit kanë dhënë shumë për këtë klub. Dëshiroj t’i falënderojë të gjithë ata që i kanë besuar këtij projekti sepse nuk është lehtë që një klub i ri t’i bindë të gjithë ata njerëz”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, synimet e Grapeland janë të stabilizohet në Superligë.
“Rahoveci i ka munguar basketbollit elitar. Jemi shumë të lumtur që e kemi arritur qëllimin. Synimet e klubit janë që të krijojmë një fond të pasur të basketbollistëve dhe të krijojmë stabilitet në Superligën e Kosovës. Dje salla ka qenë e stërmbushur dhe është parë që njerëzit e kanë pritur shumë mirë inkuadrimin e ekipit në Superligë”, u shpreh Krasniqi.
Prej më meritorëve për kalimin në Superligë është kapiteni i skuadrës, Bardh Rexha.
Rexha në ndeshjen vendimtare realizoi 20 pikë dhe 11 kërcime.
“Si kapiten gjithmonë përpiqem të jem udhëheqës i mirë për skuadrën dhe të jap maksimumin në çdo ndeshje. Dje ishte një ditë e veçantë dhe jam i kënaqur që kam mundur të ndihmoj skuadrën me performancën time. Sidoqoftë, unë besoj se suksesi është një punë ekipore dhe për këtë arsye çdo lojtar ka një rol të rëndësishëm në fitoret tona”, ka thënë Rexha.
Merita të mëdha ka trajneri Bujar Loci, që më herët ka drejtuar edhe Rahovecin drejt sukseseve. Loci është prej trajnerëve me përvojën më të madhe në Kosovë.
Nga Superliga largohet Proton Cable Prizreni, ndërsa për vendin e fundit në elitë, në plejaut përballen Bora dhe KEK-u. Bora përfundoi e parafundit në Superligë, ndërsa KEK-u i dyti në Ligën e Parë.