Golden Eagle Ylli dhe Peja kanë shënuar fitore të dielën mbrëma në kuadër të xhiros së 24-t të elitës së basketbollit kosovar.
Suharekasit fituan ndaj kryeqytetasve me rezultatin 85:62 në ndeshjen që u zhvillua në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ndërsa Peja fitoi ndaj Borës 79:68.
Me statistikat më të mira në fitoren e Golden Eagle Yllit ishte Jalen Nesbitt, që pati dyshifror të dyfishtë prej 18 pikëve, 15 kërcimeve e pesë asistimeve.
Te Sigal Prishtina u dallua Muhamedali Janjeva me dhjetë pikë, gjashtë kërcime e tri asistime. Te Peja ishte Benas Griciunas që kishte 13 pikë, 12 kërcime e dy asistime në fitore, ndërsa Alex Aveion Lomax te Bora i kishte 16 pikë, dy kërcime e katër asistime, por të pamjaftueshme për ta shmangur disfatën.
Bashkimi me 41 pikë, Trepça me 40 pikë dhe Sigal Prishtina me 39 pikë zënë tri pozitat e para. Pas tyre është Peja me 37 pikë. Vëllaznimi e Ylli kanë nga 35 pikë.
Bora e parafundit, përkatësisht e shtata ka 31 pikë, ndërsa Proton Cable Prizreni i fundit ka 29 pikë.